Ikën FMN, por vjen KE. Si do kontrollohet buxheti shqiptar

by on 25/07/09 at 9:06 pm

Monitorimi i ekonomisë, Brukseli kërkon ndryshimin e ligjeve

Ndoshta ishte rastësi, por në ditën kur Kryeministri përcillte përfaqësuesen e FMN-së, pas përfundimit të Misionit, hyn në fuqi një set-rregullash dhe sugjerimesh, të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si FMN-ja, që kishte merak parametrat e buxhetit, në dokumentin e KE-së që vinte nga Brukseli, ishin të caktuara një mori detyrimesh që qeveria shqiptare duhet të kishte në raport me disiplinimin e shpenzimeve buxhetore. E quajtur me term teknik “Letër-Politika”, Brukseli kërkon nga qeveria dhe më konkretisht nga Ministria e Financave të ndryshojë disa ligje që lidhen me buxhetin e shtetit, si dhe hartimin e paketave të reja, të cilat do të mund të revolucionarizojnë të gjithë sistemin e shpenzimeve që kryen administrata shtetërore. Porositë e Bashkimit Evropian nisin që me ristrukturimin e Auditit të Brendshëm, ndryshimin e raportit në funksion me Kontrollin e Lartë të Shtetit, ndryshimin e rregullores për degët e Thesarit, e deri në detaje të tipit sesi duhet të sillet një nëpunës i administratës gjatë procesit të kryerjes së investimit. Në disa pika të “Letër-politikave”, BE thekson rolin që duhet të ketë KLSH në kontrollet e saj dhe “përplasjet” me strukturat e Auditit të Brendshëm. Për herë të parë, zyrtarët e Brukselit propozojnë krijimin e një ligji të ri, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, dhe miratimin brenda afateve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë. “Ligji ‘Për menaxhimin financiar dhe kontrollin‘, do të jetë legjislacioni bazë, i cili duhet të ndiqet nga ligjet e tjera, në mënyrë që të mos përcillen mesazhe kontradiktore”, thuhet në dokument. Qeveria i ka pranuar detyrat e reja dhe ka udhëzuar ministrin Ridvan Bode që të udhëheqë procesin për zbatimin e “letër-politikave” për kontrollin e brendshëm financiar publik gjatë 2009-2014. Gjatë kësaj periudhe, qeveria shqiptare duhet të kryejë disa reforma që lidhen me shpenzimet buxhetore dhe disiplinimin e administratës shtetërore në raport me programin.

Detyrat e reja

Nëse FMN kërkonte përmbushjen e tre detyrimeve bazë makro-fiskal, tani me Bashkimin Evropian, ku ne duam të anëtarësohemi, detyrat bëhen më të vështira. E para, pothuajse të gjitha ligjet duhet t‘i ndryshojnë në përputhje me ato të Komunitetit Evropian, duke i përshtatur me standardin në vend. “Për të shmangur mbivendosjet (përplasja e kompetencave) mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Auditit të Brendshëm, duhet bërë një dallim i qartë i rolit të auditit, si dhe të qartësohet funksioni nga inspektimi. Kjo kërkon rifreskimin e ligjit, në zbatim të standardeve të Komisionit Evropian”, thekson BE-ja. Duke u ndalur te roli i Ministrisë së Financave në gjithë këtë proces, Brukseli kërkon që pasi të jenë zbatuar një sërë rregullash të reja në menaxhimin e buxhetit, rezultati të jetë “garantimi i kursimit, dobisë dhe frytshmërisë në përdorimin e burimeve publike”.

Parimet e BE-së

Në kuadër të zgjerimit dhe të konceptit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Bashkimi Evropian ka përcaktuar një grup parimesh që lidhen me një menaxhim të shëndoshë të burimeve publike, qofshin këto të brendshme apo të huaja. “I kemi sugjeruar Republikës së Shqipërisë t‘i ndjekë dhe t‘i aderojë këto parime, duke i përfshirë dhe zbatuar ato në legjislacionin përkatës”, shprehet Brukseli zyrtar. I pari ndryshim në kuadër të parimeve që duhet të ketë Shqipëria, ka të bëjë me hartimin e buxhetit 3-vjeçar, i cili në fakt u bë realitet në verën e vitit të kaluar. Dokumenti, i miratuar pak kohë më parë nga qeveria “Berisha”, është versioni i rishikuar dhe i azhurnuar i “Letër-politikave për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik”, aprovuar me VKM në qershor 2005.

Problematika

Sipas vëzhgimit të bërë nga Komisioni Evropian, konstatohet se kuadri ligjor për menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve buxhetore ka disa paqartësi dhe përplasje. Duke renditur me pika problematikat që duhen zgjidhur sa më shpejt, zyrtarët e BE-së vendosin në plan të parë “kontrollet e auditit të brendshëm, rezultati i të cilave nuk paraqitet efektiv”. Për të zgjidhur problemin, Ministria e Financave do të hartojë një ligj të ri “Për Inspektimin Financiar”, kusht i domosdoshëm i vendosur nga Komisioni Evropian. Si përfundim, të gjitha këto ndryshime rrënjësore do të mbështeten nga KE-ja me fonde dhe asistencë teknike, në mënyrë që të jenë të plota në vitin 2014, periudhë kur Shqipëria parashikon se do të marrë ftesën për t‘u anëtarësuar në BE.

Ligjet e reja dhe afatet

Ligji “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” duhet miratuar nga qeveria në prill 2010 dhe nga Kuvendi brenda vitit.

Ligji “Për inspektimin financiar publik” duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë brenda këtij viti.

Ligji “Për auditin e brendshëm” duhet të ishte miratuar nga qeveria në prill, kurse nga Kuvendi ka afat gjithë vitin

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login