“Eurostat”: Ballkani me kosto të lirë, më shtrenjtë Danimarka dhe Zvicra

by on 18/07/09 at 5:57 pm

Rajoni i Ballkanit ka çmime konsumi më të lira se vendet e tjera të Europës, ndërsa e para në listë për nga kostoja e lartë qëndron Danimarka. Sipas të dhënave të Shërbimit të Statistikës së Komisionit Europian, “Eurostat”, krahasimi i çmimeve të mallrave për konsumim të gjerë dhe shërbime për vitin 2008 ka treguar se Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia janë vendet më të lira në Europë. Konkretisht, për Shqipërinë “Eurostat” thotë se mesatarja e indeksit të çmimit të jetesës arrin në 53 për qind në krahasim me mesataren e përgjithshme të Bashkimit Europian. Danimarka është më e shtrenjta për jetesë nga 27 anëtaret e Bashkimit Europian, me çmime konsumi të cilat arrijnë deri në 141 për qind krahasuar me mesataren e BE-së, ndërsa Bullgaria është më e lirë, me 51 për qind nga mesatarja. Pas Danimarkës, për nga kostoja e lartë e jetesës vjen Zvicra, Norvegjia dhe Finlanda. Çmimet në Gjermani janë 104 për qind krahasuar me mesataret, vijon “Eurostat”, kurse çmime konsumi më të ulëta, pas Bullgarisë, kanë vendet ish-komuniste nga Europa Qendrore dhe Lindore: Rumania, Lituania, Polonia dhe Hungaria. Nivelet e çmimeve për ushqim dhe pije jo-alkoolike në Shqipëri për vitin 2008 arrijnë në 74 për qind të mesatares së përgjithshme të BE-së, kundrejt 82 për qind të Serbisë dhe 75 për qind të Malit të Zi. Për pijet alkoolike dhe duhanin, niveli i çmimeve varion nga 57 për qind në Shqipëri, 54 për qind në Serbi dhe 45 për qind në Malin e Zi. Në 27 vendet e BE-së, çmimet janë më të ulëta në Rumani, 61 për qind të mesatares, dhe më të larta në Irlandë, me 184 për qind. “Ky ndryshim i madh i çmimeve vjen si rezultat i dallimeve në taksimin e këtyre produkteve ndërmjet shteteve anëtare”, thekson “Eurostat”. Për veshje, niveli i çmimeve në Shqipëri është më i ulëti ndërmjet vendeve të Ballkanit, konkretisht 90 për qind, krahasuar me 113 për qind në Malin e Zi dhe 104 për qind në Serbi. Midis vendeve anëtare të BE, Mbretëria e Bashkuar është vendi më i lirë, 83 për qind të mesatares dhe më i shtrenjti Finlanda, me 123 për qind. Për kategorinë e pajisjeve elektronike, Shqipëria e kalon mesataren e përgjithshme duke shkuar në shifrat e 122 për qind, ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit nuk kalojnë 100 për qind.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login