BSH: Shpenzuam 40 milionë euro për stabilizimin e lekut

by Andi Bega on 18/07/09 at 6:08 pm

Banka Qendrore ka shitur valutë në treg gjatë muajit mars, për të shmangur zhvlerësimin

Banka e Shqipërisë pranoi dy ditë më parë se është detyruar të shesë në treg valutë me vlerë të përgjithshme prej 5 miliardë lekësh (40 milionë euro, ose 63 milionë dollarë), për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Në deklaratën për ndërhyrjet në tregun e parasë, BSH raportoi gjithashtu se është detyruar të furnizojë bankat me likuiditet në sasi dy herë më të mëdha se zakonisht, ndërsa ka blerë dhe shitur valutë nga Ministria e Financave me anë të kontratave të së ardhmes. Të gjitha këto masa kanë arritur të shmangin zhvlerësimin e shpejtë të lekut. Gjatë tre muajve të fundit, leku është luhatur rreth kuotës 130 lekë për euro.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, leku ka humbur terren ndaj monedhave të huaja, si pasojë e një sërë faktorëve, duke sjellë forcimin e valutave në nivelet më të larta të 4 viteve të fundit. Banka e Shqipërisë, me synim shmangien e çrregullimeve në tregun valutor, ka ndërhyrë gjatë këtij tremujori duke shitur valutë në masën 4,970 milionë lekë”, njoftoi BSH.

Në këtë mënyrë, Banka Qendrore e Shqipërisë është detyruar të shpenzojë rreth 3-4 për qind të rezervës valutore ndërkombëtare të vendit, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore. BSH i publikon të dhënat e ndërhyrjes së saj në treg me disa muaj vonesë, bazuar kjo në një rregullore të brendshme. Një rregullore e tillë është vendosur për të shmangur veprimet spekulative dhe rrjedhjen e informacionit nga ana e Bankës Qendrore, informacion që ka vlerë të konsiderueshme tregtare. Megjithatë, shumë ekspertë mendojnë se si pasojë e zhvillimit të tregut, një rregullore e tillë është disi e pakuptimtë, pasi zakonisht ndërhyrjet e BSH-së dallohen nga operatorët menjëherë.

Shëndeti i lekut shqiptar u vu në dyshim në muajin shkurt të këtij viti, kur monedha jonë kombëtare u zhvlerësua me rreth 5 për qind kundrejt euros, si pasojë e kombinimit të disa faktorëve. Nga njëra anë qenë prurjet e ulëta valutore nga emigrantët, nga ana tjetër ishte zvogëlimi drastik i kreditimit nga ana e bankave, si dhe kërkesa e lartë për valutë e disa korporatave të rëndësishme, të cilat në këtë kohë tërheqin fitimet e realizuara në vitin paraardhës. Fati i vlerës së lekut mbetet ende i paqartë, veçanërisht pas përfundimit të sezonit turistik. Investimet e huaja, remitancat dhe eksportet, të cilat përbëjnë fluksin kryesor të hyrjes së valutës në Shqipëri, janë më të pakta këtë vit, ndërkohë që leku në qarkullim është rritur me ritëm të jashtëzakonshëm gjatë muajve të fundit, si pasojë e shpenzimeve paraelektorale të qeverisë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login