Akciza, 2-3 miliardë lekë shtesë për buxhetin

by on 14/07/09 at 1:24 pm

Rritja e akcizave pritet të japë efekte jo shumë të larta në të ardhurat e qeverisë

Qeveria shqiptare vendosi të rrisë akcizën për disa mallra të rëndësishëm si kafeja, birra, cigaret apo pijet e forta alkoolike, por ky vendim duket se nuk do të ndihmojë shumë qeverinë në zgjidhjen e problemeve të rënda financiare që ka aktualisht, bëhet e ditur nga ekspertët. Javën e kaluar, qeveria propozoi në Parlament rritjen e akcizave me 20-100 për qind, por kjo masë pritet të rrisë të ardhurat e buxhetit me 2-3 miliardë lekë në vit.

Rritja e akcizave është pjesë e planeve të qeverisë për t‘ia kaluar konsumatorëve koston që kriza ekonomike botërore po jep në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Në mars, qeveria miratoi rritjen e akcizës së naftës, gjë që u pasqyrua me rritjen e kostos së naftës për konsumatorët me mbi 10 lekë për litër.

Sipas propozimit të qeverisë, akciza e cigareve do të rritet nga 40 në 50 lekë për paketë, akciza e kafesë së papjekur do të rritet nga 50 në 70 lekë, ndërsa e asaj të pjekur, nga 100 në 140 lekë. Akciza e birrës së prodhuar nga fabrikat e vogla pritet të rritet nga 150 në 220 lekë për litër ndërsa për prodhuesit dhe importuesit e mëdhenj do të rritet nga 200 në 300 lekë për litër. E njëjta gjë do të ndodhë për pijet e forta alkoolike, akciza e të cilave do të rritet nga 70 në 100 lekë. Të gjitha rritjet së bashku, do të rrisin të ardhurat nga akcizat me 2-3 miliardë lekë, (rreth 17-24 milionë euro), shifër kjo që përbën më pak se 1 për qind të të ardhurave aktuale buxhetore. Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, është krijuar një vrimë me vlerë 7.6 miliardë lekësh si pasojë e të ardhurave më të pakta tatimore për shkak të krizës.

Akcizat japin rreth 13 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit ose 300 milionë euro në vit. Rritja e akcizave për mallrat e forta ka qenë baza më e fortë e rritjes së të ardhurave të buxhetit gjatë katër viteve të fundit.

Shpresë për bum nga akcizat

Propozimi i fundit i qeverisë ka pak gjasa të materializohet para tetorit të këtij viti, për shkak se ndryshimi i akcizave kërkon miratim në Kuvend dhe se Kuvendi pritet të hapet në muajin shtator. Por nga eksperienca e mëparshme, qeveria e di se propozimi për rritjen e taksave do t‘i shtyjë kompanitë prodhuese dhe importuese të blejnë sa më shumë pulla fiskale që të jetë e mundur me tarifën e vjetër, gjë që mund të shkaktojë një bum të përkohshëm në të ardhura për buxhetin. Kështu, rritja e akcizës së cigareve në vitin 2006, solli rritje drastike të importit të këtij malli në muajt para rritjes, gjë që u pasqyrua me rënie po aq të fortë në vitin pasardhës. Importet e cigareve më 2005-n, qenë 3975 tonë. U rritën më 2006 në 4220 tonë dhe ranë në vitin 2007 në më pak se 3500 tonë. Rënia në vitin 2007, iu atribuua edhe rritjes drastike të sasisë së cigareve që qarkullojnë kontrabandë.

Rritje dramatike në katër vjet

Rritja e akcizave ka qenë dramatike gjatë viteve të fundit. Qeveria ka ndryshuar pothuajse çdo vit taksat e akcizave, duke i rritur ato. Në të njëjtën kohë, janë rritur edhe çmimet e këtyre mallrave në treg. Kështu, akciza për cigaret është rritur me 100 për qind, nga 25 lekë për paketë që ka qenë më 2004, në 50 lekë. Taksat e kafesë janë rritur me 75 për qind, ndërsa nafta e benzina janë rritur me mbi 50 për qind.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login