Zgjedhjet, Berisha fryn administratën

by on 08/06/09 at 10:45 pm

Ministritë kryesore shtojnë stafin me 748 vetë në një vendim të mbajtur sekret

Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim më 22 prill, me anë të së cilit u ka mundësuar disa ministrive të shtojnë numrin e të punësuarve për vitin 2009. Megjithëse vendimi është marrë në prill, efektet e tij financiare fillojnë që nga 1 janari, gjë që do të thotë se, siç ndodh zakonisht në Shqipëri, vendimi ka legalizuar vendet e punës të hapura që më parë. Pa dhënë sqarime dhe duke fshehur situatën reale, qeveria hapi 748 vende pune në katër ministri të rëndësishme, duke shtuar dozën e përdorimit të buxhetit të shtetit për qëllime elektorale. Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka qenë në procesin e shkurtimit të vendeve të punës në administratën publike, sipas këshillave të ndërkombëtarëve për përdorim më efikas të parave të taksapaguesve. Vetë Kryeministri Berisha pati premtuar “qeverinë e dietës” kur erdhi në pushtet. Por statistikat e INSTAT paraqesin një situatë ndryshe. Të punësuarit në sektorin publik, ku përfshihet administrata dhe kompanitë nën pronësi publike, janë ulur nga 176 mijë vetë në 2004-ën, në 166 mijë vetë në 2008-ën. Por kjo ulje ka ardhur si pasojë e privatizimeve. Administrata publike më vete thjesht sa ka shtuar radhët. Nga 113 mijë vetë që merrnin pagë nga taksapaguesit në vitin 2004, sot janë rreth 130 mijë të tillë. Të punësuarit e klasifikuar si “specialistë” janë shtuar më shumë se të tjerët.

Ministritë e shtuara

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka gëzuar 266 rrogëtarë të rinj, pasuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka shtuar rrogëtarët me 233 vetë. Që nga viti 2007, stafet e këtyre ministrive pothuajse janë dyfishuar. Në vitin 2006, Ministria e Drejtësisë kishte vetëm 2700 të punësuar, ndërsa Ministria e Ekonomisë numëronte 450 vetë. Këtë vit do të kenë përkatësisht 5027 dhe 774 të punësuar. Të rinjtë e Ministrisë së Drejtësisë kanë shkuar te zyrat e regjistrimit të pronave të paluajtshme. Qeveria ka shtuar 89 vetë në administratën e Ministrisë së Bujqësisë. Të punësuarit e rinj do të merren të gjithë me të ashtuquajturën “Agjencia e Pagesave”, një institucion që synon të shpërndajë para te fermerët, por që në fakt ka krijuar një vrimë ku rrjedhin para dhe naftë pa akcizë, që zor se përfundon ndonjëherë te fermerët.

Dhe ndërsa është shtuar ndjeshëm administrata qendrore, janë mbyllur vende pune për policë dhe mësues, për të ribalancuar buxhetin.

Punësimet e shumta në prag fushate bënë që gjatë tremujorit të parë të këtij viti shpenzimet e buxhetit të shtetit për paga ta tejkalojnë parashikimin, duke rritur deficitin. Në Shqipëri, katër në dhjetë të punësuar në sektorin jobujqësor i përkasin administratës publike ose kompanive nën pronësi publike. Këtë vit, pagat e administratës publike do të kushtojnë 452 milionë euro, ose 18 për qind të shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Qeveria e sotme ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të punësuar në administratë mbështetësit e saj pas tetë vitesh qëndrimi në opozitë. Pushimet nga puna thjesht për të zënë vendet e krijuara, numëroheshin në disa mijëra në muajt e parë pas marrjes së pushtetit. Ndryshimi i administratës është një fenomen i rëndomtë në Shqipëri dhe shoqëron zakonisht ndryshimet e qeverive.

Të punësuarit në ministritë kryesore
Institucioni Ishin Bëhen Diferenca
Ministria e Drejtësisë, nga e cila: 4794 5.027 +233
- Avokati i Shtetit 40 55 +15
- Zyra e Regjistrimit të Pasurive 400 550 +150
Ministria e Brendshme 13.065 13.225 +160
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit 2.109 2.198 +89
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, 508 774 +266
Ministria e Financave, nga e cila: 3135 3160 +25
Totali +773

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login