Vasili: Plani për veprim, alternative për zhvillimin e Korçës

by Andi Bega on 10/06/09 at 9:19 pm

“LSI do jetë përcaktuese e fitores në zgjedhje”

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i pari në listën e kësaj partie për Qarkun e Korçës, analizon përparësitë e programit “Koha për Veprim”, si një ndër alternativat që do të çojë Korçën drejt zhvillimit. Në vlerësimin e tij, kandidati i LSI-së e konsideron këtë parti si përcaktuese të fitores të së majtës në këtë qark, duke përmendur faktin që disa bashki të këtij rajoni janë të majta falë mbështetjes së LSI. Më tej, ai bën bilancin e problemeve që hasen në këtë zonë, duke theksuar problemet me bujqësinë, papunësinë, sidomos tek të rinjtë dhe problemet me infrastrukturën. Sa i përket konkurrentëve të partive të tjera, Vasili nuk ka një përcaktim konkret, por e konsideron të pamoralshme që janë të detyruar të premtojnë dhe ripremtojmë ato që nuk i kanë realizuar deri më sot. “Nuk kam asgjë të veçantë për të thënë për ta, në fund të fundit, është një sfidë vërtet shumë e rëndë nga pikëpamja morale përveçse politike që janë të detyruar të ripremtojnë ato që nuk i kanë bërë kurrë deri më sot”, shprehet Vasili.

Zoti Vasili ju kandidoni në një qark ku dy partitë e tjera, PD e PS kanë mjaft ndikim në elektorat. Cili është objektivi i LSI-së për këtë qark?

Mendoj se Qarku i Korçës është i rëndësishëm për shumë arsye të karakterit zhvillimor, si dhe të traditës kulturore mjaft të pasur. Nuk gjej ndonjë kuptim të veçantë në konstatimin se dy partitë e përmendura nga ju kanë ndikim të veçantë. Sa i takon së majtës, vetëm në sajë të votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në disa bashki të rëndësishme të qarkut drejton e majta, ndaj dhe gara është plotësisht e hapur. Mendoj se premtimet e pafundme, të shfrenuara dhe pa asnjë logjikë ekonomike kanë zbehur besueshmërinë e partive të tjera dhe i ka bërë ato simbol të partive që premtojnë për të kaluar radhën dhe gënjyer zgjedhësit. Duke iu marrë kështu votën dhe më pas jua kanë kthyer krahët dhe gjërat vazhdojnë të jenë si më parë. Plani ynë për veprim është një provë e seriozitetit tonë dhe e qëndrimit tonë objektiv për t‘i zgjidhur gjërat dhe jo për t‘u hedhur hi syve njerëzve. Sepse kjo është e turpshme, po aq e turpshme sa që njerëz me shumë pushtet në të kaluarën dhe në të tashmen vijnë, premtojnë përsëri dhe bëjnë të paditurin për njëmijë gjëra që nuk kanë bërë, por nejse ky është edhe morali i shprishur politik, të cilit po i vjen fundi.
Çfarë problemesh vëreni në Qarkun e Korçës dhe si mendoni t‘i zgjidhni ato?

Në të gjithë Qarkun e Korçës ka një varfëri që sa vjen e thellohet. Biznesi është tërësisht i pamotivuar, sepse megjithëse ka aftësi të mëdha dhe mentalitet bashkëkohor, nuk ka mundësi konkrete për të bërë biznes dhe kësisoj papunësia është tepër e madhe dhe kritike. Infrastruktura veçanërisht në zonat rurale është e mjerueshme dhe zona të tëra si Mokra janë thuajse të izoluara. Gjithashtu papunësia në radhët e të rinjve është e jashtëzakonshme dhe është e dhimbshme që një rini vitale dhe plot ide si rinia korçare detyrohet të përplaset me papunësinë më të egër. Bujqësia është plaga më e thellë e Qarkut të Korçës dhe viti i fundit ishte më shumë se dramatik. Qindra e qindra kuintalë prodhime dhe djersë e gjithë vitit, edhe tani që flasim, vazhdon të kalbet pa u shitur dot si gruri, molla, qepët, patatet etj.

Si i vlerësoni konkurrentët e partive të tjera që kandidojnë në këtë qark?

Nuk kam asgjë të veçantë për të thënë për ta. Në fund të fundit për ta është një sfidë vërtet shumë e rëndë nga pikëpamja morale përveçse politike. Janë të detyruar të ripremtojnë e ripremtojnë ato që nuk i kanë bërë kurrë deri më sot, është vërtet e rëndë të gënjesh përsëri e përsëri.

Në disa qarqe, LSI mund të përcaktojë se nga cila anë peshon fitorja? A është Qarku i Korçës një rast i tillë?

Pa asnjë diskutim që është i tillë dhe morali i komunikimit me qytetarët nga ana jonë ka qenë jo ai i përdorimit të tyre për qëllime mediatike, por leximi i halleve të tyre me shumë vëmendje dhe seriozitet. Lëvizja Socialiste për Integrim ka një mision të madh, atë të krijimit të moralit, të mbajtjes së premtimeve dhe ajo do ta bëjë këtë në Korçë më mirë se kudo gjetkë.

CV

Petrit Vasili

Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për degën e mjekësisë

Ka kryer disa specializime pasuniversitare në Itali, në vijimësi të shkollimit të tij

Nga viti 2001 deri në vitin 2003 ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Shëndetësisë

Është pedagog i jashtëm i Fakultetit të Mjekësisë në Departamentin e Shëndetit Publik

Mban detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login