Urdhri: Askush të mos përzihet me fushatën zgjedhore

by on 22/06/09 at 6:06 pm

Drejtoria e Qendrës Spitalore ka informuar punonjësit e shëndetësisë për të qenë korrektë në punë

Mjekë, infermierë, punonjës të thjeshtë të shëndetësisë, që marrin pagat nga shteti, me taksat e popullit nuk lejohen të jenë të përfshirë në aktivitete politike, sidomos gjatë orarit zyrtar të punës. Ata mbeten në shërbim të popullit.

Pavarësisht rritjes së pagave, apo pakënaqësive nga puna, profesioni, apo aderimit të tyre pranë partive apo forumeve politike, punonjësve në radhët e bluzave të bardha nuk duhet të jenë pjesë e mitingjeve elektorale, aktiviteteve të partive politike. Ata duhet të jenë në punë prezent, apo në aktivitete të tjera të formimit të tyre profesional. Rregulli bëhet edhe më i rreptë për shefat e shërbimeve, të cilët përveç punës që kanë në shërbimet ku drejtojnë janë të atashuar edhe pranë Fakultetit të Mjekësisë, si profesorë të studentëve të këtij fakulteti.

Në fakt, punonjësit e shëndetësisë, përveç orarit zyrtar, kanë punë edhe privatisht, duke qenë se një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë aktivitetin në klinika apo qendra shëndetësore private. dhe kjo nuk u lejon të kenë shumë kohë të lirë.

Megjithatë, si ministrja e Shëndetësisë, ashtu edhe drejtoresha e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” kanë bërë deklarata të qarta lidhur me këtë çështje.

Pak ditë më parë në konferencën e reanimacionit, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka “tërhequr” vëmendje për mungesën e disa prej punonjësve që nuk kanë qenë në konferencë.

Sipas saj, mundësitë e mungesave mund të jenë dy: ndoshta fushata elektorale ka ndikuar për keq, ndërkohë që mund të jetë edhe për arsye të profesionit, pasi mjekët mund të ishin në raste urgjencash, pranë kryes së detyrës. Këshilla që u ka dhënë ministrja e Shëndetësisë ka qenë frekuentimi i të tilla eventeve, pasi ndihmon më tepër në formimin profesional të mjekëve.

Nga ana tjetër, drejtoresha e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka deklaruar se mjekët nuk mund të përzihen me fushatën. Në mënyrë të veçantë shefat e shërbimeve duhet të bëjnë shumë kujdes lidhur me përfshirjen e tyre në aktivitetet politike. Jozefina Topalli, ka qenë disa kohë më parë në shërbimin e onkologjikut për të dhënë mesazhe sensibilizimi për gratë shqiptare lidhur me sëmundjet tumorale. Po ashtu, bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, ka qenë disa herë pjesë e aktiviteteve të shëndetësisë. Kjo ka ndodhur para çeljes zyrtare të fushatës elektorale. Ndërkohë që kreu i opozitës, Edi Rama, javën e shkuar ishte për një vizitë në shërbimin e pediatrisë së specialiteteve. Bisedat me disa prej mjekëve, dhe ekspozimi i tyre në media, ka sjellë diskutime të mëdha mes kolegësh, të cilët jo të gjithë aderojnë pranë forumeve të koalicionit të majtë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login