Temperaturat të larta me mbi 3 gradë Celsius
by Andi Bega on 08/06/09 at 10:52 pm
Parashikimi i sinoptikanëve: Java e re me pak vranësira, por edhe më e nxehtë se fundjava
Kjo fundjavë ka qenë e ngrohtë, si për plazh ashtu edhe për banjë dielli. Moti ka qenë i ngrohtë, me pak vranësira, ndërkohë që java e re pritet të ketë ndryshime të mëdha. Moti do të jetë i ngrohtë, por pa përjashtuar vranësirat e herëpashershme, madje në zona lokale edhe reshje shiu. Sipas sinoptikanëve të institutit të parashikimeve “Meteoalb”, pas ditës së enjte, të javës së re do të kemi rritje të menjëhershme të temperaturave nga 3-4 gradë Celsius.
Para nisjes së vapës së madhe do të vazhdojmë me motin e paqëndrueshëm, të nxehtë, orë herë me vranësira, por pa përjashtuar edhe reshjet e shiut. Territori shqiptar gjatë së shtunës është dominuar nga kthjellimet, duke përjashtuar kalime vranësirash të lehta gjatë mesditës në bregdet dhe zonën e ulët, ndërsa zonat malore kanë pasur vranësira më të dendura, por pa mundur të gjenerojnë shira. Edhe dita e diel, deri mesditë do të mbetet nën dominimin e kthjellimeve ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë një sistem të dobët vranësirash fillimisht në veri dhe më pas gradualisht vranësirat do të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar. Mbrëmja dhe nata e së dielës dhe deri paraditen e së hënës, vranësirat do të bëhen më të dendura si edhe do të shoqërohen me shira të dobët kryesisht në veri dhe zonat malore.
Ekziston mundësia për shira të izoluar dhe afatshkurtër edhe në zonat pranë-malore duke përfshirë edhe Tiranën, për shkak të vendosjes pranë malit të Dajtit.
Me një vështrim të përgjithshëm mbi javën tjetër, parashikohet mot i kthjellët deri ditën e enjte, por gjatë gjithë këtyre ditëve zonat malore veriore dhe verilindore do të vizitohen nga vranësira kalimtare dhe ndonjë shi i dobët.
Pjesa jugore dhe juglindore do të ketë vranësira dhe shira të dobët vetëm të enjten. Për sa u përket temperaturave të ajrit, ato kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë kësaj fundjave. Mesdita e së dielës, do të bëjë që temperaturat të ngjiten deri në 26 gradë në zonat malore dhe deri 32 gradë në zonën e ulët.
Ndërsa temperaturat e bregdetit Adriatik, do të parashikohet të ngjiten në 30 gradë kundrejt 32 gradëve që pritet të shënohen në bregdetin jugor. Edhe java tjetër do të ruajë pa shumë ndryshime, temperaturat e arritura gjatë kësaj fundjave.
Leave a Comment