Solis: Elektorati në Tiranë është si një “peshore farmacie”
by Andi Bega on 10/06/09 at 9:18 pm
“Në lista, njerëz anonimë, miqtë e kryetarëve”
Në siglën e PBDNJ-së, Leonard Solis kërkon votat në Qarkun e Tiranës, duke treguar arsyet pse duhet të votojnë për numrin 29 më 28 qershor.
Zoti Solis, cilat janë pesë avantazhet me të cilat PBDNJ shkon drejt zgjedhjeve të 28 qershorit?
Janë më shumë se pesë, por dua “t‘i shtrij këmbët”, aq sa më lejon “jorgani” juaj! Së pari, Kodi i ri Elektoral favorizon ato parti që kanë elektoratin të koncentruar brenda qarkut. PBDNJ ka disa zona “të nxehta” ku kemi një konsistencë të mirë. Zona të tilla si Qarku i Vlorës me Sarandën, Himarën, Delvinën, na nxjerrin me mandat brenda qarkut. Po ashtu dhe Gjirokastra. Minoriteti është mazhoritet në minoritet! Së dyti kemi hyrë në këtë fushatë me imazhin e një partie që mban qëndrime objektive në Parlament dhe korrekte në qeverisje. Gjatë këtyre katër vjetëve ne kemi mbajtur qëndrime të ekuilibruara, duke shërbyer shpesh si moderatorë dhe amortizatorë. Së treti, boshti i programit të PBDNJ është mbrojtja e të drejtave të njeriut në përgjithësi për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të shtresave vulnerabile e në veçanti të minoriteteve. Së katërti, disa nga boshtet e programit të partisë sonë janë një tregues indirekt i disa parametrave sensibël të monitoruara e mbrojtura ndërkombëtarisht. Avantazhi i pestë është pozicionimi majtas për herë të parë historikisht në momentin paraelektoral dhe paselektoral, në mazhorancë a opozitë, sipas rezultatit më 29 qershor, ku dhe pjesa dërrmuese e elektoratit tonë është me prirje të majta.
Në prag të zgjedhjeve, PBDNJ i dha fund bashkëpunimit me PD. Çfarë e ndan PBDNJ nga PD dhe çfarë e lidh me PS?
Kodi Elektoral të detyron të mos hysh i vetëm në zgjedhje dhe na rezultoi që pozicionimi majtas të rriste shanset për më shumë mandate në Parlamentin e ardhshëm. Nuk kemi qenë rob i askujt apo shtojcë e verbër e asnjë partie. Hapni statistikat e votimeve gjatë katër vjetëve në Parlament… kemi qenë opozitë konstruktive edhe brenda mazhorancës qeverisëse!
Jeni pozicionuar i pari në listën e PBDNJ-së në Tiranë. Sa shanse kanë partitë e vogla dhe e juaja veçanërisht për të fituar të paktën një deputet në Qarkun e Tiranës?
E pranova me kënaqësi e përgjegjësi sfidën për të konkurruar i pari në listën e kandidatëve për deputetë të PBDNJ në Qarkun Tiranë. Kam punuar shumë vjet në pozicione të rëndësishme, me maksimumin e përkushtimit e të përgjegjësisë. Këtu njerëzit më njohin më nga afër e jo vetëm nëpërmjet televizionit.
Besoj se elektorati në Tiranë është “peshore farmacie” që vlerëson përmbajtjen, duke mos u gënjyer nga servirja e formës. Kam dëshirë ta kaloj me sukses këtë provim që kam vite duke u përgatitur për ta merituar. Partitë e mëdha midis njerëzve të vlerësuar nga populli kanë “injektuar” në këto lista shumë anonimë, miq të kryetarëve, njerëz të paprovuar që në kërcimin me shkop të lartësive politike ia kalojnë dhe kampionit Sergei Bubka! Disa kandidatë brenda listave të partive më kujtojnë babain tim kur isha i vogël që më fuste pa biletë në kinema a stadium, duke thënë “ky është me mua”. Këtë promovim fulminant, të bashkëshoqëruar me mohim akut vlerash, mendoj se do ta vuajë vendi ynë. Më tremb guximi i tyre, që nuk e dinë se sa gjëra nuk dinë.
Çfarë do të ofrojë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në qeverisjen e nesërme?
Stabilitet, moderim, përvojë e objektivitet. Kemi përfituar eksperiencë nga bashkëqeverisja, por dhe kemi dhënë kontributet dhe vlerat tona. Këtë ka parasysh PBDNJ kur sloganin kryesor në fushatë e ka vendosur “Me frymën e së ardhmes”!
Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do të duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?
Kundërshtari im në fushatë është mosmarrja e mandatit të deputetit! Do të doja që në datën 29 në Qarkun Tiranë të shpallej fitues edhe partia nr.29 në fletën e votimit(PBDNJ), ku unë jam i pari në listën e mbyllur tashmë. Nuk kam asnjë kundërshtar specifik. Garojmë brenda koalicionit të majtë dhe jemi po aq bashkë, sa dhe të pavarur. Ata që kandidojnë i konsideroj partnerë! Aktualisht kam një eksperiencë unike në shëndetësi dhe jam i nevojshëm në Parlament për të qenë në roje të gafave ligjore, aventurave, piruetave të papritura si në sektorin farmaceutik, ashtu edhe në atë spitalor, por edhe atë të parandalimit të sëmundjeve. Do të kontribuojmë të rritet seriozisht Fondi për Shëndetësinë, pasi kurrë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverisjeje, të majtë a të djathtë.
CV
Leonard Solis
Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë – 1982-1987
Ka kryer specializim pasuniversitar, diplomë për “Sëmundje të brendshme” – 1991-1993
Ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe Ambientit (1997-2001), sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit (2001-2002),
Ka qenë këshilltar i Kryeministrit në vitet 2002-2004
Ka qenë në detyrën e ministrit të Shëndetësisë në vitin 2004-2005 dhe deputet që nga zgjedhjet e 3 korrikut
Leave a Comment