Shtypi grek komenton gjerësisht fushatën zgjedhore në Shqipëri

by on 22/06/09 at 6:53 pm

Gazeta “Kathemerini”, intervistë me kreun socialist nën titullin “Plani im për të qeverisur Shqipërinë”

Me ngjyra dhe komente të ndryshme, mediat greke të shtypit si edhe ato elektronike kanë filluar gradualisht të përshkruajnë fushatën zgjedhore dhe të japin analizat e tyre të para për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Me titull: “Plani im për të qeverisur Shqipërinë”, prestigjiozja greke “Kathimerini” boton në faqen e saj të së dielës një intervistë të shkurtër me kryesocialistin Edi Rama, të cilin e konsideron si një kryebashkiak të suksesshëm, një intelektual, politikan modern që ka si vizion të ndryshojë mentalitetet konservatore të së kaluarës të vendit të tij dhe ta çojë në sallonet europiane. “Zgjedhja e tij – shkruan gazeta – i jep fund hakmarrjes politike Berisha-Nano që e ka lodhur vendin prej viteve ‘90″, ndërsa i kushtohet një vend i veçantë bashkëpunimit të socialistëve me PBDNJ-në. “Përmbysje e parashikimeve pritet në zgjedhjet shqiptare” – shkruan edhe gazeta “Imerisia”. Pas një përshkrimi skolastik të javëve të fundit të fushatës, deri edhe në tri vrasjet e shënuara gjatë saj, kjo gazetë i vë theksin frikës së manipulimeve të zgjedhjeve, duke komentuar faktin se një shumicë e madhe e qytetarëve nuk janë pajisur me kartat e identitetit. “Shqiptarët duhet të zgjedhin midis dy figurave, thekson gazetari- Ramës, kryebashkiakut të Tiranës që është i preferuari i Europës dhe i amerikanëve dhe sigurisht më modern dhe modest nga rivali i tij dhe Berishës, që simbolizon të kaluarën, por që qeverisë së tij i dedikohen disa suksese të rëndësishme në vitet e fundit si integrimi i vendit në NATO, kontributit në pavarësinë e Kosovës, si dhe ritmi i zhvillimit ekonomik të vendit”. Ndërsa gazeta e majtë “Eleftherotipia” boton një përkthim të “Le Mond Diplomatique” me titull: “Autostrada e korrupsionit kombëtar” në të cilën aludon se kjo vepër ka si qëllim bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Midis të tjerash, duke analizuar hollësisht mënyrën se si filloi procesi i ndërtimit të kësaj rruge, proceset gjyqësore të hapura ndaj ministrit Basha, lidhjet me boshnjakun Fazlliç, dy gazetaret franceze hedhin dyshimet e tyre për rritjen gati dyfish të fitimit të kompanisë amerikane që po ndërton segmentin super të kushtueshëm, Rrëshen-Kalimash. “Kjo rrugë – përfundon artikulli – përdoret nga udhëheqësi demokrat shqiptar, si rrugë për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit shqiptar”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login