Rama i përgjigjet Metës: Voto edhe ti për Partinë Socialiste

by on 22/06/09 at 6:54 pm

Deklarata, një ditë pas ftesës për takim nga kreu i LSI

Bashkohu me Partinë Socialiste. Një formë origjinale e selisë rozë për të refuzuar ftesën e Ilir Metës për t‘u bashkuar kundër Sali Berishës. Karshi ish-aleatit të saj, Partia Socialiste vijon të mos ndryshojë qëndrimin. Edi Rama deklaroi mbrëmë në një emision televiziv se “nuk shoh në këto zgjedhje asnjë arsye për të ngatërruar gjërat që janë të qarta. Qytetarët duhet të zgjedhin mes politikës së vjetër dhe politikës së re, rrugës së vjetër dhe rrugës së re. Unë bie dakord që Berisha të largohet, por për ta bërë këtë duhet të votohet për Partinë Socialiste. Ilir Meta duhet t‘u bëjë apel njerëzve të votojnë për PS. Edhe vetë ai do të jepte një kontribut nëse do votonte për PS”. Sipas Ramës, 28 qershori nuk është beteja për të ndërruar një Kryeministër apo disa ministra me disa të tjerë, por për të

ndërruar një fletë të historisë. Rama tha se vetëm përmes politikës së re do të mund të ndërtohet vizioni i ri për Shqipërinë duke ndryshuar realitetin ku ne jetojmë. “Përmes turit nëpër Shqipëri kam bërë pjesë të realitetit tim, Shqipërinë reale që nuk lexohet përmes sondazheve, atë Shqipëri të mësuesve e mësueseve që kanë shumë për të treguar e për të sugjeruar”, deklaroi Rama. Më herët kandidati për Qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, deklaroi qëndrimin e selisë rozë për ftesën e Ilir Metës. “Ne e ftojmë Ilir Metën të japë kontributin e tij konkret në këtë drejtim, duke iu bashkuar apelit tonë që më 28 qershor të gjithë duhet të votojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33, sepse vetëm duke votuar për Partine Socialiste të Shqipërisë garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës”, tha Tahiri. Tahiri vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit janë historike për të ardhmen tonë të përbashkët, se janë zgjedhjet e ndryshimit, që do i japin çdo shqiptareje e shqiptari mundësi dhe shpresë për të ardhmen. Sipas tij, ndryshimi do të nisë duke mbyllur kapitullin e politikës së vjetër dhe hapur kapitullin e politikës së re. “Prandaj, duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë, se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste”, deklaroi Tahiri. Lëvizja Socialiste për Integrim përsëriti sërish ftesën për bashkim. Sekretari për marrëdhëniet me mediat në LSI, Luan Rama, theksoi këmbënguljen e kreut të kësaj partie për të zhvilluar takimin. “Asnjëherë nuk është vonë bashkimi për fitoren e së majtës dhe asnjëherë nuk është vonë bashkimi për të larguar Berishën”, tha ai. Në ftesën e kreut të LSI ishin renditur tri arsye për bashkimin, së pari bashkim për të mbrojtur votën e 28 qershorit, së dyti, ndërprerja e diversioneve brenda së majtës dhe së treti, dhënia e mesazhit të bashkimit tek elektorati i majtë.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login