Rama e Berisha rrëfehen te “Reuters”

by Andi Bega on 23/06/09 at 1:06 pm

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, premtoi për agjencinë “Reuters” një proces të ndershëm dhe të lirë zgjedhor. Ai shprehu optimizmin se në këto zgjedhje do të sigurohen të gjitha standardet e kërkuara. “Për mendimin tim këto zgjedhje do të kenë standardet ndërkombëtare, plotësisht të lira dhe të ndershme për aq sa varet nga qeveria. Qeveria do të bëjë më të mirën e mundshme”, shprehet Berisha. Ndërkohë, lideri i opozitës socialiste, Edi Rama, shprehu dyshimet se edhe kësaj here zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. “Nëse u referohemi raporteve të OSBE-ODIHR-it, Shqipëria ka bërë disi zgjedhje të lira e të ndershme, por nëse u referohemi standardeve të BE-së, Shqipëria kurrë nuk ka bërë zgjedhje të lira e të ndershme siç bëhen normalisht në BE. Shpresa e madhe ishte që t‘i kishim të tilla kësaj here, por nuk duket ashtu”, thotë Rama. Debati që nga plani i zgjedhjeve kalon më pas në planin postzgjedhor, ku secili zbulon edhe planet që secili prej tyre ka ndër mend të realizojë kur të vijë në pushtet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, (FMN). “Ia kam thënë FMN-së pse qeveritë hezitojnë të punojnë me ju. Edhe kur ne kemi pasur nevojë shumë të madhe… Së pari, kjo i bën bizneset të kenë frikë, është si një sëmundje… doktori vjen, jep diagnozën dhe kaq i ndihmon bizneset…”. Për sa u përket marrëdhënieve me FMN-në, Rama e konsideroi të gabuar qëndrimin e qeverisë “Berisha” ndaj këtij misioni. “Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për t‘u tërhequr nga programi i asistencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në këtë periudhë kemi absolutisht nevojë për ndihmë dhe praninë e FMN-së”, u shpreh Rama. Një votues demokrat në Himarë, Erjon Kondi, shpjegon për “Reuters” se përse do të votojë për Partinë Demokratike. Përkundrejt kësaj atmosfere, kronika jep pamjet shumëngjyrëshe të Tiranës, të konsideruara si arritje të kryebashkiakut Edi Rama, i cili në tryezën e tij të punës mban si udhërrëfyes librin e Presidentit amerikan Barak Obama.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login