Qershori, me shumë pak turistë kosovarë
by Andi Bega on 22/06/09 at 6:04 pm
Kukës, pushuesit nga Kosova po presin autostradën që të vijnë në bregdetin shqiptar
Ndryshe nga vitet e shkuara, fundi i qershorit të këtij viti ka shënuar një fluks mjaft modest të lëvizjes së kosovarëve që hyjnë në Shqipëri për pushime, kryesisht në brigjet e detit në Durrës, Vlorë, Velipojë, Sarandë. Atje ku ka një plazh dhe mundësi akomodimi. Duke iu referuar Drejtorisë së Policisë së Kufirit në Kukës del se gjatë 24 orëve të fundit, saktësisht me fillimin e dyjavorit të dytë të qershorit, në Doganën e Morinit në Kukës kanë hyrë rreth 450 persona, kryesisht kosovarë, ku mbi 90% e të cilëve kanë pasur qëllime turistike udhëtimi. Duke pasur parasysh edhe dy javët e para të muajit qershor, rezulton se ky muaj do të jetë me varfëri në këtë aspekt, në hyrjet e turistëve në Shqipëri, më i varfri në krejt dekadën e fundit.
Madje edhe në krahasim me muajt e dimrit kjo shifër tregon një rënie të menjëhershme të lëvizjes drejt Shqipërisë.
Inaugurimi i autostradës
Sipas agjencive kosovare të udhëtimeve turistike, qershori i sivjetshëm ka rënie të lëvizjes, por kjo s‘ka të bëjë me pritjen e inaugurimit të autostradës. Një nëpunës i agjencisë “Kosova tours” në Prizren tha se ka kërkesa të jashtëzakonshme për udhëtime në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut.
“Ka rreth 20 mijë kërkesa, për të cilat është krejt e pamundur të mbulohen me transport”, tha nëpunësi i agjencisë.
Një banor i Prizrenit pohoi se edhe sivjet nuk do të mungonte në plazhin e Sarandës dhe se po priste thjesht inaugurimin e autostradës. “Është shumë e lodhshme rruga e vjetër, sa herë që e kemi bërë, kemi pasur shqetësime shëndetësore”, u shpreh ai. Sportelet shtesë rrinë ende bosh
Mësohet se në Morin fluksi i lëvizjes se personave për qëllime turistike është shumë minimal. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar në këtë doganë kanë hyrë afërsisht mbi 5 mijë persona gjatë 24 orëve, kurse në ditët më të mira aty kanë hyrë deri në 11 mijë persona brenda një dite. Në Doganën e Morinit prej disa vitesh funksionojnë 6 sportele me personel të kualifikuar.
Udhëtarët paraqesin listën emërore të personave, ndërsa bëhet edhe kontrolli i specializuar i mjetit pa shkaktuar vonesa. Lëvizja e pushuesve kosovarë edhe sot ndodh më së shumti gjatë orëve të natës me rreth 10 autobusë dhe dhjetëra autovetura. Këtu dikur karvani kishte të paktën 80 apo 100 autobusë e qindra autovetura që merrnin udhëtimin e vështirë prej rreth 12 orësh. “Nisemi në orën 18.00 nga Prishtina dhe mbërrijmë të nesërmen në mëngjes në Tiranë”, tregon një drejtues mjeti që bën rrugën Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas. Sulejman Dida
Çmimi i udhëtimit
Agjencitë e udhëtimit kanë sinjalizuar jo vetëm shtimin e jashtëzakonshëm të fluksit të udhëtarëve në fillim të korrikut, por edhe reduktimin e çmimit të biletës. Nga 20 euro që kushton aktualisht një biletë nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas, për Gjakovë 15 euro, tani pritet të kushtojë vetëm 5 euro.
Ende nuk është zyrtarizuar ky çmim, por në mes operatorëve turistikë flitet se udhëtimi do të jetë më komod. Nga 12 orë rrugë koha do të reduktohet vetëm në 4 orë rrugë.
Leave a Comment