Pushime të vakëta në kohë zgjedhjesh dhe krize globale

by on 22/06/09 at 6:05 pm

Temperaturat i kalojnë 35 gradë Celsius. Plazhet e Golemit, Durrësit, Kavajës ende mbeten të boshatisura

Fushata elektorale, kriza globale dhe infrastruktura i kanë mbajtur larg plazheve pushuesit vendas dhe ata të huaj. Sezoni turistik i këtij viti konsiderohet një sezon i vakët nga operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit, Golemit dhe Kavajës, ndërsa fuqia shpenzuese e shërbimeve të ofruara prej tyre është e ulët edhe prej pushuesve ditorë. Çmimet janë të njëjta dhe në disa raste kanë pësuar edhe ulje për të joshur pushuesit e për t‘i përshtatur me nivelin e jetesës së tyre. Edhe pse temperaturat i kanë kaluar 35 gradë Celsius dhe dielli përvëlon, plazhet e godinat e akomodimit në bregdet janë thuajse të boshatisura, me pushues të paktë që janë kryesisht ditorë.

Gjallëria në këtë 10 ditësh të fundit të qershorit mbërrin vetëm në fundjavë, si rezultat i pushuesve që vijnë nga Tirana, Durrësi e zonat përreth. Fushata elektorale dhe rrëmuja e atmosferës së saj i ka mbajtur larg plazheve të Adriatikut turistët në këtë qershor të nxehtë. Sipas operatorëve turistikë, nuk janë vetëm pushuesit vendas, por edhe ata nga Kosova e Maqedonia që nuk e kanë frekuentuar plazhin këtë muaj. Numri i turistëve ka rënë ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, ndërsa operatorët turistikë shprehen të pakënaqur dhe për vazhdimin e sezonit. Njëri prej tyre, Beniamin Kapllani, e sheh këtë situatë të lidhur me zgjedhjet dhe ndikimin e tyre në turizëm.

“Ndryshe nga një vit më parë, në këtë muaj aktualisht nuk kemi fare pushues të ardhur nga trojet shqiptare përtej kufijve tanë, apo edhe pushues maqedonas. Ne kemi tre muaj që jemi bërë gati për të ofruar të gjitha shërbimet e mundshme dhe siguruar kushtet optimale për turistët, por dhomat janë bosh”, thotë Kapllani. Ai ndihet pesimist edhe për vazhdimin e sezonit, pasi kështu do të ikë edhe gjysma e muajit korrik me pritjen e rezultateve, ndërsa prenotimet mungojnë. Tregues të tjerë, që kjo verë do të jetë e vakët për turizmin dhe të ardhurat e siguruara prej tij. Ndërkohë që sezoni në Durrës nuk mund të jetë vetëm në tre muajt e verës, por të shtrihet që nga muaji maj deri në tetor, pasi janë muaj diellorë dhe me plot aktivitete e argëtim për pushime në bregdet. Mungesa e pushuesve shihet jo vetëm e lidhur me frikën për trazira, por edhe me angazhimin e shumë njerëzve në fushatë. “Kjo i mban ata larg plazhit, kënaqësisë së rërës e detit”, shprehet një tjetër operator, duke besuar se muaji në vazhdim do të jetë më pozitiv dhe njerëzit do t‘u kthehen plazheve.

Por edhe kriza ekonomike globale, infrastruktura rrugore dhe furnizimi me ujë të pijshëm shihen si shkaqe që i mbajnë larg pushuesit. Indrit Nuredini, një operator turistik, e sheh në mënyrë më komplekse dështimin e këtij sezoni, duke renditur edhe shkaqe të tjera, të cilat padyshim ndikojnë. Rritja e nivelit të papunësisë, apo ulja e pagave dhe punës edhe në vendet e Evropës Perëndimore, ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë e kosovarë, reflektohet në pushimet e tyre. Të ardhurat e emigrantëve kanë rënë ndjeshëm. Kriza ka prekur edhe shqiptarët dhe ky është i vetmi aspekt që shihet si një ogur i mbarë për turizmin vendas. Rënia e nivelit të shpenzimeve te pushuesit shqiptar për pushime jashtë vendit është një mundësi më shumë për t‘i mbajtur kursimet e shqiptarëve në vend.

“Kjo do të bëjë që mjaft prej tyre t‘i kalojnë pushimet në bregdetin tonë”, thotë Nuredini. Një tjetër faktor që dëmton sezonin është edhe rehabilitimi i rrugës Plepa-Rrogozhinë që kalon përgjatë zonës së plazhit. Trafiku i rënduar, mjetet e rënda, punimet dhe pluhuri në rrugë, mungesa e mbikalimeve të mbajnë larg plazhit. Problemi i furnizimit me ujë të pijshëm është një tjetër çështje e pazgjidhur për operatorët e Durrësit dhe ata të Shkëmbit të Kavajës, ndërsa në Golem situata është zgjidhur nga rezervuari i Manskurisë. Deri tani gjendja e krijuar duket se do e mbajë peng këtë sezon dhe fitimet e parashikuara prej tij, ndërkohë që shteti, taksapaguesit shqiptarë kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme në para për të promovuar turizmin e verës në kanale prestigjioze televizive europiane e botërore.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login