Pushime, bileta, rezervime, prenotime, më lirë me internet
by Andi Bega on 22/06/09 at 6:02 pm
Si të kursejmë duke paguar “online” bileta avioni, rezervime hotelesh, përfitime ofertash direkt
Në një kohë kur kriza globale është fjala më e përdorur dhe mendimi i parë në kokën e secilit prej nesh, që në mesin e qershorit kanë nisur shqyrtimet e alternativave për pushime verore,duke vendosur në punë “motorët” e kërkimit, mund të gjejmë rrugë shpëtimi… Kjo si për të kursyer para, ashtu edhe për t‘u bërë pjesë e teknologjisë, zhvillimit dhe evoluimit të metodave kërkuese e shërbimeve që në jetën e përditshme i kërkojmë në agjenci turistike, agjenci udhëtimi, apo në degët e filiale të kompanive të ndryshme ajrore, apo turistike.
Vitet e fundit, në aeroportet e vendeve të ndryshme perëndimore, në stacionet e trenit, janë të vendosura aparatura, makina elektronike nga të cilat mund të bësh biletën vetë, pa shkuar në biletari apo pranë degëve ku ofrohet shërbimi i biletave, rezervime apo prenotime për data të caktuara.
Ndërsa në Shqipëri të tilla teknologji ende nuk janë pjesë e shërbimeve publike, ajo që mund të bëjmë për të kursyer para nga xhepat tanë janë rezervimet me internet.
Çdo kompani ajrore, hotel, apo kompani detare udhëtimi, tashmë ka një adresë zyrtare në internet. Aty ofrohet edhe shërbimi direkt në linjë, informacion, bileta “online”, blerje të këtyre shërbimeve jo vetëm për javën, apo për muajin ku ndodhemi, por për të gjithë vitin. Për një biletë mund të kursejmë nga 20-35 euro më shumë. Për rezervime të hotelit mund të kursejmë shumë më shumë. Bileta avioni, trageti, dhoma hoteli, të gjitha këto mund t‘i paguajmë në internet, duke kursyer disa para dhe duke ulur shpenzimet. Për ta bërë një gjë të tillë na nevojitet vetëm një llogari bankare, një kartë krediti me të cilën mund të blejmë në mënyrë “ndërkombëtare”, nëpërmjet të dhënave personale, të cilat janë kryesore për këto blerje. Nëse e keni për herë të parë, mirë është të kërkoni asistencën e një personi që ka informacion, apo ka provuar dhe ka përvojë në komunikimet në internet. Menjëherë sapo të mësoheni me idenë, do të futeni në botën virtuale, duke iu përshtatur në këtë mënyrë metodave alternative të teknologjisë, por më e rëndësishmja duke kursyer më shumë para, të cilat mund të kursehen për shpenzime të tjera.
Për çdo të papritur, në të dhënat personale, gjatë blerjes së biletës kompania mban shënim edhe një numër telefoni, që në rast pezullimi të fluturimit, apo probleme të tjera rutinë, të njoftohet klienti dhe në të njëjtën kohë të marrë të njëjtin rimbursim, si edhe ai që e ka prerë biletën nëpërmjet agjencisë së udhëtimeve.
Leave a Comment