Problemet ekonomike, vetëvaret 38-vjeçari
by Andi Bega on 10/06/09 at 2:48 pm
Problemet ekonomike kanë çuar në vetëvrasje një burrë 38-vjeçar, baba të katër fëmijëve. Borxhet e shumta kanë bërë që burri të zgjedhë litarin për t‘u dhënë fund halleve. Kanë qenë familjarët e tij që e kanë gjetur të varur me litar në një pemë që ndodhej në oborrin e shtëpisë, në fshatin Rrapëz të Komunës Kolonjë të Rrethit Lushnjë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në orën 07:00 të mëngjesit të djeshëm, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë u sinjalizua se është gjetur i vetëvarur Fatmir Halili, i lindur në fshatin Zavalin të Elbasanit dhe që prej vitesh banonte në fshatin Rrapëz, në Lushnjë. Gruaja dhe një prej vajzave e kanë gjetur 38-vjeçarin të varur me litar në një pemë rrapi që ndodhet në oborrin e shtëpisë. Ato i janë afruar për t‘i dhënë ndihmën e parë, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi burri kishte ndërruar jetë. Më pas nënë e bijë kanë kërkuar ndihmën e të afërmve, të cilët e kanë hequr viktimën nga litari. Policia ka mbërritur rreth 40 minuta më vonë në fshatin Rrapëz. Policia mësohet se ka marrë trupin e 38-vjeçarit dhe e ka dërguar për në morgun e spitalit të Lushnjës. Ekspertët mjekoligjorë nuk kanë gjetur shenja dhune në trupin e tij. Po ashtu, rreth mesditës viktimës i është kryer autopsia, e cila ka treguar se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga varja në litar. Policia ka siguruar dëshmitë e para në vendin e ngjarjes dhe mësohet se bashkëshortja dhe fëmijët e viktimës, por edhe të afërm të tjerë, kanë treguar se Fatmiri ditët e fundit kishte shfaqur shenja nervozizmi, por asnjëherë depresion të rëndë dhe shqetësues. Gruaja ka thënë se ai udhëtonte herë pas here për në Greqi, ku punonte me sezone për të siguruar të ardhura për të mbajtur familjen, por asnjëherë nuk kishte mundur t‘u jepte fund borxheve që merrte për të ushqyer katër fëmijët. Kohët e fundit Fatmir Halili ishte i papunë dhe nuk kishte mundur të udhëtonte drejt Greqisë. Ndoshta presioni për borxhet mund ta ketë shtytur drejt këtij vendimi. Provat e vetme që ka gjetur policia në vendin e ngjarjes janë një litar me të cilin ai ka kryer vetëvarjen, si dhe një bllok betoni mbi të cilin ka hipur për t‘ju afruar lakut.
Leave a Comment