Policia bllokon përgatitjet për mitingun e PS, Islami: Ndërhyrja me urdhër politik
by Andi Bega on 25/06/09 at 10:56 pm
Partia Socialiste denoncon bllokimin e punimeve për mitingun e nesërm nga ana e policisë. Dhjetëra forca policore nuk lejojnë ngritjen e skenës së mitingut përpara selisë së Kryeministrisë me pretendimin se leja për ngritjen e saj është dhënë për datën 26 qershor. Sipas përfaqësuesve të selisë rozë, ky është presion i qeverisë për të mos lejuar mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste. Islami: Ky është incidenti i radhë si fushatës, policia ndërhyri me urdhër politik. Gjoni: Qeveria po njollos policinë duke e përdorur atë. Policia anulon lejen e PS, vendos kufij për mitingun.
TIRANE-
Policia anulon lejen e PS, vendos kufij për mitingun
Ora: 22:17- Policia ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Partia Socialiste për zhvillimin e mitingut përpara kryeministrisë me pretendimin se për shkak të mitingut të PD në të njëjtën orë është e pamundur ruajtja e rendit nga ana e policisë.
“Nisur nga njoftimi i datës 17 qershor i Partisë Socialsite dhe me qënë se në këtë njoftim nuk saktësohej vendi i vendosjes së tribunës, me datë 24.06.2009, Drejtori i Policise Qarkut Tirane ka kërkuar takim me krytarin e Partisë Socialiste për Tiranën, Zotin Besnik Bare, të cilit i është kërkuar saktësimi me shkrim i vendit të vendosjes së tribunës. Gjithashtu i është sugjeruar që për shkak edhe të mitingut përmbyllës që do të zhvillojë Partia Demokratike në sheshin “Skenderbej”, mitingu i Partisë Socialiste të zhvillohej në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pas kryqezimit të këtij bulevardi me rrugën Ismail Qemali, me qëllim formimin e një distance të domosdoshme për policinë që të bëjë të mundur menaxhimin e të dy mitingjeve” thuhet në deklaratën e policisë.
Gjoni: Qeveria po njollos policinë duke e përdorur atë
Ora: 21:13- Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni thekson se përfaqësuesit dhe simpatizantë të PS-së do të vazhdojnë të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” deri sa të vendoset platforma për mitingun e mbrëmjes së nesërme. Gjoni bën të ditur se vetë ambasadori Bosch ka qënë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe shtë informuar për incidentin e sotëm.
“Kemi bërë njoftimin zyrtar për mitingun, sic e kërkon ligji. Na vjen keq që qeveria në ikje përdor në mënyrë të padenjë policinë dhe e njollos atë duke e përdorur. Kjo është një betejë e humbur për Sali Berishën” theksoi Gjoni për “News24”.
Ndërkohë mësohet se situata është e qetë dhe nuk ka ndëryrje nga ana e policisë për të prishur dy skelat e ngritura gjatë orëve të pasdites. Në vendngjarje ka edhe forca të policisë bashkiake.
Islami: Ky është incidenti i radhë si fushatës, policia ndërhyri me urdhër politik
Ora: 20:02- Gazetarë të News24 informojnë nga vendi i ngjarjes se me anë të një furgoni të policisë është marrë një pjesë e mirë e bazës materiale për ngritjen e skenës së Partisë Socialsite për mitingun e nesërm në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Në vendngjarje ka mbërritur edhe zv.drejtori i policisë së Tiranës i cili është përfshirë në një konfrontim verbal me anëtarin e kryesisë së PS-së, Fatmir Xhafaj. Vocaj ka këmbëngulur se platforma duhet të ngrihet nesër, ndërsa Xhafaj ka ritheksuar se PS do të ruajë skelat gjatë gjithë natës.
Përmes një interviste në “News24”, Kastriot Islami ka bërë një përmbledhje të situatës së incidentit, duke theksuar se gjithçka është bërë në zbatim me ligjin.
“Partia Socialiste ka bërë kërkesë në datën 17 për të bërë manifestimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Policia duhet të jepte vërejtjet e saj brenda 24 orëve nga data e depozitimit të kërkesës dhe nuk e bëri këtë gjë. Arsyetimet e sotme janë të papranueshme. Forat e policisë kanë filluar të kërcënojnë punëtorët dhe arsyeja është politike, ata kanë marrë një urdhër politik, vetë policët shpehen se janë viktima” theksoi Islami.
Sipas Islamit, kjo ngjarje ka cenuar ndjeshëm imazhin e policisë duke theksuar se “policia e vendit është diskredituar në nivelin e shefave të saj”.
“Urdhëri poltik dëmton imazhin e Shqipërisë si vend i NATO-s. Policia ndërhyn me urdhër politik të fuqishëm. Urdhëri politik vjen nga kryeministri Berish. Ministri Nishani nuk u përgjigjet telefonatave tona” u shpreh Islami për News24.
Partia Socialiste e konsideron incidentin e sotëm si incidentin e radhës të kësaj fushatë të tensionuar. “Shënohet një incident tjetër në këtë klime të tensionuar, duke filluar nga vrasja e deputetit Xhindi deri tek vrasja e kreut të PDK në Malësine e Madhe”.
Përfaqësues të ODIHR interesohen për incidentin
Ora: 19:19- Deri në këto momente polica nuk ka përdorur asnjë ndërhyrje fizike për të larguar punonjësit, ndërkohë që forcat policore në vendngjarje vazhdojnë të shtohen nga momenti në moment. Mësohet se përplasjet kanë nisur prej rreth një ore dhe oficerët e policisë janë munduar disa herë të futen në skenë për të penguar ndërimin e saj.
Përfaqësuesit e ODIHR janë interesuar për incidentin duke kontaktuar me përfaqësues të PS-së dhe disa prej tyre kanë mberritur në vendngjarje.
Policia bllokon përgatitjet për mitingun e Partisë Socialiste
Ora: 19:03- Policia bllokon përgatitjet për mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste ditën e nesërme. Dhjetëra forca policore nuk lejojnë ngritjen e skenës së mitingut përpara selisë së Kryeministrisë. Partia Socialiste denoncon skandalin si presion të qeverisë për të mos lejuar mitingun ndërsa policia pretendon se skela për mitingun duhet të ngrihet vetëm gjatë ditës së nesërme. Sipas PS-së leja për ngritjen e skenës është marrë që në datën 17 qershor dhe theksojnë se veprimet e policisë janë përpjekje për të bllokuar pregatitjet e mitingut përmbyllës të socialsitëve , mbrëmjen e nesërme.
Mësohet se në vendngjarje ka patur debate të shumta mes forcave të policisë dhe anëtarëve të Partisë Socialsite të cilët janë detyruar të dnërpresin punimet për ngritjen e skelës. Sipas policisë leja për fillimin e pregatitjeve për mitingun e madh përmbyllës të fushatës është dhënë për në datën 26 qershor.
Ndërkaq në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku është planifikuar mitingu i Partisë Socialsite kanë mbërritur shumë përfaqësues të selisë rozë.
Përfaqësuseit e PS-së kanë bërë të ditur se policia ka ushtruar presion ndaj punonjësve të ngritjes së skelave duke i kërcënuar se do të shoqërohen në komisariat nëse nuk zbatojnë urdhërin.
Leave a Comment