Një ditë pas inaugurimit, mbyllet materniteti
by Andi Bega on 22/06/09 at 6:07 pm
Kryeministri dhe ministrja përurojnë qendrën shëndetësore, të nesërmen nuk ofrohej shërbim
Materniteti i Durrësit i mbyllur edhe pas përurimit në prani të Kryeministrit Sali Berisha dhe ministres së Shëndetësisë, Godo. Edhe pse u përurua katër ditë më parë, materniteti i ri, pjesë e kompleksit spitalor rajonal të Durrësit vazhdon t‘i mbajë të mbyllura dyert për gratë shtatzëna dhe të gjitha nënat e reja. Jehona e të qarave të para të foshnjave nuk është dëgjuar, pasi në godinën e re e cila duhet të ishte vënë në funksionim që para dy vjetësh mungojnë pajisjet dhe shtretërit. Përurimi ishte një aktivitet elektoral, pasi burime spitalore bëjnë të ditur se ai nuk do të mund të vihet në funksionim as gjatë kësaj vere. Punimet e brendshme të maternitetit nuk janë mbyllur akoma, ndërsa zyra kryeministrore deklaroi menjëherë pas përurimit se “me një investim prej 11 milionë dollarësh është realizuar jo vetëm ndërtimi i ambienteve të brendshme të standardeve moderne, por edhe kompletimi i tij me pajisje mjekësore dhe aparatura bashkëkohore për diagnostikim dhe trajtim, në standarde Europiane”. Ndërkaq, godina e re paraqet disa probleme që do të krijojnë vështirësi me vënien e saj në përdorim. Sipas mjekëve specialistë, salla e lindjes është ndërtuar në katin e katërt të godinës, pa pasur parasysh faktin se shumë gra mund të vijnë në spital në momentin e fundit para lindjes dhe kjo sallë duhet të jetë sa më e afërt në mënyrë që ndihma të jepet në kohën e duhur për nënat dhe bebet që do vijnë në jetë. Salla operatore ka mangësi që duhet të diskutohen edhe një herë. Kjo duke nisur nga hapësira e saj, ku mungon dhe ambienti i pastrimit të mjekëve para hyrjes në sallë, duke rënë në kundërshtim me kushtet e kërkuara të higjienës në një spital. Ambienti është zëvendësuar nga një lavaman. Në spitalin e lindjes është vendosur edhe konsultori i nënës dhe i fëmijës duke çuar në një centralizim të këtij shërbimi që shikohet si më efikas kur është i shpërndarë në qytet.
Leave a Comment