“Ne do të marrim pjesë vetëm në një qeveri të majtë”

by on 08/06/09 at 10:48 pm

Kandidati i LSI-së, Pëllumb Xhufi

Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, është ndër të parët në listën e kësaj partie në Tiranë. Xhufi tregon sesi do të jenë aleancat paszgjedhore.

Z. Xhufi, cilat janë objektivat me të cilat LSI-ja përfshihet në këtë konkurrim elektoral?

Forca jonë politike paraqitet me shumë ambicie në këto zgjedhje, e bindur se do të luajë një rol themelor në zgjedhje, qoftë për sa i përket ruajtjes se integritetit të tyre, qoftë sa i përket edhe rezultateve të këtyre zgjedhjeve. LSI-ja do të jetë forca garante, e cila do të sigurojë qeverisjen e nesërme të majtë dhe progresiste dhe si e tillë do të luftojë që të përçojë në qeverisjen e paszgjedhjeve ato politika që reflektojnë interesat e vendit, pra LSI-ja pretendon ta kthejë politikën në funksionin e saj primordial, që është ai i shërbimit ndaj njerëzve. Ne kemi një program, i cili është vlerësuar tashmë nga opinioni, i hartuar me seriozitetin më të madh në muaj e muaj punë ekspertësh të brendshëm dhe të jashtëm, një program i cili reflekton prioritetet kryesore dhe shqetësimet kryesore.

Ju keni deklaruar se LSI-ja është e gatshme për koalicion paszgjedhor me PS-në. Cilat janë kushtet për të ndodhur diçka e tillë?

Ne nuk kemi vënë asnjë kusht, ne kemi deklaruar diçka që bën pjesë në ADN tonë, në pozicionimin tonë, në spektrin politik shqiptar, pra në do të marrim pjesë në një qeverisje të majtë dhe progresiste dhe në këtë kuptim, socialistët janë aleati ynë i natyrshëm. Natyrisht që historia jonë me PS-në, që nga momenti kur u krijua LSI-ja e deri më sot, nuk kanë qenë marrëdhënie të thjeshta, janë marrëdhënie të karakterizuara veçanërisht në këto dy vitet e fundit nga debate dhe përplasje të cilat për sa i përket LSI-së janë debate që ne i kemi bërë jo për interesat egoiste të lëvizjes sonë, por për interesa të mëdha, i kemi bërë në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të institucioneve, në mbrojtje të zgjedhjeve. Megjithatë ne kemi për objektiv rrëzimin e qeverisë “Berisha”, qeveri e ngarkuar me shumë mëkate, mes të tjerash edhe me mëkatin origjinal të saj, të prishjes së zgjedhjeve dhe këtë po e bën deri në minutën e fundit. Ne po luftojmë ta ruajmë këtë integritet të zgjedhjeve, po bëjmë presion jo vetëm mbi qeverinë, por edhe mbi PS-në që të ulen në tryezë të gjejnë një zgjidhje, e cila do të miratohet pa kushte nga LSI-ja, e cila është e gatshme, nëse thirret, të marrë pjesë dhe të ofrojë kontributin e saj për të gjetur një zgjidhje, sepse nesër do të jetë vonë.

Z. Meta deklaroi se i takon atij përgjegjësia për të formuar qeverinë e ardhshme. Përballë një kandidati të shpallur për Kryeministër si Rama a rrezikohet të krijohet një situatë ngërçi paszgjedhor, edhe në rast se e majta është para së djathtës?

Ne jemi plotësisht konform rregullave të lojës. Ne kemi hyrë në një garë zgjedhore, ku forcat e vërteta politike, forcat serioze politike, natyrisht hyjnë në garë për të fituar. Ne hyjmë në garë për të fituar, jo thjesht se kemi një ambicie të tillë, por se jemi një parti e cila është renditur e treta në disa zgjedhje. Ne luftojmë për të fituar, për të nxjerrë Kryeministrin, në rast se kjo nuk do të realizohet, gjë që është mundshme, kemi deklaruar se do të marrim pjesë në një qeveri të majtë që do dalë nga këto zgjedhje dhe z.Meta ka deklaruar se Kryeministri i vendit do jetë ai që do të zgjedhin qytetarët shqiptarë.

A keni një pritshmëri tuajën për rezultatin e zgjedhjeve në kryeqytet, pra si do të ndahen 32 mandatet mes kampeve?

Unë nuk mund të spekuloj me parashikime, nuk është në profesionin tim. Megjithatë mund të them se ne kemi kërkesat e mëdha për Tiranën e konsiderojmë epiqendrën e LSI-së. Ne kemi planin tonë maksimalist, që është të fitojmë 32 deputetë, nëse nuk e arrijmë këtë, kemi një plan më të moderuar, pastaj të arrijmë minimumin 10 deputetë.

A keni ndonjë vlerësim për kundërshtarët tuaj politikë në kryeqytet, si i shikoni ata?

Unë i respektoj të gjithë kandidatët e forcave të tjera politike, gjithsesi kam një gjykim timin ndaj dy kategorive politikanësh, që janë edhe në garë, që i shoh edhe në garë. Gjykoj shumë negativisht ata politikanë të tipit dhe me histori të vjetër, që ripërtypin sloganet e krerëve të tyre, për të ashtuquajtur politikë të re, sikur kishin gojën të mbushur me harapash. Gjykoj negativisht dhe një rrezik do të thosha për vendin ata politikanë të gjeneratës së re, të cilët janë në gjendje të prodhojnë vetëm folklor politik, të cilët janë të privuar ndaj çdo lloj skrupulli, ndaj çdo lloj ndjenje politike, ndaj vendit, ndaj publikut, ata politikanë të cilët kanë lindur me para të cilat nuk dihet se nga vijnë, nuk njohin realitetin shqiptar dhe të cilat bëhen më pas vektorët e politikave të mbrapshta dhe akteve të mbrapshta. Këta lloj politikanësh të rinj qofshin dhe me diploma të huaja, i konsideroj një rrezik serioz për politikën shqiptare dhe do të doja t‘i shihja sa më shpejt jashtë politikës shqiptare. Do të doja që në këto zgjedhje, shqiptarët kësaj kategorie t‘u jepnin një mësim të mirë.

Pëllumb Xhufi

- Është diplomuar në Universitetin e Romës “La Sapienza” në degën e Letrave Klasike, në vitin 1977, pasi kishte mbaruar në Tiranë Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja për latinisht dhe greqishte të vjetër.

- Në vitin 1997 hyn në Ministrinë e Jashtme, ku mbulon detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale dhe të zëvendësministrit të Jashtëm.

- Ka qenë ambasador në Itali, jep dorëheqjen, duke iu bashkuar LSI

- Deputet i LSI-së, aktualisht zëvendëskryetar i LSI-së

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login