Kreditë e pashlyera, Përmbarimi merr në dorë 450 kërkesa për sekuestrime
by Andi Bega on 10/06/09 at 2:45 pm
Deri tani janë ekzekutuar vendimet për 80 kreditorë të ATK-së dhe 70 të bankave private
Rreth 450 vendime të formës së prerë për mosshlyerje të kredive bankare janë paraqitur për ekzekutim në zyrën e Përmbarimit të Beratit. Ndërkohë, Zyra e Përmbarimit në Berat pohon se ka bërë kallëzime penale në prokurorinë e këtij rrethi për kreditorë “të pabindur”. Sipas tyre, gjatë katërmujorit të parë të këtij viti janë paditur dy kredimarrës të mëdhenj: ish-Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë, e cila i detyrohet bankës së shtetit shqiptar mbi 500 milionë lekë dhe një subjekt privat në Berat, që u detyrohet bankave të nivelit të dytë rreth 130 milionë lekë.
Burime nga Zyra e Përmbarimit në Berat thanë dje për gazetën se që nga fillimi i vitit 2009, pranë kësaj zyre janë paraqitur për ekzekutim rreth 450 vendime, nga të cilat rreth 150 çështje janë ekzekutuar. Po këto burime shpjeguan se, me gjithë punën e mirë që është bërë deri tani, kanë mbetur pa u ekzekutuar 300 vendime të formës së prerë, të dhëna për debitorë kredish, të marra qysh nga viti 1993. Burimet sqarojnë se, deri në fund të muajit prill të këtij vitit, janë ekzekutuar rreth 80 çështje të tilla, që i përkasin Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), ku në vend të traktorëve e mjeteve të tjera bujqësore janë sekuestruar pasuri të paluajtshme: si toka bujqësore, hangar, shtëpi, dyqane e objekte biznesi. Ndërsa janë ekzekutuar 70 vendime gjyqësore për kredi të kthyera të bankave private, që e thënë me gjuhën e shifrave janë rreth 600 milionë lekë, për të cilat janë sekuestruar: dy banesa, dy dyqane, një magazinë, 10 ha tokë bujqësore etj., të cilat janë shitur me ankand. Por, burimet e Zyrës së Përmbarimit në Berat thonë se ende kanë mbetur pa u ekzekutuar çështje gjyqësore që u përkasin borxheve të vështira, të mbetura që para vitit 1997, të cilat i janë adresuar ATK-së për t‘u kujdesur për kthimin e tyre. Me gjithë lehtësirat ligjore që janë krijuar për debitorët, për të mundësuar kthimin e tyre, si zgjatja e afateve të shlyerjes, ulja ose heqja e interesit bankar etj., përsëri ka vështirësi në kthimin e këtyre borxheve. Burimet sqaruan se mbeten edhe mbi 1 miliard lekë kredi të pashlyera. Përmbaruesit thonë se vështirësia më e madhe për mbledhjen e këtij borxhi është fakti se shumica e kredimarrësve janë banorë të zonave të largëta rurale të qarkut dhe me të ardhura minimale një pjesë kanë emigruar dhe nuk kanë adresa të njohura.
Leave a Comment