Kandidatët shqiptarë përplasen për rolin e FMN
by Andi Bega on 10/06/09 at 2:06 pm
Berisha: FMN shkakton pakënaqësi! Rama: Do të kërkoj ndihmë
Kryeministri shqiptar, i cili po shpreson të rizgjidhet më 28 qershor, tha të martën se çdo paketë ndihme për disiplinë financiare mund të shkaktojë pakënaqësi, por udhëheqësi i opozitës tha se nëse fiton, do të kërkojë menjëherë ndihmën e fondit.
Në intervista të ndara të martën, Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, patën mendime të ndryshme mbi gjendjen aktuale të ekonomisë dhe nevojës për Fondin Monetar Ndërkombëtar në muajt në vijim.
“I kam thënë shumë miqve të mi dhe kolegëve se nuk kam dëshirë të punoj me ta. Pse‘ – pyeti Berisha. “Ai i tremb njerëzit e biznesit; nuk është e shëndetshme për biznesin”.
“Çdo program me FMN-në mund të nxisë pakënaqësi shoqërore”.
Vendi me të shkuar prej komunizmi stalinist ka shijuar rritje të fortë ekonomike në vitet e fundit dhe ka rënë pak më poshtë se 5 për qind rritje vetëm në një rast në një dekadë. Megjithatë, vendi gjendet nën presion për shkak se eksportet po bien, emigrantët po sjellin më pak para, ndërsa probleme të tjera të ekonomisë botërore po e godasin edhe atë.
“Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për të dalë nga programi i asistencës së FMN-së, për shkak se në këto kohë nuk kemi nevojë absolute për ndihmën dhe praninë e FMN-së”, tha Edi Rama për Reuters.
Kryebashkiaku tha se ai do të fillojë bisedimet me FMN-në menjëherë nëse ai del fitues këtë muaj në atë që sondazhet kanë treguar se është një garë e fortë për drejtimin e vendit në të ardhmen.
“Mund të them se është prioriteti ynë absolut të rihapim negociatat me FMN-në”, – u shpreh Rama.
Shqipëria nuk e rinovoi marrëveshjen e mëparshme me FMN-në këtë vit dhe qeveria “Berisha” i ka injoruar sugjerimet e FMN-së për të mos rritur pagat dhe pensionet nga 1 maji.
Mes fqinjëve ish-komunistë të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Bosnja kanë negociuar sakaq me FMN-në për kredi, ndërsa Maqedonia dhe Mali i Zi po e shqyrtojnë një mundësi të tillë. Kosova, ku shqiptarët përbëjnë mazhorancë, iu bashkua së fundmi FMN-së.
Disa zyrtarë ndërkombëtarë dhe shqiptarë parashikojnë që vendi do të zhvillojë bisedime me FMN-në, pavarësisht se kush do të jetë rezultati i zgjedhjeve.
“FMN do të vijë, ne do të shohim se çfarë marrëveshjeje do të jetë”, tha një zyrtar shqiptar që nuk deshi të citohej. “Ne kemi nevojë për FMN-në për besueshmëri, statistika dhe reforma strukturore”.
Parashikimi shumë optimist i Kryeministrit
Berisha, një ish-kardiolog që u zgjodh Kryeministër në 2005, tha se ekonomia shqiptare po rritet tashmë me 4 për qind, megjithëse tha se nuk i dihet se si mund të vijnë punët pas përfundimit të sezonit turistik që është shumë i rëndësishëm.
FMN vlerëson se rritja për vitin 2009 do të jetë 0.4 deri në 0.5 për qind, megjithëse disa ekonomistë të huaj mendojnë se zero është rritja ekonomike sipas skenarit më optimist, duke parë presionin nga kriza ekonomike botërore. Kreu i opozitës Rama nuk pranoi të japë një parashikim.
Disa zyrtarë ndërkombëtarë shohin gjithashtu se Shqipëria mund të ketë një deficit buxhetor prej 6 për qind të PBB-së aktualisht, ndërkohë që Berisha tha se deficiti nuk do të jetë më i lartë se 4.1 për qind.
“Nuk do të rritet më shumë,” tha ai. “Unë i mbaj premtimet.”
Kriza financiare botërore ka goditur gjithashtu vlerën e lekut, duke e ulur atë me rreth 5 për qind në muajt e fundit kundrejt euros pas një periudhe të gjatë stabiliteti.
“Kjo nuk më shqetëson mua fare,” tha Berisha. Kërkesa turistike “këtë verë do ta forcojë monedhën tonë.”
Për të krijuar para pa iu kthyer FMN-së, Shqipëria lajmëroi se mori një kredi sindikale prej 250 milionë eurosh nga Alpha Bank e Greqisë dhe Deutsche Bank me interes Euribor plus 9.65 për qind.
“Kjo është një kohë krize dhe interesat ndikohen nga kriza,” tha kryeministri në zyrën e tij, ndërsa qe ulur pranë flamujve të Shqipërisë, BE-së dhe NATO-s.
Leave a Comment