Gratë në politikë, takohen në Porto Romano
by Andi Bega on 22/06/09 at 6:58 pm
Kandidatet gra për deputete në Durrës, përballë grave të zonave informale dhe problemeve të tyre. Ditën e djeshme u organizua në zonën periferike të Porto Romanos një takim me kandidatet për deputete Eglantina Bekteshi e PD-së, Ingrid Shuli e PSD-së, Lili Golemi e PSV-së dhe Afërdita Plepi e PDS-së. Të pranishëm në këtë takim ballafaques programesh dhe alternativash ishin edhe përfaqësues të OSBE-së dhe ODIHR-it, të cilët vëzhguan nga afër problematikat e kësaj zone. Problemi i punësimit, mungesa e një shkolle të mesme profesionale në zonë, problemet në furnizimin me ujë të pijshëm, vlefta e transportit urban për nxënësit e shkollës që vijnë nga familje të varfra, si dhe ndihma sociale për fëmijët jetimë dhe invalidë qenë disa nga çështjet e ngritura gjatë takimit për të cilat votueset gra presin zgjidhje. Ngritja e shërbimeve sociale për fëmijët, kryesisht krijimi i një qendre ditore me një vakt të ngrëni të përfshirë u propozua nga komuniteti si një ndihmë për të zbutur sadopak varfërinë e familjeve të kësaj zone tejet problematike. Kandidatet për deputete prezantuan programin e partive përkatëse e në mënyrë të veçantë programin rajonal të fokusuar te respektimi i të drejtave të grave dhe shërbimet sociale ndaj tyre dhe më pas iu përgjigjën pyetjeve.
Leave a Comment