Dy shqiptarë, akuzohen si vrasës me pagesë
by Andi Bega on 10/06/09 at 2:28 pm
Dy shqiptarë kanë dalë përpara gjyqit në Londër, pasi janë paguar për një vrasje që ka ndodhur në mars të vitit 2000. Ylli Xhelo, 36 vjeç, të cilit i është mohuar kërkesa për azil, dhe Robert Baxhija, 29 vjeç, banues në Palmers Grin në Londër, janë akuzuar se kanë punuar si vrasës me pagesë për një biznesmen qipriot grek, për të vrarë një qytetar në Britaninë e Madhe. Biznesmeni Thanos Papaleksis, 36 vjeç, merrej me ndërtim. Ai urdhëroi dy shqiptarët të vrisnin Karalambos Kristodoulides, 55 vjeç, i cili nuk pranoi të dilte nga shtëpia, me vlerë 2 milionë sterlina, ku ai jetonte në veri të Londrës, të cilën Papaleksis po përpiqej ta shiste. Papaleksis kishte frikë se kontrata do prishej dhe atij i duheshin paratë për të bërë një tjetër ndërtim. Trupi i 55-vjeçarit u gjet në mars të vitit 2000, në kompleksin ku jetonte në Kilburn. Autoritetet thonë se viktima ishte i lidhur në karrige, ishte torturuar dhe mbytur, akte për të cilat akuzohen dy shqiptarët. Autoritetet gjetën gjurmët e gishtërinjve të shqiptarëve mbi trupin e kufomës. Si shqiptarët ashtu edhe biznesmeni qipriot i kanë mohuar akuzat. Gjykata e Old Baily do të marrë vendim për tre të akuzuarit.
Leave a Comment