Droga në Turqi, alibia e nënkomisarit

by on 10/06/09 at 2:35 pm

Oficeri i policisë shqiptare mori leje për vizitë mjekësore në Stamboll. Prençi: Hetime edhe në Shqipëri

Nënkomisari i policisë i arrestuar me drogë në Turqi, bashkë me dy bashkatdhetarë, kishte marrë leje me alibinë se do të shkonte jashtë shtetit për të kryer një vizitë mjekësore. Kjo është konfirmuar dje nga kreu i policisë shqiptare, Ahmet Prençi, i cili deklaroi se menjëherë pas marrjes së informacionit për kapjen e Altin Murrës, ai kishte firmosur lirimin e tij nga detyra. Më tej, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shtoi se po mbahen kontakte me policinë turke për vijueshmërinë e këtij operacioni. “Punonjësi i policisë është shkarkuar menjëherë, pasi kam kontaktuar me drejtorin e policisë së Stambollit. Ne po punojmë ngushtësisht për të hetuar lidhur me trafikun e lëndëve narkotike”, u shpreh Prençi. Më tej, u shpjegua se, Altin Murra, i diplomuar në Akademinë e Policisë në Turqi u prangos së bashku me dy shtetas të tjerë, njëri shofer i maunes ku ishte fshehur droga dhe tjetri biznesmen. “Oficeri kishte marrë lejen e zakonshme për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi”, sqaroi Prençi. Ndërkaq, hetimet kanë vijuar për këtë rast edhe në Shqipëri. Sipas grupit hetimor, dyshohet se ka persona të tjerë shqiptarë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Policia nuk ka dhënë detaje nëse personat e tjerë të përfshirë në trafik droge janë punonjës policie, por ka shpjeguar se Murra dyshohet se shfrytëzonte lidhjet e tij për të kaluar drogën në kufi. Nga ana tjetër, hetimet kanë vijuar në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Dje, një grup pune i SHKB-së, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Disiplinës në Policinë e Shtetit kanë shkuar në Rinas dhe kanë verifikuar gjithë dosjen personale të nënkomisarit Murra. Aty është verifikuar çdo lëvizje e tij, si dhe janë kontrolluar të gjitha mundësitë bashkëpunuese të tij me oficerë të tjerë të Drejtorisë Rajonale të Tiranës për Kufirin. Por, hetimet janë shtrirë edhe në pikën kufitare me Maqedoninë, në Qafë-Thanë, pasi aty mendohet se do kalonte droga dhe se çdo veprim ishte planifikuar më parë.
Dy ditë më parë, nga policia shqiptare është konfirmuar se është kapur në Stamboll me një sasi të konsiderueshme droge oficeri i policisë, Altin Murra. Fillimisht, burime nga policia bënë të ditur se janë kapur në Stamboll tre persona duke transportuar me maune, një sasi të konsiderueshme droge. Më pas, u mësua se të arrestuarit e tjerë, veç oficerit të Rinasit, janë Burhan Markeci nga Dibra, 39 vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35 vjeç. Ndalimi është bërë pas përgjimeve telefonike nga policia turke ndërsa nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera për shkak të verifikimeve. Sipas të dhënave hetimore, në qytetin e Stambollit, në pjesën aziatike është ndaluar një maune mallrash, që drejtohej nga shoferi Burhan Markeci. Aty është ushtruar kontroll nga forcat e antidrogës turke, pasi kishin informacion se në të fshihej heroinë. Kështu, brenda saj është gjetur një sasi e konsiderueshme heroine, por policia turke nuk ka dhënë detaje në lidhje me këtë. Ende nuk dihet se cili ka qenë pozicioni i oficerit të policisë shqiptare, por ka dyshime të forta se ai do ndihmonte në kalimin e lëndës narkotike në pikat kufitare. Vetëm një muaj më parë, sekretari i dytë i Ambasadës Shqiptare në Shkup u kap me 65 kilogramë heroine. Agim Ajet Haxhiu u kap me sasinë e drogës që kapte shifrën e 650 mijë eurove në një makinë me targa diplomatike në Stamboll, në datën 2 maj. Kjo nuk është hera e parë që punonjës të ambasadave shqiptare kapen me pluhurin e bardhë, duke u “fshehur” pas targave diplomatike.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login