Agjenti gjerman i infiltruar zbuloi drogën nga Shqipëria në Gjermani
by Andi Bega on 10/06/09 at 2:28 pm
Prokuroria dërgon në gjykatë Gazmend Hasajn, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës
Një agjent gjerman i infiltruar zbuloi rrjetin e trafikut të drogës nga Shqipëria në Gjermani. Prokuroria e Krimeve të Rënda në vendin tonë ka mbyllur hetimet për Gazmend Sulajn, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, i cili erdhi në Shqipëri një vit më parë, porositi lëndën narkotike dhe më pas e priti atë në Gjermani. Lënda narkotike iu ble të pandehurit Gazmend Hasaj dhe u transportua në Gjermani në itinerarin: Shqipëri-Mali i Zi-Kroaci-Austri-Gjermani. Korrieri që çoi drogën në Europën Qendrore ishte Edis Muja. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përgjimet telefonike dhe pamjet filmike janë dy provat e forta. Mësohet se Hasaj është filmuar duke ngarkuar me pakot e hashashit rulotën që kishte sjellë agjenti gjerman në Shqipëri. Sasia e drogës është lënë të kalojë në Gjermani dhe sapo ka mbërritur në destinacion është arrestuar Edis Muja. Në Shqipëri i janë vënë prangat dhe organizatorit të rrjetit të këtij trafiku, Gaz Hasaj. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të identifikuar pjesëtarët e rrjetit kriminal që merrej me trafikun e drogës, është punuar me metodat speciale të hetimit. Madje policia gjermane kishte infiltruar një agjent të saj, i cili hiqej si trafikant me qëllim që të blinte “mallin” dhe të kishte në dorë provën për të provuar akuzat ndaj të implikuarve. “Agjenti i policisë është njohur fillimisht në Gjermani me Edis Mujën, i cili i ka premtuar se në Shqipëri kishte heroinë dhe mund ta furnizonte. Në fillim të muajit korrik në vitin 2008, i infiltruari i policisë gjermane ka mbërritur në Shqipëri së bashku me Mujën dhe kur ka parë ngarkesën, ka konstatuar se bëhej fjalë për hashash”, thuhet në dosje. Agjenti gjerman është rikthyer në Shqipëri, por këtë herë i pajisur me një rulotë, ku të mund të ngarkonte me lehtësi pakot e kanabisit. Edis Muja dhe Gazmend Hasaj, në kohën kur kanë ngarkuar hashashin në makinë, janë filmuar nga policia. Sipas aktakuzës, mbi Hasajn rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe është cilësuar si kapo i rrjetit të trafikut nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Leave a Comment