Presidenti Topi niset nesër në Kroaci, takon Mesic
by Mimoza A on 19/05/09 at 12:50 pm
TIRANE- Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, do të niset nesër për një vizitë zyrtare treditore në Kroaci, me ftesë të Presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiç.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, Presidenti i Republikës do të pritet dhe do të zhvillojë bisedime me autoritetet më të larta kroate, Presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebic, si dhe Kryeministrin e Kroacisë Dr. Ivo Sanader.
Takimet dypalëshe të Presidentit me këto autoritete të larta si dhe mes delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok mes Shqipërisë dhe Kroacisë në kuadër të partneritetit si aleatë me të drejta të plota në NATO, të aspiratës integruese të dy vendeve tona për në Bashkimin Evropian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.
Në programin e vizitës zyrtare të Kryetarit të Shtetit në Kroaci përfshihet gjithashtu vizita e Presidentit Topi në Dhomën Kroate të Tregtisë, ku do të përshëndesë dhe hapjen e Forumit Ekonomik. Po ashtu, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi do të zhvillojnë një takim dhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton në Kroaci.
Leave a Comment