Aspirina “zbulon” vrasësin e deputetit
by Andi Bega on 06/05/09 at 12:52 pm
Roskoveci ka rënë sërish në heshtje. Banorët i janë rikthyer aktivitetit të tyre të përditshëm. Vetëm në rrugën pranë shtëpisë së deputetit Fatmir Xhindi dallon grupe njerëzish, të cilët kryejnë vizita te të afërmit e tij. Ngushëllimet për vdekjen e Xhindit janë zhvendosur tashmë nga banesa e të vëllait, Ilirit, që ishin një ditë më parë, në banesën e vetë deputetit, që ndodhet vetëm pak metra më tutje. Prej portës kryesore ku u ekzekutua Xhindi është fshirë gjaku i dy ditëve të shkuara. Në katin e parë, në një kthinë të godinës, dallohen këpucët e hedhura pa kujdes. Vëllezërit, nipërit dhe kushërinjtë e deputetit presin e përcjellin njerëzit e shumtë që vijnë për vizitë. Mes hidhërimit të tregojnë shkallët për t‘u ngjitur në katin e dytë, ku priten njerëzit. I përlotur, vëllai i madh i deputetit, Ladi thotë se “Në media është shkruar se Miri u vra për pronat, po çfarë pronash kishim ne të zinjtë?! Punonim vetëm për të jetuar. Shikoni shtëpitë tona në ç‘gjendje janë dhe gjykoni më pas”. Pas tij, ndërhyjnë edhe nipërit e Fatmir Xhindit që thonë se “shteti mund të nxjerrë çdo lloj motivi, por ne presim gjetjen e autorëve”. Vëllai tjetër, Sybiu, që deri tre vjet më parë ka punuar pranë degës së tatim-taksave në Fier thekson se konflikti për pronat nuk ekziston.
“Është abuzim të nxjerrësh si motiv konfliktin për pronën. Nuk kemi asnjë pronë përveç ullishtave dhe dy aktiviteteve të vogla, një farmaci, si dhe një pikë që pret siguracione për makina. Shteti dhe autoritetet hetimore nëse janë të bindura për pronën le të deklarojnë hapur, por një fakt i tillë nuk ekziston. Ne në fshatin e lindjes, në Kurjan, kemi pak hektarë me ullishta, që i punojmë me krahë të gjithë si vëllezër. Kurse dy aktivitetet e tjera i kemi për bukën e gojës”, tha për gazetën “Shqip” Sybi Xhindi, vëllai i deputetit të vrarë. Më tej, ai i ka bërë thirrje prokurorisë dhe instancave më të larta shtetërore për zbardhjen e ngjarjes. “Jetojmë në vitin 2009 dhe jo në Mesjetë. Shteti le të gjejë autorët sa më shpejt. Ne besojmë te shteti, ai është i madh dhe i fortë. Le të gjejë shkakun dhe autorët”, tha Sybiu. Vëllezërit deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë konflikt me askënd në zonë. Shkaku i vrasjes për ta është ende një enigmë. Pyetjes nëse ka ardhur policia për t‘i marrë në pyetje, vëllezërit e Fatmir Xhindit i përgjigjen se vetëm pak dëshmi kanë dhënë paraditen e së hënës, si dhe ditën e ekzekutimit. Sybiu, në fakt, nuk ka qenë në Shqipëri, pasi ai ka ardhur një orë para varrimit nga Italia, por thotë se vëllezërit e tjerë, si dhe bashkëshortet e tyre kanë treguar për policinë çfarë kishin parë dhe dëgjuar mbrëmjen e së shtunës. Prej tij mësojmë se ditën e fundit të jetës, të shtunën, Fatmir Xhindi ashtu si edhe ditët e tjera, është larguar shumë herët nga banesa e tij. Gjatë ditës, ai ka komunikuar në telefon me bashkëshorten dhe vëllezërit. Nga ana tjetër, burime nga grupi i posaçëm hetimor që është ngritur për këtë çështje pohojnë për “Shqip” se deklaratat e hollësishme të familjarëve do të merren pak ditë më pas. Burime të tjera policore thonë se familja dhe të afërmit e Fatmir Xhindit kanë një rol të madh në zbardhjen përfundimtare të kësaj ngjarjeje.
Thellohen hetimet, policia dhe
prokuroria kthehen në vendngjarje
Puna përqendrohet në Roskovec dhe në fshatin Kurjan
Kanë vijuar me intensitet hetimet për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Policia dhe ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë kthyer e rikthyer disa herë gjatë 24 orëve të fundit në qytezën e Roskovecit dhe në fshatin Kurjan, ku deputeti i vrarë ka qëndruar orët e fundit të jetës së tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe dy prokurorët e Krimeve të Rënda nuk janë larguar as të hënën nga Fieri. Ata kanë ndjekur nga afër të gjitha veprimet hetimore. Pasi kanë pritur një ditë më parë (të dielën) që të kryhej ceremonia mortore e 49-vjeçarit Xhindi, në mbrëmje, rreth orës 21:00 mësohet se pjesëtarë të grupit hetimor kanë komunikuar me disa nga familjarët: bashkëshorten, vëllezërit dhe nipërit e deputetit të vrarë. Ata janë pyetur jo vetëm për rrethanat e vrasjes së Fatmirit, por edhe për ndonjë pistë të mundshme ku mund të përqendrohej hetimi. Ndërkohë, rreth mesnatës të së dielës, duke aguar e hëna, dy automjete policore, ku ndodheshin kreu i Policisë së Shtetit, prokurorët e Krimeve të Rënda dhe drejtues të policisë lokale, kanë dalë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut ku po kryhen të gjitha konsultat e hetimit dhe kanë shkuar në Roskovec. Nuk bëhet e ditur se kë kanë marrë në pyetje krerët e grupit hetimor të ngjarjes në fjalë, por ajo që konfirmohet nga burime të sigurta për gazetën “Shqip”, është fakti se tashmë pistat e hetimit janë ngushtuar së tepërmi. Mëngjesin e së hënës, grupi i hetimit është mbledhur në një lokal pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit dhe ka bërë një analizë të detajuar të të gjitha informacioneve dhe provave të siguruara. Gjithashtu, gjatë ditës së hënë ka vijuar marrja e dëshmive. Gjashtë persona të tjerë mësohet se janë shoqëruar për t‘u pyetur dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Prej tyre policia ka marrë dëshmi dhe deklarata lidhur me lëvizjet e ditëve të fundit të deputetit. Dëshmitarët e së hënës kanë qenë të njohur dhe pjesëtarë të fisit të deputetit të vrarë. Numri i dëshmitarëve që nga mbrëmja e së shtunës deri pasditen e së hënës shkon në 31. Po paraditen e së hënës, policia ka shqyrtuar edhe një herë skenën e vrasjes së Fatmir Xhindit. Hetimet kanë shkuar deri në krahasimin e kësaj skene me vrasje të tjera të ndodhura në Fier, si dhe në zonën e Roskovecit. Konfirmohet se për të realizuar këtë krahasim janë nxjerrë dy dosje të vjetra që konsiderohen prej policisë si ngjarje ende të pazbardhura. Forca të shumta policore qëndrojnë ende në qendër të qytezës së Roskovecit. Ato drejtohen në terren nga kreu i komisariatit, Latif Kulla, i cili nuk është larguar për asnjë moment nga Roskoveci që nga mbrëmja e së shtunës. Ndërkohë, me dhjetëra policë kanë “krehur” lagjen ku banonte familja e deputetit Fatmir Xhindi për sigurimin e ndonjë gjurme apo prove më shumë. Po ashtu, që nga mbrëmja e së shtunës deri mesditën e së hënës, janë kontrolluar të gjithë përrenjtë, një kënetë, si dhe grykat kodrinore të zonës, me qëllim gjetjen e armës automatike me të cilën është shtënë mbi deputetin e PS-së. Por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë. Mendohet se ekzekutori, pas vrasjes së Fatmir Xhindit ka kaluar në një rrugë qorre të lagjes. Dikur kjo rrugë të shpinte në varrezat e Roskovecit, por ndërtimet e viteve të fundit kanë ndryshuar destinacionin e saj. Nëse autori ka marrë këtë drejtim, atëherë duhet të ketë pasur njohuri të mira të zonës, pasi në lagjen ku jetonte Fatmir Xhindi vetëm banorët e saj mund të dinë shtigjet e kalimit. Makina e tipit “Kia” që ishte pronë e Fatmir Xhindit është vendosur përpara godinës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Të hënën ajo është kontrolluar imtësisht. I janë hequr të katër gomat dhe janë kontrolluar. Nuk bëhet e ditur pse është kryer ky kontroll në makinën e deputetit, por burimet policore thonë se po kërkojnë gjurmë më shumë edhe te mjeti që u dëmtua në xhamin e pasmë gjatë ekzekutimit të së shtunës mbrëma. Prokuroria e Fierit ka qenë pjesëtare në hetimet e kësaj ngjarjeje vetëm në momentet e para. Sipas prokurorit, Altin Binaj konfirmohet se veprimet e para janë ndjekur nga Prokuroria e Fierit dhe që prej së shtunës çështja u ka kaluar dy prokurorëve të krimeve të rënda që të vijojnë më tej hetimet.
Ekzekutimi me
nëntë plumba në
derë të shtëpisë
Fatmir Xhindi, deputet i tri legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë u vra mbrëmjen e së shtunës së 2 majit 2009, në derën e shtëpisë së tij në qytetin e Roskovecit. Fatmiri 49-vjeçar, baba i tre djemve, u qëllua nga pas shpine me automatik kallashnikov, sapo kishte zbritur nga makina e tij tip “KIA”. Vrasësi zbrazi 12 plumba në drejtim të deputetit, nëntë prej të cilëve e prekën atë në trup, në kokë dhe në gjymtyrë. Deputeti ndërroi jetë pa mbërritur në spitalin e Fierit, ku e çuan me makinën e tij të afërmit.
Aspirinat afrojnë policinë
te vrasësi i deputetit
Zbulohet një i dyshuar, i cili kishte fërkime me Xhindët
Policia mund të jetë fare pranë identifikimit dhe kapjes së autorit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Lajmi mësohet nga burime pranë grupit hetimor, i cili është duke shqyrtuar të gjitha informacionet e siguruara gjatë 48 orëve të hetimeve intensive. Forcat e policisë janë fare pranë arrestimit të autorit të dyshuar, si atentatori i deputetit socialist. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, mësohet se pakoja e aspirinave, e gjetur si provë në vendngjarje, ka qenë pikënisja e zbardhjes dhe identifikimit të autorit. Mësohet se tashmë policia ka një emër konkret dhe ka shkuar në banesën e personit të dyshuar për ta ndaluar, por familjarët kanë pohuar se që nga dita e vrasjes së deputetit të PS-së, ai nuk ndodhet në shtëpi. Ndërkohë mësohet se policia është vënë në kërkim të tij dhe uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në banesat e të afërmve të personit të dyshuar, si dhe në të gjitha vendet ku mendohet se ai mund të jetë strehuar. Postblloqet policore janë shtuar sërish në Roskovec dhe në rrugët kombëtare Roskovec-Berat dhe Roskovec-Fier. Emri dhe mosha e autorit të dyshuar mbahet sekret për shkak të hetimit. Burime konfidenciale nga grupi i hetimit pohojnë për gazetën “Shqip” se “kyçi” i hetimeve ka qenë pakoja e aspirinave që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mbrëmjen e së shtunës. Mësohet se janë marrë në pyetje të gjithë punonjësit e farmacive që ndodhen në Roskovec. Farmacistët kanë deklaruar për punonjësit e policisë emrat e të gjithë personave që javën e fundit kishin blerë medikamente dhe veçanërisht aspirina. Pasi janë marrë emrat e pothuajse të gjithë personave që kanë blerë medikamente, policia ka bërë “sitjen” e tyre, nëse ata kanë pasur lidhje me deputetin e vrarë Fatmir Xhindi apo jo. Nga ballafaqimi, grupi hetimor ka dalë tek emri i një personi, për të cilin thuhet se është i moshës së mesme, banor i Roskovecit dhe që ka pasur probleme pronësie me deputetin Fatmir Xhindi, për një magazinë që ndodhet në fshatin Kurjan e që është në pronësi të Fatmir Xhindit. Prej shumë vitesh pretendohej se ndërtesa i takonte familjes së personit të dyshuar. Burimet jozyrtare njoftojnë gjithashtu se pas marrjes së këtij informacioni, grupe policore janë nisur për të bërë ndalimin e personit në fjalë, por nuk e kanë gjetur atë. Ky është versioni më i fundit që ka dalë nga persona pranë grupit të hetimit mbrëmjen e së hënës, por që gjithsesi mbetet informacion jozyrtar, pasi asnjë nga anëtarët e grupit të hetimit nuk pranon në mënyrë kategorike të japë informacione për ecurinë e deritanishme të punës për zbardhjen e ngjarjes.
Ajo që nuk ka nevojë për konfirmim, është fakti që në Roskovec ka pasur dje një shtim të dukshëm të forcave policore dhe lëvizje të shumta të tyre në të gjithë zonën. Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Fierit, nga ku drejtohen të gjitha veprimet për këtë rast, ka pasur mbledhje të njëpasnjëshme me oficerë të lartë të policisë, të cilët kanë lëvizur gjatë gjithë ditës nga Roskoveci në Fier dhe anasjelltas.
Vizita
Nishani takon në Fier
anëtarët e grupit hetimor
Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, ka kryer dje një vizitë të shkurtër në qytetin e Fierit. Nishani ka shkuar menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ku është instaluar përkohësisht edhe zyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi. Ministri ka zhvilluar një takim për rreth 20 minuta me personat që janë ngarkuar me hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Pasi është njohur me ecurinë e hetimeve, mësohet se Nishani ka kërkuar përkushtim maksimal për zbulimin sa më parë të autorit dhe motiveve të ngjarjes. Mësohet se ministri u ka bërë të qartë zyrtarëve të lartë të policisë që janë angazhuar me çështjen, se asnjë prej tyre nuk do të kthehet në Tiranë pa u arritur në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara drejtësisë të njeriut, apo njerëzve që vranë përfaqësuesin e popullit.
“Xhindi”, hetohet për konflikt personal
Rrëzohen dyshimet për vrasje politike dhe çështje pronësie. Kryeprokurorja shton grupin hetimor
Krimet e Rënda ngushtojnë rrethin për personat e dyshuar si ekzekutorët e mundshëm të deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Gjatë 48 orëve nga ngjarja, grupi hetimor ka verifikuar dy pistat e para hetimore, si vrasja për shkak të cilësive të veçanta dhe konflikti i pronësisë. Për të parën, hetuesit kanë marrë të dhëna nga familjarë dhe kolegë të Xhindit, ku nuk ka rezultuar asnjë konflikt apo e dhënë që mund të hidhte dritë mbi këtë fakt. Burime nga Krimet e Rënda deklaruan se dëshmitarët dhe provat e lëna në vendngjarje nuk i përmbushin elementet që vrasja të fokusohet në këtë pistë, pasi Xhindi njihej si njeri me reputacion të lartë në zonë dhe ishte zgjedhur tri herë deputet në Qarkun e Fierit. Hetuesit kanë verifikuar edhe konfliktin e pronësisë të deputetit në fshatin Kurjan. Fillimisht u morën të dhëna mbi punën e tij si kryetar i Komunës së Kurjanit në vitin 1992-1996, ku gjatë kësaj kohe janë ndarë pronat në Shqipëri në bazë të ligjit 7501. Edhe në këtë rast hetuesit nuk kanë gjetur asnjë element që mund t‘i përshtatej ngjarjes, pasi Xhindi, gjatë detyrës si kryetar komune, nuk ka pasur konflikt, por vetëm disa pakënaqësi të vogla, të cilat kanë qenë normale. Sipas hetuesve të çështjes, për këtë fakt janë marrë në pyetje edhe familjarët e deputetit, të cilët kanë hedhur poshtë versionin. Ata deklarojnë se nëse do të kishte konflikte të tilla ekzekutimi nuk do të kishte ndodhur në derën e shtëpisë, por në një vend më pak të populluar, si për shembull pronat e familjes në fshatin Kurjan.
Konflikt personat
Pista e vetme ku është fokusuar grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka qenë konflikti personal i deputetit me persona të njohur të tij. Në këtë rast është marrë në konsideratë mënyra e ekzekutimit dhe largimi i autorit. Hetuesit dyshojnë se personat që mund të kenë qëlluar Xhindin kanë qenë të zonës, pasi njihnin mjaft mirë lëvizjet e tij, orën kur kthehej në shtëpi dhe rrugët për t‘i shpëtuar policisë. Kjo, sipas hetuesve, mund të realizohej vetëm nga një person i zonës, pasi njerëz që nuk banojnë në atë zonë e kanë të vështirë të orientohen. Në periferi të qytezës së Roskovecit, në jug të tij, janë disa moçale, ndërsa në pjesën veriore janë disa kodra që e bëjnë terrenin pak të thyer dhe pa rrugëdalje. E vetmja mundësi shpëtimi për autorët ka qenë rruga nacionale Fier-Berat. Por autorët mund të kenë shfrytëzuar edhe rrugën për në qytezën e Patosit që të çon në Ballsh dhe më pas në Gjirokastër e Kakavijë. Përpos itinerarit të mundshëm të autorit, hetuesit janë munduar të fokusojnë elemente të vlefshme për hetimin në vendngjarje. Është arritur të evidentohet se 49-vjeçari është qëlluar fillimisht nga një largësi dhe më pas autorët, për t‘u bindur se kanë përmbushur misionin, janë afruar dhe kanë qëlluar përsëri. Kjo për disa sekonda dhe më pas janë larguar.
Grupi hetimor
Kryeprokurorja Ina Rama, pas një takimi me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka vendosur që grupit hetimor t‘u shtohen edhe dy prokurorë me përvojë. Ata janë Ardian Nezha, i cili arriti të zbardhë vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës, dhe Besnik Muçi, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, tashmë prokuror te Krimet e Rënda. Prokurorët kanë filluar menjëherë punën së bashku me prokurorin Adnan Xholi dhe hetuesit e policisë, që kanë këqyrur vendin e ngjarjes. Ajo që po hetohet tashmë është konflikti personal, ndërsa pista që ka rënë ka qenë ajo e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta. Tashmë grupi hetimor i vrasjes është dyfishuar, pasi edhe ekspertët e policisë janë dyfishuar, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
PISTA NË VERIFIKIM
Konflikti personal
Pista e vetme ku është fokusuar grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka qenë konflikti personal i deputetit me persona të njohur të tij. Në këtë rast janë marrë në konsideratë mënyra e ekzekutimit dhe largimi i autorit. Dyshohet se autorët janë nga zona
PISTAT E VERIFIKUARA
Pronësia
U morën të dhëna mbi punën e tij si kryetar i Komunës së Kurjanit në vitin 1992-1996. Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë element që mund t‘i përshtatej ngjarjes, pasi Xhindi, gjatë detyrës si kryetar komune, nuk ka pasur konflikt, por vetëm disa pakënaqësi të vogla
Posti
Gjatë 48 orëve të fundit, grupi hetimor ka verifikuar vrasjen për shkak të cilësive të veçanta. Hetuesit kanë marrë të dhëna nga familjarë dhe kolegë të Xhindit, ku nuk ka rezultuar asnjë konflikt apo e dhënë që mund të hidhte dritë mbi këtë fakt. /Shqip/
Leave a Comment