VIZAT E 1 PRILLIT

by Andi Bega on 02/04/09 at 8:24 pm

Shqiptarët u gdhinë vigjilentë, si më çdo 1 Prill. Nuk besoj të ketë popull më të stërvitur me instinktin e gënjeshtrës e në po të njëjtën kohë me atë të mbrojtjes ndaj saj në këtë ditë që shënon zyrtarisht “festën” e këtij vesi të poshtër. 1 Prilli është ditë shumë e dashur dhe për kompanitë celulare, pas asaj të natës së Vitit të Ri për nga piku i mesazheve dhe telefonatave të rrejshme, kryesisht miqësore e pa zarar, që pa kaluar kohë ndiqen nga ato të shpjegimeve e të të qeshurave të po të njëjtit lloj. 1 Prilli i vitit 2009 shënon, seriozisht, edhe ditën historike të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Nëse për të parën skeptikët e moskokëçarësit do të nënqeshin çdo 1 Prill, kjo e dyta, pas shumë shpjegimesh komplekse, do të ngulitet vetëm në rreshtat e historikut të marrëdhënieve Shqipëri-BE.

Por, nëse ka një kategori njerëzish për të cilët 1 Prilli nuk është hiç i dashur, konsiderohet ditë ters e pa pikë produktiviteti, madje po ta kishin në dorë do ta kishin shpallur ditë pushimi të plotë 24-orëshe për sojin e tyre, këta janë politikanët. Gënjeshtrat e tyre të mefshta, të papërgjegjshme e me zarar vetëm më 1 Prill nuk ngjisin. Një tjetër kategori që e ka shumë zët këtë ditë në Shqipëri janë gazetarët, të cilët “me kushtetutë profesioni” në vend që t‘u rrinë larg politikanëve, si “djalli nga temjani”, ata iu ngjiten e iu përpëliten në atë formë sa populli s‘di më të dallojë kush bën politikë e kush mbush gazeta e televizione në atë farë feje sa po të kishte një gojë të vetme më 1 Prill do ju bërtiste: boll më, sot 24 orë pushim dhe për sojin tuaj.

Një gjë e tillë nuk ka si të ndodhë, prandaj mu më 1 Prill shqiptarët do të lexonin në një pjesë të mirë të gazetave, të cilat mbushnin faqet me lajmet e televizioneve, që ua vidhnin agjencive që i kopjonin nga ato të huaja, në një përzierje të lojës telefoni i prishur me atë që në Shqipëri mund të quhet tashmë me plot gojën gazetari nga kolltuku (ose sitting journalism), se Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oli Ren, na paskësh thënë në Bruksel se në muajin qershor BE-ja do ju heqë vizat shqiptarëve.

Po mos t‘ia kishin vënë në gojë Renit, duke e shkruar të zezë mbi të bardhë për faqe të zezë, e për më shumë e gjitha kjo, e përsëris, mu më 1 Prill, ndoshta ata shqiptarë të shkretë e të vuajtur që i blejnë ende gazetat, por edhe ato që ua lexojnë nëpër televizione që pa zbardhur dita do e kishin ngrënë kallëp si sapunin për djathë e s‘do kishin bërë vara-vingo vështrimesh nga data te titujt, e nga titujt te data, para se t‘ju shpërthente ndonjë psherëtimë e dalë nga thellë gjoksit.

Jo për gjë, por pikërisht kjo puna e vizave është çështja më e ndjeshme, a më e kapshme, e me të vërtetë më e dëshiruara, jo si hyrja në NATO që nga koha e Skënderbeut, por edhe më e rëndësishme sot e përditë për të gjitha ato familje shqiptarësh të ndarë e të kuturisur në katër anët e botës që i djeg malli për fëmijë e prindër, për motra e vëllezër, kushërinj e farefis, apo qoftë edhe për të shpëlarë sytë me atë botë e ato vende që e bëjnë NATO-n të ketë ato vlera që do na mbijnë në Shqipëri me të futur këmbën më 1 Prill.

E pra, edhe vetë Komisioneri Ren, që në Bruksel e quajnë jo më kot “Komisioneri përsëritës”, se s‘di të dalë ndonjëherë nga rreshtat që lexon pa u lodhur për ato vende që duan vite të ndryshojnë, sa herë ia nis muhabetit të vizave e nis me fjalët: “Për këtë çështje kaq të ndjeshme e kaq të rëndësishme për popujt e Ballkanit”.

Që vizat nuk do u hiqen shqiptarëve në qershor, vetëm kur kujtohesh i trembur se edhe sot ke harruar të aplikosh për kartë identiteti për të votuar më 28 të atij muaji, kjo s‘do mend e as ka nevojë për sqarime politiko-shkencore që s‘mund të ndodhë.

Jo se “neve shqiptarëve na kanë inat, e se serbët i duan më shumë”, se kanë qejf apo inat Berishën, se duan t‘i bëjnë dëm këtij e kështu t‘i bëjnë qejfin e të mbështesin Ramën, jo mor jo. Për dallim prej kafeneve shqiptare, kjo BE-ja më së pari ka ca rregulla që edhe Komisioneri Ren po ta bëjë dhëmbin naaa e të kërcejë në tavan s‘del dot një ditë të thotë që për vendet më të përparuara të rajonit mund të realizohet nga fundi i vitit 2009 e nesër t‘ia shkrepë e të thotë, ndërrova mendje e në qershor ju hiqen të gjithëve, me gjithë shqiptarët.

Ai i ziu, që në vend që shqiptarët e gjithë ballkanasit ta trajtojnë e respektojnë vetëm për atë detyrë që ka, sa herë çel gojën e kapin, e këpusin në mes, e shtrydhin dhe e ndrydhin, e artikulojnë si t‘i dojë qejfi gazetës filan, që është mike e fistek politikani e si t‘ia dojë zemra televizionit fistek, që i mban anën filan politikani.

Një ditë para 1 Prillit, Ren mbushi 47 vjeç mu në sallën e Parlamentit Evropian, ku fliste e djersinte, pasi kishte folur e djersitur në 8 të mëngjesit në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel, e para se të fliste e djersinte atë pasdite po në Parlament në komisionin për Turqinë. Në dy djersitjet e para, përsëriti të njëjtën gjë, që e kishte përsëritur tri ditë para Gymnichit, por edhe ditën e takimit të ministrave të Jashtëm në Hubloka të Çekisë: “Pas misioneve të ekspertëve do të formulohet një raport që do të vlerësojë sa të mira e të sigurta i kanë pasaportat biometrike, kufijtë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ligjet për azilin e emigracionin shqiptarët, maqedonasit, serbët, malazezët e boshnjakët. Mandej, në bazë të këtij raporti 27 vendet anëtare të BE-së do vlerësojnë se kush e kalon klasën e kush jo (e sigurt për këtë është përmendur vetëm Maqedonia). Nga qershori, komisioni do të rekomandojë heqjen e vizave për fituesit e garës dhe se vetëm për këto të fundit mendon se është e realizueshme (por jo e sigurt) se i gjithë procesi derisa të hyjë në fuqi vendimi mund të mbyllet brenda vitit. Ndërsa për ngelësit Ren tha e përsëriti se do të duhet të presin deri kur këta t‘i bindin ministrat më të vështirë evropianë, ato 27 të brendshmit, se i plotësojnë të gjitha kushtet e sigurisë që të mos kërcënojnë e rrezikojnë qytetarët e BE-së”.

Në një ditë me lajmin historik të anëtarësimit në NATO e me atë që shqiptarët e thjeshtë s‘do e kuptojnë kurrë, të hyrjes në fuqi të MSA-së, lajmi i rrejshëm për heqjen e vizave në qershor bëhet dy herë i rrejshëm për shkak të 1 Prillit. Por, edhe tri herë i rrejshëm e pikëllues nëse Tirana nuk arrin të plotësojë kushtet dhe përfshihet në grupin e ngelësve. Askush nuk e uron e as dëshiron një gjë të tillë, por në të njëjtën kohë askush nuk thotë që e kundërta është e vërtetë, aq më pak Ren, përveç atyre që i besojnë me të vërtetë lajmit të papërgjegjshëm të 1 Prillit për çështjen e vizave. Për shqiptarët e thjeshtë, e jo për gazetarët që e kanë braktisur me kohë rregullin e konfirmimit të lajmit nga disa burime e që keqpërdorin me ose padashje profesionin e tyre, e as për politikanët që zgjedhjet po u errësojnë sytë gjithnjë e më shumë, në lidhjen më poshtë ju ftoj të dëgjoni me sytë e veshët tuaj ç‘tha Reni, e të siguroheni se vizat nuk liberalizohen në qershor, si edhe se të paktën ai nuk ju gënjeu me 31 mars, e as që emri i tij nuk ka lidhje me rrenat gazetareske të 1 Prillit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login