Privatizimin e OSSH-së po e shohim me kujdes
by Andi Bega on 02/04/09 at 8:05 pm
Kontrata e kalimit të aksioneve nga shteti te CEZ i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për 102 milionë euro, ka mbërritur në zyrën e kryetares Lati. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës u shpreh për “Shqip” se në fokus për marrjen e vendimit nuk do të jetë pozicioni i një kompanie private në tregun energjetik, lidhur me tarifat e energjisë elektrike, por raporti që kompania çeke duhet të ketë me Entin Rregullator të Energjisë Elektrike. Drejtimi i OSSH-së nga një kompani private nuk rrezikon përqendrim të tregut, pasi aktualisht ai funksionon si i tillë. Tarifat i vendos ERE dhe CEZ nuk mund të diktojë tregun. Ajo që ne do të shqyrtojmë është raporti mes ERE dhe CEZ”, tha Lati, duke siguruar se vendimi do të merret shumë shpejt. Pas miratimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, i takon Kuvendit të Shqipërisë të aprovojë kontratën e shitjes së OSSH-së, nga ku priten debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës. Aktualisht, marrëveshja me CEZ mbetet ende në fazën e negociatave, që priten të mbyllen një muaj para zgjedhjeve. Bilanci financiar dhe roli i ERE-s janë dy pikat kyçe të negociatave.
Leave a Comment