“Pay Tv”, prokuroria: Mbi 1000 raste abuzimi të dokumentuara

by Andi Bega on 20/04/09 at 7:47 pm

Zgjerohet hetimi për ndërhyrjet në platformat dixhitale. Ekspertët zbresin në terren. Provat e reja

Sokol Çobo, Bledi Gilaj

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën e ndërhyrjeve të sofistikuara në platformat dixhitale televizive në Shqipëri. Prokurori i çështjes, Erion Pano, tha për gazetën “Shqip” se hetimet për këtë grup kishin filluar katër muaj më parë, në bazë të denoncimeve të të dëmtuarave. Gjatë kësaj periudhe, hetuesit e çështjes kanë urdhëruar agjentët e policisë që të kryejnë vëzhgime, ndërsa nga ana tjetër janë kryer të gjitha përgjimet e nevojshme, duke zbardhur mënyrën e funksionimit dhe prangosjen e 16 personave, të cilët dyshohen se kanë arritur të ndërhyjnë në platformat dixhitale, duke u shkaktuar këtyre të fundit qindra milionë lekë humbje. Prokuroria deklaron se do të paraqesë në Gjykatën e Tiranës, gjatë masës së sigurisë për të ndaluarit, aktakuzën e plotë, me të gjitha provat e mbledhura në terren, ky synohet që të implikuarit të qëndrojnë në burg, pasi, nëse “lirohen”, mund të paraqesin rrezik për hetuesit e çështjes në fshirjen e provave të dosjes. Megjithatë, prokurori Erion Pano, deklaroi dje se në mesin e të ndaluarve ka edhe inxhinierë me përvojë. “Akuza që rëndon ndaj 16 të arrestuarve është ‘mashtrime nëpërmjet internetit‘, e bazuar në nenin 143/b të Kodit Penal. Kjo është një vepër penale e re, që ka hyrë në fillim të këtij viti në legjislacionin shqiptar. Natyrisht që nuk ka precedentë të mëparshëm, por prokuroria po bashkëpunon me policinë për dokumentimin e të gjithë veprimtarisë kriminale të të ndaluarve. Kemi prova që i implikojnë, por hetimet e mëvonshme do të zbardhin të gjithë mënyrën e veprimit”, tha prokurori Pano.

Abuzimi me “Pay Tv”

Prokuroria dhe policia e kryeqytetit, që kanë bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Shtetit, deklarojnë se kanë dokumentuar rreth 1000 raste të abuzimit me këtë skemë. “Janë rreth njëmijë raste të dokumentuara që janë shitur ‘Dream Box‘. Fillimisht, personat e ndaluar shisnin aparatin ‘Dream Box‘, që i mbanin në dyqanet e tyre. Më pas, në momentin që klientët vinin në punë këto aparate në shtëpi dhe e lidhnin me internetin, të arrestuarit kontaktonin me ta nëpërmjet numrit të telefonit dhe i tregonin procedurat për të hyrë në linjën e tyre. Më pas, u aktivizonin linjën”, thanë burimet nga prokuroria dhe policia. Sipas tyre, në serverët e tyre kishin dy programe. “Njëri prej programeve funksiononte për përshtatjen e ‘Dream Box‘ me sinjalet e televizioneve, si “Digitalb”, “Sky” etj., dhe një program tjetër përdorej për thyerjen e kodeve të kartave”, thanë burimet nga grupi hetimor, i cili shton se një server mbante rreth 50 klientë.

Dokumentimi

Prokurorët e çështjes Elio Mazreku dhe Erion Pano kanë dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të të ndaluarve, ndërsa kanë urdhëruar strukturat e policisë së Tiranës që të kryenin blerje të stimuluara për të zbardhur mekanizmin. “Grupi hetimor ka kontaktuar dhe blerë ‘Dream box‘ te të gjithë të arrestuarit dhe te disa persona të tjerë, që janë nën hetim. Për t‘u siguruar, agjentët civilë kanë shkuar te personat e dyshuar edhe nga 3-4 raste”, thanë burimet nga prokuroria dhe policia. Sipas tyre, për këtë proces, hetuesit shpjegojnë se në rrugë ligjore janë përdorur filmimet dhe përgjimet. “Janë 115 raste të dokumentuara që i ka blerë policia. Gjithashtu, ‘Dream box‘-et, mund të sjellin probleme edhe për kontrabandë, pasi hyrja e tyre në Shqipëri nuk është regjistruar, pavarësisht se me ligj duhet paguar taksa”, thanë burimet e prokurorisë dhe policisë. Sipas tyre, janë gjetur në serverët e sekuestruar edhe listat e klientëve, të cilët kishin blerë këto pajisje. Madje, ka nisur puna për identifikimin dhe marrjen në pyetje të tyre për dokumentimin e plotë të veprës penale.

Hetimet

Interneti, “arma”

për të hyrë në sistem

Megjithëse është një akuzë e re, Prokuroria e Tiranës është mobilizuar për të zbardhur të gjitha enigmat për vënien para përgjegjësisë ligjore të të ndaluarve në konsumimin e veprës penale të “mashtrimit kompjuterik”. Akuza 143/b ka hyrë në legjislacionin shqiptar në datën 1 janar të këtij viti dhe është implementuar për herë të parë vetëm gjatë arrestimit të grupit të piratëve që ndërhynin në sistemet e televizioneve dixhitale në Shqipëri. Prokurori Erion Pano deklaron se sistemi i prokurorisë në Shqipëri po përballet për herë të parë me këtë lloj vepre penale, ku rreth 50 për qind e punës për dokumentimin e veprës penale është zbardhur, ndërsa pjesa tjetër do t‘i duhet prokurorisë për të kopsitur akuzat. Hetuesit deklarojnë se kanë marrë rastet nga vendet fqinje dhe po i analizojnë, duke bërë të njëjta veprime që kanë kryer kolegët e tyre.

Verifikimi

Pikat e lotarive sportive kanë qenë përfitueset më të mëdha të abuzimeve

Akuza: Ekspertime në terren

për të vërtetuar ndërhyrjet

Pas ndalimit të 16 personave, puna e prokurorisë do të përqendrohet në terren. Janë bërë gati dhjetëra akte ekspertimesh për të vërtetuar ndërhyrjet në këto televizione dixhitale. Ekspertët më të mirë të fushës do të jenë nën “urdhrat” e prokurorisë. Sipas hetuesve të çështjes, përfituesit më të mëdhenj të këtyre abuzimeve janë pikat e lotarive sportive që kanë disa dekoderë, por paguanin vetëm një abonim. Me këtë skemë, ata kanë përfituar mijëra euro përfitime. Pas denoncimeve, grupi hetimor u infiltrua brenda grupit. Ata kanë identifikuar pikat ku shiteshin këta dekoderë dhe kanë porositur të tillë, duke u shtirur sikur kishin një lokal bastesh sportive dhe kishin nevojë për të marrë në mënyrë pirate ndeshjet e shumë kampionateve. Porosia është dhënë dorë pas dore, derisa kanë mbërritur te teknikët e kompjuterëve, ku pjesa dërmuese e tyre, kanë edhe dyqane që tregtojnë pjesë elektronike. Pasi janë zbuluar rreth 50 persona, është punuar në zbulimin e pozicionit të secilit prej tyre dhe dokumentimin e bashkëpunimit mes tyre. Por, rrugës hetimore është zbuluar se dekoderët shiteshin në disa qytete të Shqipërisë. E madje, klientela e tyre më e rregullt ishin persona që posedonin “Internet-Kafe”, ose lokale të basteve sportive.

Megjithatë, puna më e vështirë ka qenë për zbulimin e funksionimit të mekanizmit të këtij “biznesi”, pasi krimi në fjalë, pra thyerja e kodeve kompjuterike, ka hyrë shumë vonë në Shqipëri. Sipas dosjes penale, këta persona dyshohen se dekoderët i blinin nga firmat që tregtojnë markat e cituara më lart. Ndërsa, gjithë puna fokusohej te kartat e klonuara. Specialistët shpjegojnë se këta dekoderë duhet të lidheshin patjetër me internet. Më pas, duke futur kartat e krijuara nga vetë të arrestuarit, mund të lidheshin me serverët qendrorë të tyre, brenda të cilëve ndodheshin disa programe kompjuterike, që zakonisht i disponojnë të ashtuquajturit “piratë të kompjuterit” (Hackers). Këto programe dekodonin sinjalet televizive satelitore, duke i marrë komandat nga vendi, ku ishin instaluar serverët. Kështu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta “Hackers” thyenin kodet, sidomos të kanaleve televizive sportive, duke dëmtuar kompanitë dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare. Policia shpjegoi se deri tani nuk dihet numri i saktë i aparateve të shitura, por blerësve të tyre do t‘u ndërpritet së shpejti sinjali për shkak të bllokimit të serverëve qendrorë.

Pas këtyre fakteve, Policia e Shtetit deklaroi se nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me homologët e Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës, Beratit dhe Korçës, në koordinim me Drejtorinë Kundër Krimit-Financiar, është përfunduar me sukses operacioni i koduar “Modem”, për ndalimin e 16 personave të akuzuar për konsumim të veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim. Më tej, është shpjeguar se në muajin nëntor të vitit 2008, policia e Tiranës ka marrë kallëzim se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate dixhitale të riprogramuara dhe të klonuara. Duke regjistruar këtë denoncim, fillimisht u mundësua identifikimi i disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit. Sipas grupit hetimor, personat që ishin të implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive, si “Tring”, “DigitAlb”, “Premier Leauge”, “Sky”, “Nova” dhe kanale të tjera sportive.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë klonuar dhe shitur te qytetarë të ndryshëm karta të televizioneve dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke përdorur aftësitë e tyre kompjuterike, këta shtetas kanë bërë të mundur dekodifikimin e sinjalit dhe shitjen në mënyrë pirate nga 200 deri në 350 euro të programeve të këtyre paketave dixhitale.

TË ARRESTUARIT

Të ndaluarit

1- Saimir Shaban Kuniqi

2- Alfred Qani Kadiu

3- Eldi Engjëll Vorpsi

4- Edison Mustafa Shema

5- Sokol Rafet Shalca
6- Sokol Hajro Kadare

7- Spiro Lefter Zguri

8- Dhimitraq Spiro Papa

9- Saimir Baki Likollari

10- Marin Kole Palushi

11- Ilir Raqi Nushi
12- Xhaferr Belul Gixharri

13- Artan Vaske Priftuli

14- Fatmir Sabaudin Çupi

15- Ilir Rapi Dylja

16- Eduard Zini Koka

Sekuestrimet

- 50 kompjuterë të markave të ndryshme dhe “Server”

- 20 kompjuterë të tipit “Lap-Top”

- 1000 aparate “dixhitale” të tipave të ndryshëm të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum”, “Metabox”

- 500 karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit

- 30 celularë

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login