Lamtumirë pasaportave pa mikroçip

by on 02/04/09 at 7:55 pm

Tirana bllokon prodhimin. Aplikimet, tashmë vetëm për dokumentet biometrike

Fillon bllokimi i prodhimit të pasaportave ekzistuese, pasi tashmë do të ketë vetëm pasaporta biometrike. Policia ka deklaruar se që sot e tutje nuk do të pranohet asnjë aplikim për pasaportë në qytetet ku ka nisur aplikimi për pasaporta biometrike, pasi ato do të bëhen vetëm pranë qendrave përkatëse të pushtetit vendor. Megjithatë, pasaportat do të vijojnë të jenë në përdorim, pavarësisht se për t‘u pajisur me vizë për jashtë shtetit duhet medoemos të kesh një pasaportë biometrike. Siç është njoftuar edhe më parë, aplikimi për pasaporta biometrike ka nisur në kryeqytet, ndërkohë që vazhdon edhe procesi i pajisjes me karta identiteti.

Që sot, Tirana, qyteti i parë që ka nisur aplikimet për pasaporta biometrike, ka bllokuar aplikimet dhe prodhimin e pasaportave ekzistuese. “Në kuadër të implementimit të prodhimit të pasaportave biometrike, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, duke filluar nga dita e sotme, do të ndërpresë pranimin e dokumenteve për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportën ekzistuese”, ka deklaruar policia e kryeqytetit. Më tej, në njoftimin e saj ka shpjeguar se për çdo aplikim për pasaportë biometrike njoftohen qytetarët të paraqiten për aplikim në qendrat pranë njësive bashkiake përkatëse në Tiranë, ku aktualisht po prodhohen kartat e identitetit. Gjithashtu, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke filluar që nga dita e sotme e në vazhdim, do të ndërpresë edhe procedurën e pranimit të dokumenteve për pasaportën ekzistuese për udhëtim jashtë shtetit dhe do vazhdojë të prodhojë aplikimet e pranuara para kësaj date.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme e kanë konfirmuar edhe më tej këtë fakt, duke u shprehur se bllokimi i prodhimit të pasaportave aktuale do të bëhet gradualisht në të gjithë republikën. Sipas tyre, në shumë qytete nuk ka nisur ende aplikimi për pasaporta biometrike dhe për këtë shkak, aktualisht nuk mund të bëhet bllokimi i pasaportave ekzistuese, që prodhohen nga policia. Me të nisur aplikimi në rrethe për pajisje me pasaportë biometrike, edhe në qytetet e tjera do të ndiqet e njëjta procedurë. Kjo masë, sipas burimeve zyrtare, vjen pas një urdhri të ministrit të Brendshëm, në të cilin deklarohet se përfundimisht prodhimi i pasaportave do të kryhet pranë autoriteteve vendore dhe jo më pranë atyre policore. Sipas informacioneve nga pushteti vendor, edhe aplikimi me pasaporta biometrike do të kryhet pranë qendrave, ku po realizohet pajisja me karta identiteti. Madje, për këtë të fundit, Ministria e Brendshme informoi opinionin publik, se ndërsa numri i aplikimeve për letërnjoftime elektronike po shkon në 400 mijë, shpërndarja e tyre po kryhet tashmë jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet kryesore të vendit dhe konkretisht në Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë. Sipas informacioneve të marra nga kompania koncesionare për qytetet e sipërpërmendura, janë të gatshme për t‘u tërhequr letërnjoftimet për qytetarët që kanë aplikuar deri në datën 20 mars 2009.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login