“Jonianët”, tur polifonik në tri shtete

by Andi Bega on 02/04/09 at 8:14 pm

Grupi interpretoi në skenat e Gjermanisë, Çekisë e Holandës

Grupi i njohur polifonik “Jonianët” ka zhvilluar një tur dyjavor koncertesh në Gjermani, Çeki dhe Hungari, me ftesë të “Radio Bavaria” në Nuremberg të Gjermanisë. Ata kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe albanologëve me repertorin, por edhe me improvizimin e darkave tradicionale shqiptare. Koncerti i parë i ka takuar qytetit Furth të Gjermanisë, për të vijuar me koncertin në qytetin e Nurembergut. Përveç vlerave koncertore, turneu i grupit “Jonian” në Gjermani kishte edhe synime studimore, për të parë se si ka evoluar polifonia shqiptare. Maksi Kule, drejtues i këtij grupi, u shpreh se në dy koncertet e dhëna në qytetin Ultres të Holandës, përjetuan një pritje të ngrohtë e të paparashikueshme. Në to ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Holandë, ndërkohë që u pa një pjesëmarrje e gjerë e bashkëkombësve shqiptarë, emigrantë në Holandë. Pas kësaj, turneu vijoi duke udhëtuar drejt Gosekut të Gjermanisë, ku, përveç koncertit të grupit dy ditë radhazi, u improvizua edhe një darkë tipike e tradicionale shqiptare, ku pija kryesore ishte rakia dhe festa u shoqërua nga ngritja e shëndeteve e dollive.

Dinjitoze u vlerësuan koncertet që u dhanë edhe në qytetin Vesel të Çekisë, si edhe në Universitetin e Olomukut. Koncerti para studentëve të këtij universiteti u shoqërua edhe nga një leksion tregues me temë “Polifonia shqiptare”, që trajtoi elemente të veçanta të kësaj polifonie. Në kryeqytetin çek, në Pragë, koncerti i “Jonianëve” u ndoq edhe nga autoritete shkencore, studiues të polifonisë, albanalogë të shumtë dhe njohës e adhurues të kulturës shpirtërore shqiptare. Ambasadori shqiptar në Çeki u ka bërë një tjetër ftesë për koncerte të ardhshme në këtë shtet. Turi është mbyllur në qytetin e Nurembergut në Gjermani. Në studion e radios bavareze të këtij qyteti u mundësua regjistrimi i 20 këngëve nga repertori i grupit. Grupit iu bashkua edhe këngëtarja ukrainase Marjana Sadovska. Ajo u bë pjesë e kalendarit artistik të grupit “Jonianët”, për shkak të elementëve të përbashkët dhe ngjashmërisë që ka polifonia shqiptare me atë ukrainase. Pjesë e turit koncertor të grupit polifonik “Jonianët”, ishte edhe Artisti i Popullit, Golik Jaupi, si edhe grupi tjetër polifonik “Djemtë e Delvinës”. Repertori i tyre është pasuruar, duke u shoqëruar nga orkestrina e këngës qytetare, në përbërje të të cilës ishin instrumentistët Arjan Shumbuli, Alfred Mërtiri dhe Genti Xuxi. Koncerteve të “Jonianëve” u është bashkangjitur edhe këngëtarja shqiptare me banim prej disa vjetësh në Zvicër, Elina Duni, përqafuese e rrokut dhe xhazit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login