Dritani: Dua të jem në nominim
by Andi Bega on 02/04/09 at 8:09 pm
BIG BROTHER 2/ Qetsori: Adela, e fortë. Loja e saj fshihet pas Kuranit
Kanë festuar 1 prillin në një mënyrë krejt të veçantë. Djemtë e shtëpisë së “Big Brother” kanë zgjedhur të mos u flasin vajzave, duke i bërë të besojnë se diçka nuk po shkon. Ndërkaq, gjatë bisedave të mëparshme, Bjordi i është rrëfyer Adit se ai e ka puthur Adelën, por ajo nuk i është përgjigjur. Adela i ka shprehur Adit se ajo dhe Bjordi duhet të gjejnë një zgjidhje për marrëdhënien që kanë ndërtuar.
“E kam puthur unë”
Adi e pyet Bjordin nëse Adela e kishte puthur dhe ai i përgjigjet se ai e kishte puthur atë dhe jo e kundërta. Adi e pyet sërish në lidhje me veprimin e së shtunës. Bjordi i thotë se ajo nuk e pranon që ka bërë gabim, ndërsa Adi i thotë se realisht nuk është gabim, por sipas Bjordit dhe diçka e lehtë nuk është. Adi mendon se me sjelljen e saj në shtëpi, vetëm vetes së saj i ka bërë dëm. Ai shton se do të ishte mirë që Adela ta diskutonte çdo gjë më parë me Bjordin për vendimet që do të merrnin të dy dhe të gjenin një zgjidhje.
Adi: “Bjordi është i veçantë”
Adi, duke i bërë tualet Adelës, e pyet për marrëdhënien me Bjordin dhe se çfarë vendosën. Adelajda mendon se të dy duhet të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Ajo i tregon se ata janë dy botë të ndryshme dhe secili prej tyre duhet të vazhdojë jetën e tij. Adi e ngacmon dhe i thotë që pas kësaj, ata u puthën apo çfarë dhe Adela ia kthen menjëherë se jo. Adi i thotë se është e dukshme që asaj i ka ikur truri për të, por Adela nuk e pranon këtë gjë. Adi e pyet atë se ndoshta e mendon se e ka futur në xhep Bjordin dhe se këto janë vetëm lojëra të saj. Adela i tregon se ata, edhe si miq nuk mund të qëndrojnë, pasi janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Sipas vlerësimit të Adit, Bjordi është një djalë i veçantë dhe me shumë vlera. Edhe Adela e mendon këtë gjë dhe thotë se Bjordi kaq sa ka ndryshuar, e ka bërë veç për të, edhe pse ajo nuk do donte.
Adela: “Jam penduar që nominova Bjordin”
Adelajda diskuton me Mimozën për nominimet e së shtunës. Ajo i thotë: “Të duket pak që thashë emrin e Bjordit!”. Mimoza i thotë që ajo ka vepruar shumë keq. Adelajda i thotë se ata duhet të mendojnë se janë të gjithë konkurrentë, dhe shton: “Nuk duhet të mendojmë më se këtë nuk e nominoj dot. Ata janë konkurrentët tanë dhe ne jemi në lojë”. Adela shton se është penduar shumë që ka nominuar Bjordin. “Nuk e bëj më atë gabim. Nuk e di nga më erdhi ai mendim i ndritur!”. Sipas saj, ajo e nominoi Bjordin pasi mendonte që ai nuk rrezikonte.
Tani: “Dua të jem në nominim!”
Dritani diskuton me Adelajdën dhe Republikën për nominimet. Dritani e pyet: “Çfarë mendimi ke Adela kur ata filluan të bënin aleanca për të nxjerrë Mimozën?”. Adelajda i thotë që i dukej lojë e pisët dhe nuk ishte dakord. Ajo shton që dhe për Dritanin është bërë e njëjta gjë. Adelajda i thotë që Qetsori mendon që ajo ka ndikim te Bjordi. Dritani mendon që edhe Aida mendon njësoj. Dritani i thotë se ai do të provojë veten të jetë në nominim. Adelajda i thotë: “Nëse ti më thua më nxirr, unë nuk e bëj!”. Ai thotë për Arjonin dhe Qetsorin që, nëse duan ta nxjerrin në nominim, e bëjnë atë më të fortë.
Aida: “Ani është si dinamit!”
Aida dhe Dritani diskutojnë për Anin në lidhje me nominimet e tij. Aida thotë që ai, disa personave i duket si dinamit. Dritani i tregon për natën mbrapa spektaklit. Ani e kishte kapur dhe i kishte thënë që ai po bënte lojën dhe nuk kishte pse ta vriste mendjen. Ajo i thotë që sipas mendimit të saj, ai ka dashur të justifikohej pasi e ndjeu shumë reagimin e Republikës. Sipas mendimit të Dritanit, ai hiqet si naiv. Ajo i thotë që ai do jetë dinamit për disa persona, duke nxjerrë disa tipare në dukje te banorët. Ai e pyet: “Po Anjeza, si të duket?”. Ajo ia kthen: “Më duket si me detyra shtëpie!”.
“Ti je ndryshe nga ç‘dukesh!”
“E ke pyetur veten ndonjëherë se çfarë imazhi përcjell ti?”, – e ka pyetur Dritani Aidën. Ajo i ka thënë se e dinte se çfarë imazhi përcillte. Dritani ka vazhduar duke i thënë se kur e kishte parë në fillim, nuk i kishte pëlqyer aspak, pastaj kur e kishte njohur, kishte krijuar tjetër përshtypje. “Ti je shumë ndryshe nga ç‘dukesh!” – i ka thënë ai. Dritani i ka thënë gjithashtu se nuk i pëlqente aspak qëndrimi i saj. “Mënyra sesi mban cigaren, sesi flet, sesi vështron, përcjellin një imazh krejt tjetër!”- i ka thënë Dritani, duke shpjeguar se kjo nuk i pëlqente. Ai nuk i pëlqente aspak femrat që pinin cigare, aq më tepër në atë lloj mënyre. Sipas Aidës, meshkujt nuk i pëlqenin femrat që mund të kishin pushtet, pasi kjo ishte një gjë që i trembte ata. Më pas, ajo ka shtuar se kjo fasadë, ky imazh, e ka mbrojtur dhe vazhdonte ta mbronte atë nga shumë gjëra, por ajo dinte edhe t‘u linte hapësirë të tjerëve për ta njohur më shumë, përtej përshtypjes fillestare.
“Adela maskohet pas Kuranit!”
“E more vesh që Adela ka nominuar Bjordin?”, – i ka thënë Arjoni Qetsorit. “Adela është lojtare e fortë, është lojtarja më e fortë këtu brenda!”, – ka thënë Qetsori. Por Arjoni nuk ka qenë dakord me këtë. Qetsori ka vazhduar të shpjegojë se Adela bën lojën e së bezdisurës, por sipas tij, nëse vazhdojnë edhe pak, ata do të kenë një marrëdhënie dhe sipas tij, kjo është një mënyrë për të kontrolluar lojën. “Ajo e ka maskuar atë lojë shumë mirë pas Kuranit!”, – ka thënë ai, duke shtuar se “kur ta grisë Kuranin”, do të interpretohet sikur ia grisi Bjordi dhe kjo, sipas tij, ishte një mënyrë shumë e mirë për të ecur në lojë. Sipas Arjonit, Adela ka gjetur një lloj komoditeti te Bjordi. “Por Bjordit s‘ia ndjen shumë, edhe ai është lojtar!”, – ka thënë Arjoni.
“Do të nominoj Tanin dhe Bjordin!”
Arjoni i ka thënë Qetsorit se ai nuk rrezikonte të dilte këtë javë nga shtëpia, megjithëse ishte në nominim për të disatën herë. Sipas Arjonit, Qetsori do të rrezikonte po të nominohej sërish javën e ardhshme. Arjoni ka thënë se për mendimin e tij, katërshja e ardhshme e të nominuarve do të ishte ai, Adi, Tani, Bjordi. Sipas Qetsorit, kjo ishte e pamundur, sepse edhe gocat kishin përçarjet e tyre dhe nuk mund që e gjithë shtëpia, femra e meshkuj, përfshirë edhe vet ata, të kishte antipati ata të katërt. Qetsori, i pyetur nga Arjoni, ka thënë se ai do të donte të shihte në nominim Dritanin dhe Bjordin.
“Meshkujt nga Marsi, femrat nga Afërdita!”
Banorët kanë zhvilluar një debat tjetër, kësaj here me temën: “Bota mashkullore dhe bota femërore”. Pyetja specifike për t‘u diskutuar ishte sa e vërtetë ishte që femrat vijnë nga Afërdita dhe meshkujt nga Marsi. Tema është propozuar nga Dritani dhe debati është drejtuar nga kryefamiljari, Bjordi. Sipas Qetsorit, meshkujt e kuptojnë shumë mirë një femër, ndërsa femrat nuk e kuptojnë asnjëherë një mashkull. Dritani ka shpjeguar se sipas mitologjisë, Marsi ishte perëndia e luftës, ndërsa Afërdita ajo e dashurisë. Sipas djemve të shtëpisë, meshkujt në botën që jetojmë janë superiorë ndaj femrave. Adi ka sjellë si provë këtë, faktin që nëpër shekuj ka pasur më shumë shkencëtarë meshkuj sesa femra. Ndërsa sipas Adelajdes, janë të barabartë. Bjordi ka pyetur femrat sesi mund t‘i përgjigjeshin faktit që truri i meshkujve është 10 për qind më i madh sesa i femrave. Aida i është përgjigjur duke thënë se truri i femrave punonte 10 për qind më shumë. Qetsori dhe meshkujt e tjerë të shtëpisë kanë kundërshtuar. Në atë moment, ka ndërhyrë Dritani që ka thënë: “Është e vërtetë që truri i femrave është më i zhvilluar, ka më tepër potencial… por nuk gjen mor vëlla!”. Sipas vajzave, nuk ka se si të jetë mashkulli superior, kur femrat janë ato që sjellin në jetë qenien njerëzore. Sipas Qetsorit, mashkulli është ai që u krijua i pari dhe është përsëri mashkulli ai që bën të mundur që një femër të kthehet në nënë. Debati ka vazhduar me nota të forta kundërshtimi mes të dyja palëve, me Bikën që nuk po i pëlqente si po zhvillohej debati, me Tanin që krijonte momente qesharake, duke futur tapa vere në vesh dhe hundë, e plot situata të tjera.
“Duket e lehtë, por nuk është!”
Djemtë kanë diskutuar për lojën “Big Brother”, sesi duket dhe sesi është në të vërtetë. Adi u ka thënë banorëve të tjerë se e kishte menduar shumë të lehtë qëndrimin në shtëpi. Qetsori i ka thënë atij, se ai e kishte menduar jo vetëm të lehtë, por edhe qesharake. Madje ai, para se të hynte, kishte menduar se tre muaj nuk ishin asgjë. Adi, Qetsori, Bjordi dhe Ani kanë diskutuar më pas për reagimin e këtij të fundit, kur pa klipin e vet. “Ani qau një javë rresht kur pa klipin!, – ka thënë Adi, – po të rrish një muaj!”
“Gëzuar 1 prillin!”
Arjoni, Dritani dhe Qetsori kanë qenë të parët që janë zgjuar nga meshkujt e shtëpisë, ndërsa nga vajzat, Adelajda. Në pritje të zgjimit të banorëve të tjerë nga gjumi, Dritani dhe Arjoni kanë qëndruar në oborr duke biseduar. Ata kanë diskutuar se çfarë gënjeshtre mund t‘u sajonin banorëve të tjerë, meqë ishte 1 prilli, dita e gënjeshtrave. Arjoni ka propozuar që sot të gjithë djemtë të mos u flisnin fare vajzave, edhe kur ato t‘u flisnin. Ata shkuan në dhomën e gjumit për t‘ua propozuar këtë edhe djemve të tjerë, që e gjetën idenë shumë interesante.
Loja e djemve ndaj vajzave
Djemtë vazhdojnë të mbajnë lojën që kanë nisur me vajzat. Ata nuk do t‘u flasin atyre gjatë gjithë ditës, ndërkohë që ato nuk dinë asgjë dhe shpeshherë mbeten të habitura se përse ata nuk u kthejnë përshëndetjet apo përgjigje. Ata kujtojnë njëri-tjetrin me shenja nëse dikush prej tyre harron dhe u flet vajzave. Djemtë qëndrojnë në kopsht dhe me ta bashkohet edhe Anjeza. Ata e trajtojnë atë sikur ajo të mos ishte fare aty dhe nuk i kthejnë as përshëndetjen e as mundohen që ta futin në bashkëbisedim. Edhe Anjeza nuk u flet më, por vetëm rri e dëgjon bisedat e tyre. Bisedat që bëjnë ata janë të temave të ndryshme, ku ajo të mos ketë mundësi që të flasë.
Leave a Comment