Autoriteti i Konkurrencës: Nuk kemi autoritet

by Andi Bega on 02/04/09 at 8:07 pm

Me një ndryshim nga viti 2007, Autoriteti i Konkurrencës ka rritur pozicionin e tij në treg, duke marrë përsipër trajtimin e disa rasteve monopol në treg. Gjithnjë në krahasim me 2007, rekomandimet janë marrë në konsideratë, kurse reagimi i biznesit ndaj vendimeve të Autoritetit është bërë me të shpejtë. Edhe mbështetja e qeverisë ka ardhur në rritje falë akteve nënligjore, në drejtim të rekomandimeve të Autoritetit. Të gjitha këto ndryshime ndodhën në vitin 2008, gjatë të cilit, Autoriteti i Konkurrencës mori 13 vendime “për raste të përqendrimit dhe kufizimit të konkurrencës në treg”. Për kryetaren Lindita Lati ka ende punë për t‘u bërë. E ndodhur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të raportuar aktivitetin e kryer gjatë 2008-ës, Lati vuri në dukje disa probleme që shoqëruan Autoritetin e Konkurrencës, në një kohë që situata ekonomike në vend po has në disa vështirësi të shkaktuara nga kriza financiare në botë. “Puna jonë është shumë komplekse, pasi tregu shqiptar nuk ka eksperiencën si vendet e tjera për të punuar me kushte të barabarta. Disa nga vendimet tona kalojnë në gjykata, duke u zvarritur në kohë. Hetimet zgjasin për mungesë informacioni, kurse institucionet përkatëse nuk japin vullnetin e plotë për të bashkëpunuar. Jo të gjitha rekomandimet gjejnë konsensusin e plotë”, ishin disa nga shqetësimet e kryetares. Duke folur më tej mbi aktivitetin gjatë vitit 2008, Lati vuri në dukje edhe problemin e vjeljes së gjobave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj subjekteve që kishin shkelur ligjin “Për konkurrencën”. Gjobat që shkojnë nga 2-10 për qind mbi xhiron vjetore nuk mund të vilen nga Autoriteti, por nga organi i Tatim-Taksave, e në këtë pikë, realizimi i të ardhurave nuk është në dorë të institucionit që mbron konkurrencën. Pasi dëgjuan gjithë këto shqetësime, deputetë të të dyja forcave politike kërkuan shpjegime rreth rolit të Autoritetit të Konkurrencës rreth rasteve të dyshimta monopol.

“Deri ku shkon autoriteti juaj? Çfarë force keni dhe sa ua lejon ligji të ndërhyni kur shikoni raste monopol?”, pyeti deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi. Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, kërkoi të dinte se, “pse Autoriteti nuk ndërhyn në kohë, por i merr vendimet kur veprimi ka ndodhur, siç ishte rasti i rritjes së çmimeve të naftës dy javë më parë nga shoqëritë, vetëm pse hyri në fuqi ligji i ri për akcizën”. Një tjetër deputet i PD-së komentoi situatën e fundit në tregun celular, duke thënë se nuk ka pasur ndryshime të tarifave, edhe pse qeveria miratoi ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, madje shkarkoi të gjithë bordin drejtues të ERT-së. “U bënë gjithë këto ndryshime dhe nuk kemi parë ende një reflektim nga ana e kompanive në uljen e tarifave”, u shpreh Aleksandër Biberaj. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, kërkoi të dhëna rreth tregut, bizneseve që ishin hetuar në 2008, gjobave dhe vlerave të tyre, por kryetarja Lati nuk paraqiti shifra konkrete, duke shtuar se puna ka qenë voluminoze.

Në të gjitha ato që analizuan anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, kryetarja dhe anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës iu dhanë të drejtë një gjëje të vetme: Puna e Autoritetit varet nga sjellja e institucioneve të tjera shtetërore. Ndër sugjerimet e paraqitura nga kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës ishte publikimi i bilanceve të firmave private në QKR. “Kjo do të na ndihmonte shumë në punën tonë”, u shpreh Lati. Pasi dëgjuan raportimin dhe morën përgjigjet, Komisioni i Ekonomisë vendosi unanimisht që të mbështesë çdo kërkesë të Autoritetit në drejtim të forcimit të institucionit.

Hetimet

Nga nafta, telefonia e deri

te gruri dhe tregu i bonove

Raporti mbi tregun hetimor të karburanteve pritet të dalë brenda muajit prill për publikim, nga ku do të mësohet e vërteta rreth rasteve monopol. Deputetët kërkuan që Autoriteti të ndërhyjë në treg, për të përshpejtuar licencimin e celularit të katërt, por Lati tha se nuk ekziston kjo e drejtë. “Aktualisht po mbikëqyrim tregun dhe do të dalin në vendim. Gjatë vitit 2008, kemi marrë disa vendime, të bëra publike”, u shpreh kryetarja. Lati tha se po bëhen hetime edhe në tregun e importit të grurit dhe miellit. Lidhur me interesimin e deputetëve për më shumë të dhëna rreth hetimit për tregun e letrave me vlerë, Lati u rezervua të jepte përgjigje në prani të mediave.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login