Zgjedhjet, KQZ kërkon shtesë fondi me 115 milionë lekë
by Andi Bega on 17/03/09 at 5:11 pm
Me shtatë vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje projektbuxhetin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Shuma totale është shënuar të jetë 714611652 lekë, ndërsa në zgjedhjet pararendëse parlamentare ishte 936426045 lekë. Buxheti është i detajuar në të gjithë zërat e nevojshëm që përmbajnë; pagat, sigurimet shoqërore, mallra dhe shërbime dhe investime. Pagat e punonjësve me punësim të përkohshëm në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve figurojnë të jenë 14121199 lekë. Pagat e specialistëve me punësim të përkohshëm në këtë institucion shkojnë 21814768 lekë, ndërsa shpërblimi i anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, Komisioneve të Qendrave të Votimit, Grupeve të Numërimit të Votave, Zyrave Rajonale, trajnuesve të KZZ-së, KQZ-ve dhe GNV-ve shkojnë 202999000 lekë. Shuma totale e zërit “paga” në buxhet shkon 238934967 lekë. Sakaq, sigurimet shoqërore për pagat e specialistëve dhe punonjësve të përkohshëm në KQZ shkojnë 6068096 lekë. Në zërin “mallra dhe shërbime” janë shënuar materiale importi në vlerën 72293579 lekë, materiale brenda vendit në vlerën 22291228 lekë dhe materialet e përgjithshme të zyrave 7920228 lekë. Totali i kësaj pjesë të buxhetit shkon në shumën 102505035 lekë. Buxheti parashikon një fond prej 11132000 lekësh për shërbimin e transportit, 52842000 lekë për shërbimin e udhëtimit dhe dietave, 2760000 lekë për mediat e shkruara dhe ato elektronike, 13950000 lekë për shërbime që kanë të bëjnë me ambientet me qira. Shërbime të tjera dhe karburanti shkojnë në shumën 22080000 lekë dhe fushata sensibilizuese në media shkon 44193000 lekë. Kapitulli mallra dhe shërbime në buxhetin e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkon në shumën 250462035 lekë. Zëri tjetër i buxhetit ka të bëjë me investimet dhe aty përfshihen dy elementë. I pari ka të bëjë me orenditë dhe pajisjet e zyrave dhe fondi shkon 15647500 lekë, ndërsa projekti i monitorimit të procesit të numërimit të votave shkon plot 203499054 lekë. Kosto kjo që i faturohet procesit zgjedhor për shkak të mungesës së besimit reciprok mes aktorëve politikë që marrin pjesë në zgjedhje. Drafti i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t‘i dërgohet Ministrisë së Financave dhe është ajo që duhet të bëjë shtesën e fondit të akorduar për këtë vit në buxhetin e shtetit. Kjo shumë ishte vendosur paraprakisht të ishte në masën 600 milionë lekë. Sipas shifrave të përgatitura nga institucioni i menaxhimit të proceseve elektorale, qeveria duhet të shtojë rreth 115 milionë lekë për mbarëvajtjen e kësaj sfide zgjedhore.
Leave a Comment