“Twitter” VS “Facebook”, lufta brenda rrjetit

by on 05/03/09 at 12:06 am

Konkurron “Facebook” dhe është i preferuari i Presidentit amerikan

Është i preferuari i Barak Obamës, po ashtu edhe Britni Spiërsit. I pari e përdori shumë për fushatën elektorale, ndërsa këngëtarja e ka përdorur për të folur për preferencat dhe paparacët. Të dy kanë folur shkurt dhe qartë: jo më shumë se 140 karaktere. Mesazhet e tyre kanë kaluar përmes platformës “Twitter”, ku gjithçka vërtitet rreth pyetjes: “Çfarë je duke bërë tani”, që mund t‘i përgjigjesh me sms, mesazhe të menjëhershme apo e-mail. “Twitter” numëron më shumë se 6 milionë përdorues që nga vitit 2006, kur u krijua. “Facebook” ka kërkuar ta blejë dhe të njëjtën gjë po bën dhe “Google”. Përse janë kaq shumë të interesuara? Ndërsa një kuzhinier entuziast nga Nju Xhersi kishte futur në furrë ëmbëlsirën që kishte gatuar, në anën tjetër të botës një përdorues shkruante se hoteli në Mumbai ishte në kontrollin e terroristëve. 80 mesazhe çdo pesë sekonda janë nisur nga dëshmitarët e atentatit në hotelin indian nëntorin e kaluar. Kronika, informacione të menjëhershme, miqësi dhe politikë. Gjatë fjalimit për marrjen e detyrës nga Obama, më 20 janar, dhjetëra senatorë dhe më shumë se 60 deputetë, vendosën t‘i bënin me “Twitter” komentet e tyre. Me pak fjalë, “Twitter” mund të transmetojë mesazhe të rëndësishme. Është paksa si “Facebook”-u, por më i lehtë dhe më i menjëhershëm. Me një grafikë njëlloj si “Google” nuk i ruan kurrë lajmet, por i jep menjëherë. Është një lloj rrjeti social që të vendos në kontakt me botën. Madje edhe një lloj mjeti që brenda pak sekondash mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve siç ndodhi në Mumbai apo Nju Jork ku përmes tij u përhap lajmi se një avion që kishte pasur probleme për shkak të hyrjes në motor të disa zogjve po ulej në lumin Hudson. 140 karaktere në dispozicion për të shkruar thelbin e asaj që do. “Twitter” përkthehet cicërimë e ndoshta për këtë arsye ky rrjet social ka si logo një zog. Regjistrimi është falas, po ashtu është shumë e lehtë për të mësuar si përdoret. Mund të publikohen fraza të shkurtra për atë çka je duke bërë në moment. Kush ka vendosur të të ndjekë, e lexon, përgjigjet, e merr dhe ridërgon një përgjigje brenda një kohe rekord. Të gjitha këto publikohen në “Pubblic Timeline”, ku ndodhen “cicërimat” e ardhura nga të tjerët në të njëjtën kohë. Qëllimi? Shoqërizimi dhe shpejtësia e madhe e komunikimit. Përveç lajmeve mund të lexosh në kohë reale dëshirat dhe mundësitë ekonomike të përdoruesve. Nga shtatori i 2007, deri në atë të 2008-ës, “Twitter” u bë rrjeti social që ka regjistruar numrin më të madh të përdoruesve dhe vizitorëve. Më pak indirekt se kolosët e llojit të vet, por në shkurt Compete. com, që merret me klasifikimin e sajteve më të përdorura e pozicionoi të tretin në klasifikim ku para vetes ka “Myspace” dhe “Facebook”, më popullorin nga të gjithë me miliona përdorues në të gjithë botën. Në nëntor “Facebook” u përpoq të blejë “Twitter” për një shumë prej 500 milionë dollarësh, por “Obvious Corp”, shoqëria e San Franciskos që drejtohet nga tre 30-vjeçarë kalifornianë, që e kanë krijuar nuk ka pranuar duke thënë: “Duam të mbajmë pavarësinë tonë”. Në realitet, duket se refuzimi ka qenë i lidhur me mënyrën e pagimit. Por bisedimet vazhdojnë ende, madje qarkullojnë zëra sikur “Twitter” po kërkon të blihet nga “Google”. Thjeshtia, përveçse intimitetit janë disa nga armët e tij të forta. Sot, politikanë dhe gazetarë, yjet e kinemasë dhe sportit janë të regjistruar këtu duke bërë që në Amerikë të shpërthejë e ashtuquajtura modë “twitter-mania”. Twitter.com, sot numëron 1.9 milionë vizitorë në muaj, dhjetë herë më shumë se vitit i kaluar. I përdorur në fillim për t‘u takuar nëpër festa, “Twitter”, tani po gjen përdorime të tjera.

Politikanët

Dhjetëra anëtarë të kongresit nxorën “Blackberryn” e tyre për të kominukuar mes “Twitter”-it gjatë fjalimit të Obamës një javë më parë. Mes tyre senatorë dhe deputetë. Nga McCaskill tek Arnold Shavrceneger, guvernatori i Kalifornisë. Sipas revistës “Time” pikërisht këta renditen në klasifikimin e dhjetë përdoruesve më të famshëm të “Twitter”-it. Atij i pëlqen shpesh të shkruajë se si mund të reduktojë ndotjen ndërsa asaj për jetën private. Republikanët që përdorin janë më të shumtë se demokratët: mes tyre është Xhon Mekkeni, që shpesh e përdor për të treguar takimet dhe për të uruar miqtë, ndërsa mes demokratëve Nensi Pelosi.

“Twitter -mania”

Gazetari i politico.com, Mike Allen, nuk e kishte përdorur kurrë “Twitter” para kësaj jave. Megjithatë, disa ngjarje e bindën që ta bëjë këtë. Por përveç tij janë të shumtë njerëzit e famshëm që përdorin këtë rrjet social mes tyre edhe Dalai Lama. Me të drejtë lind pyetja se përse shumë të famshëm zgjedhin të komunikojnë përmes “Twitter”? Përgjigjja është kjo. Duan të evitojnë ndërmjetësuesit në komunikimet me fansat dhe kërkojnë të kontrollojnë thashethemet e mediave. Këngëtarja e njohur, Britni Spiërs, përveçse një nga përdorueset më të rregullta tregon shpesh për pijet e preferuara dhe problemet me paparacët (para disa kohësh një haker u fut në adresën e saj dhe nisi të shkruajë për pjesët intime të trupit).

Demi Mur dhe e Ashton Kushner janë çifti i parë i famshëm ku ajo e përdor vazhdimisht, ndërsa ai përmes këtij sajti kërcënoi se do të vriste fqinjin e shtëpisë. Përdoruesi më me influencë?

Guy Kauasaki, një sipërmarrës i fuqishëm amerikan dhe ish-drejtori i marketingut të “Apple”. “Jam një profesionist i vërtetë për të përdorur ‘Twitter‘-in”, pati deklaruar. Sipas “Forbesit” është më i fuqishmi në botë, sepse vendos të injorojë qëllimin për të cilin “Twitter” është krijuar (të shkruash se çfarë je duke bërë). Ai jep vazhdimisht lajme dhe mendime për çdo argument.

Rrjeti i ri social “Twitter”

Për se shërben

Të lejon të dërgosh mesazhe, maksimumi me 140 karaktere me: sms, e-mail, apo përmes faqes së internetit “Twitter”

Si lindi

Viti i krijimit: mars 2006

Shoqëria: “Obvious Corp”

Themeluesit: 3 tridhjetëvjeçarë kalifornianë

Çfarë do të thotë

“Twitter” do të thotë cicërimë, ndërsa logoja e sajtit është një zog. Me një frazë të shkurtër mund të jepet një informacion i shpejtë dhe thelbësor

Si funksionon

Në fillim bëhet regjistrimi që është falas

Mund të publikosh mesazhin tënd duke treguar se çfarë je duke bërë në moment

Rifreskimet tregohen në profilin e përdoruesit dhe u dërgohen edhe përdoruesve të tjerë të regjistruar

Shifrat

600% është rritur shifra e përdoruesve nga shtatori i 2007-ës në shtator të 2008-ës

5 milionë regjistrues në nëntor të 2008-ës

Rastet

Sulmet terroriste në Mumbai

Gjatë sulmeve u numëruan rreth 80 mesazhe çdo 5 sekonda nga ana e dëshmitarëve

Presidenti Barak Obama

E ka përdorur shumë gjatë fushatës elektorale

Probleme me G-mail-in

Në shkurt, posta elektronike në G-mail ka pasur shumë probleme. Ankesat u shfaqen në kohë reale në “Twitter”.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login