Trafiku i klandestinëve, policia arreston një grua dhe dy burra
by Andi Bega on 17/03/09 at 5:06 pm
Dy të mitur, në grupin e personave që do të kalonin ilegalisht në Greqi
Policia e Korçës në bashkëpunim me agjentë të krimit të organizuar në Tiranë, kanë arritur të godasë një rrjet të trafikut të klandestinëve me destinacion Greqinë. Operacioni i koduar “Pranvera” është finalizuar mesnatën e së dielës, me prangosjen e tre personave. Ylli Palla, 48 vjeç, nga fshati Koshnicë i Rrethit të Devollit, Florian Martaneshi nga Tirana, si dhe Lule Hamzallari, 27 vjeçe, nga Pogradeci, janë vënë në pranga me akuzën e “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Burime të Policisë rajonale të Korçës bëjnë të ditur se këta shtetas u kanë marrë 6 mijë euro pesë qytetarëve, mes të cilëve dy të mitur, për t‘i kaluar ilegalisht në shtetin helen. Nga hetimet e kryera është arritur të zbardhet plotësisht itinerari i trafikut të klandestinëve. Grupi prej pesë personash është sjellë nga Pogradeci nga Lule Hamzallari, me një veturë tip “Mercedes Benz”, me targa DV 1410 A. Ata janë lënë në banesën e Ylli Pallës, në fshatin Koshnicë të Rrethit të Devollit, ku i priste edhe 25-vjeçari Florian Martaneshi, i cili do t‘i udhëhiqte nëpër kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Pas sinjalizimit, policia bëri të mundur kapjen dhe bllokimin e trafikantëve. Mësohet se gjatë kontrollit në banesën e Pallës, policia ka gjetur edhe një qese plastike me lëndë narkotike, që dyshohet të jetë kanabis sativa. Veç akuzave që rëndojnë mbi 48-vjeçarin nga Devolli, atij do t‘i shtohet dhe ajo e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”. Burime nga policia thonë se aksioni nuk ka përfunduar dhe se po punohet në rrethe të tjera për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të tjerë të këtij rrjeti trafiku të qenieve njerëzore. Afrimi i pranverës dhe ngrohja e motit favorizojnë riaktivizimin e trafikut të klandestinëve në zonën e Korçës. Shtimi i kontrolleve nga policia ka bërë që ky aktivitet të minimizohet, por njëkohësisht ka ndikuar në rritjen e “tarifave” që kërkojnë udhërrëfyesit për të realizuar kalimin e kufirit.
Leave a Comment