“Taksat kombëtare”, projektligji kalon me votat e LSI-së dhe PD-së
by Andi Bega on 05/03/09 at 3:03 pm
Komisioni i Ligjeve në Kuvend shtyn për të hënën projektligjin për administratën gjyqësore
Komisioni i Ligjeve ka kaluar pa votat e PS-së projektligjin për taksat kombëtare. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë ka qenë LSI-ja ajo që ka bashkuar votat me PD-në, duke kaluar për në Kuvend një projektligj të kundërshtuar nga socialistët. Sipas opozitës, ky projektligj do të çojë më pak të ardhura në arkën e pushtetit vendor, sepse me ndryshimin e bërë, tashmë bizneset e mëdha në zonat ku do të bëjnë investime nuk do të paguajnë taksë regjistrimi, ashtu siç kanë bërë deri më tani 1%, por vetëm 0.1%. Deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve e kanë cilësuar këtë përpjekje të qeverisë të qëllimshme për të favorizuar disa biznese para zgjedhjeve elektorale. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, deklaroi se është e pakuptimtë që në mes të lojës të ndryshojnë rregullat. Pasi tashmë janë të përcaktuara në ligj procedurat e taksave dhe para zgjedhjeve kërkohet që të ndryshohen ato. Majko theksoi se këto para që ishin caktuar për pushtetin vendor tani duket se do të shkojnë për interesa të tjera të fushatës për partinë në pushtet. Deklarata e Majkos është mbështetur edhe nga nënkryetari i komisionit, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, i cili theksoi se duket qartë që është një Pazar, i cili për disa projekte duhet të ndryshojë. Ndryshimi pritet të favorizojnë me uljen e taksës së regjistrimit bizneset që kanë projekte në infrastrukturë në ndërtimin e rrugëve kombëtare, aeroporteve dhe energjetikës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve është diskutuar edhe për projektligjin e gjykatave administrative. Por, pavarësisht se u ishte lënë dy ditë ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë sërish nuk është arritur në një emërues të përbashkët për të miratuar draftin e qeverisë. Deputetët e opozitës në komision kanë kërkuar që mazhoranca të lejojë që ekspertët e saj të punojnë së bashku me ata të Ministrisë së Drejtësisë dhe të EURALIUS. Propozim i cili pas shumë debatesh është pranuar nga ana e mazhorancës, e cila i ka kujtuar opozitës se në mbledhjen e ditës së hënë projektligji duhet të miratohet. Përndryshe, ka theksuar kryetari Rusmali, qëndrimi i opozitës është i qëllimshëm për të shtyrë miratimin e tij. Xhafa e kundërshtoi kryetarin e komisionit, duke theksuar se opozita nuk është kundër miratimit të këtij projektligji, pasi në parim ka votuar pro tij, por gjatë diskutimit nen për nen duhet të diskutohen rreth propozimeve të PS-së. Puna jonë, tha Xhafaj, është serioze dhe kjo tregohet edhe nga 22 faqe konkluzione që ne kemi dhënë rreth këtij drafti. Edhe KLD-ja ka kërkuar që të merren parasysh propozimet e saj, pasi do ta realizonin më mirë këtë projektligj.
Leave a Comment