Rama: Akuzat ndaj meje, mungesë idesh
by Andi Bega on 17/03/09 at 5:37 pm
Kreu i opozitës i përgjigjet shumicës, falënderon edhe protestuesit
Kreu i socialistëve, Edi Rama, iu kundërpërgjigj dje akuzave personale të lëshuara ndaj tij prej funksionarëve të Partisë Demokratike. Duke falënderuar pjesëmarrësit në mitingun e dy ditëve më parë në sheshin “Skënderbej”, Rama tha se “akuzat e kundërshtarëve tanë, kundër meje dhe familjarëve të mi sikundër ju e përcaktuat, por edhe më gjerë se kaq, janë shprehja më kuptimplotë e krizës së tyre të ideve, e krizës së argumenteve të tyre, e mungesës së tyre të vizionit dhe të asaj që ata përfaqësojnë; politikën e vjetër të së shkuarës”. Ju jeni dëshmitarë, shtoi ai, se përditë e më shumë, shqiptarët e shqiptaret po përfshihen në këtë valë ndryshimi, ndër të tjera dhe për faktin se vlerësojnë atë që ne po bëjmë, duke e kthyer politikën në një hapësirë ku njerëzit takohen, ballafaqohen, diskutojnë çështje të përbashkëta. “Politika qysh në antikitet ka lindur pikërisht për t‘u dhënë mundësi njerëzve që të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot. Kjo është ajo që ne po bëjmë”, insistoi Rama. Manifestimi i fundit, nënvizoi kreu socialist, ishte një manifestim i ndjenjave të dashurisë dhe solidaritetit me të gjithë ata që dje kishin nevojë për dashuri dhe solidaritet më shumë se të tjerët. “Ishte shprehje e domosdoshmërisë për të mos harruar plagët e së shkuarës, të cilat mbeten sot e gjithë ditën të hapura, sepse vetëm kështu mund t‘i shërojmë”, u shpreh Rama. Ishte shprehje e vetëdijes se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, vijoi ai, i cili pa asnjë dyshim fillon brenda nesh, fillon mes nesh. “Fillon nga përkrahja e njëri-tjetrit, në një vend të cilit Zoti i ka falur gjithçka popullit shqiptar, për të jetuar në paqe e mirëqenie, në një vend ku pasuritë dhe potencialet nuk mungojnë për të bërë të mundur që të rejat dhe të rinjtë të mos jenë rrugëve të papunësisë apo rrugëve të arratisë, për të gjetur një punë matanë kufijve për të mbajtur familjet e tyre”, argumentoi Rama. Ai falënderoi edhe Policinë e Shtetit, drejtuesit e së cilës, sipas tij, dhanë më të mirën për të garantuar Rrugën e Flamurit, pa asnjë pengesë dhe njëkohësisht për të siguruar të gjithë hapësirën e nevojshme që manifestimi të zhvillohej normalisht. “Ne duam t‘i japim jetë, nesër në qeveri, një politike të re, ashtu si kundër i kemi dhënë jetë politikës së re në opozitë”, tha Rama. I pyetur për një debat të mundshëm televiziv me kreun e Partisë Demokratike, ai u shpreh se “kjo nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë problem për mua”. Kreu i opozitës nënvizoi se bashkimi i ri synon një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër.
Leave a Comment