PS premton hapjen e vendeve të punës

by Andi Bega on 02/03/09 at 3:13 pm

Partia Socialiste është ndalur sërish dje te kriza ekonomike që po kap çdo ditë dhe më shumë vendin tonë. Nënsekretari për programin në selinë rozë, Ervin Bushati, gjatë një komunikimi me mediat, është shprehur se “pagat minimale në Shqipëri nuk janë të mjaftueshme për të garantuar një standard të pranueshëm jetese për një punëtor dhe familjen që i duhet të mbajë me këto të ardhura, kjo sipas raportit të fundit të DASH-it”. Sipas tij, niveli i jetesës në vend është në kushte tërësisht të papranueshme për të mbajtur gjallë familjen shqiptare. Jetesa e vështirë, tha ai, i shtyn njerëzit të dëshpëruar të pranojnë paga shumë të ulëta, ashtu si dhe kushte pune tepër të rrezikshme. Kushtet e punës në Shqipëri janë shpesh shumë të mangëta dhe tepër të rrezikshme për të punësuarit. Bushati u shpreh se gjatë vitit janë raportuar mjaft aksidente në punë, me pasojë vdekjen, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe në industrinë e minierave, sipas raportit në fjalë. Në nëntokën e Bulqizës, prej vitesh këto kushte përtej njerëzores u kushtojnë jetën minatorëve me ritmin një vdekje në muaj. Është ky nivel tragjik jetese që i shtyn sot shqiptarët të pranojnë punë jashtë kushteve njerëzore. PS-ja premton se me ardhjen e saj në pushtet do të krijojë vende të reja pune, me kushte njerëzore dhe me paga dinjitoze për familjet shqiptare.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login