Përjashtohen nga TVSH-ja pajisjet ushtarake
by Andi Bega on 05/03/09 at 2:51 pm
Përfitojnë edhe projektet hidrokarbure dhe kafshët e dhuruara
Ka hyrë në fuqi ndryshimi i ligjit “Për TVSH”, i cili përjashton nga detyrimi tatimor disa sektorë dhe mallra të caktuar. Tashmë që vendi është drejt anëtarësimit të NATO-s, qeveria u detyrua të rishikojë ligjin “Për TVSH”, duke përjashtuar nga kjo taksë të gjitha mallrat që importohen nga ky organizëm. Sipas ligjit të ri, “importimi i mallrave nga NATO-ja dhe organizmat e saj, në kuadër të operacioneve, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe importimi i materialeve ushtarake për Forcat e Armatosura, të dhuruara nga vendet e Aleancës së NATO-s dhe ato partnere, nuk do ta paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar”. Ndryshimet në ligj, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë më 2 shkurt 2009 dhe që kanë hyrë në fuqi tani në mars, prekin një sërë mallrash të tjerë, të cilët konsiderohen tepër të rëndësishëm për shtresa të caktuara. Kështu, përveç pajisjeve të importuara nga NATO-ja dhe Ministria e Mbrojtjes, qeveria vendosi që të përjashtojë nga TVSH-ja të gjitha pajisjet që importohen në kuadër të projekteve hidrokarbure. Me qëllim nxitjen e investimeve në këtë fushë, “importimi i mallrave dhe i shërbimeve që lidhen me realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kompanitë e huaja, të vërtetuara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore”, përjashtohen nga taksa e TVSH-së. Aktualisht, shumë kompani të huaja kanë shprehur interes për të kërkuar naftë në vendin tonë, projekte të cilat zgjasin për një kohë të gjatë dhe me shumë shpenzime.
Të tjera lehtësi fiskale në pagesën e TVSH-së, niveli i së cilës është 20 për qind, prekin edhe fushën e transportit detar, duke përjashtuar nga taksa importin e disa lloje anijesh. Ky ndryshim bëhet për faktin se aktualisht flota detare në vend është tepër e vjetër, gati 40-vjeçare, si pasojë e kostos së lartë për blerjen e një mjeti dhe TVSH-së që duhet paguar.
Kanë përfituar nga vendimi i qeverisë edhe kafshët e gjalla, racë e pastër, që dhurohet nga donatorët për qëllime të ndryshme. Për të gjitha këto ndryshime, Ministria e Financave nuk i ka bërë të ditura efektet financiare që rrjedhin nga përjashtimi i TVSH-së, por mendohet se pasojat janë të konsiderueshme negative për buxhetin e shtetit.
Leave a Comment