Kriza ekonomike, Berisha përballë mocionit
by Andi Bega on 02/03/09 at 3:14 pm
Dritan Prifti thekson se LSI-ja do të paraqesë planin antikrizë. Qeveria të mos e injorojë si nismat e tjera
LSI-ja do të dorëzojë sot zyrtarisht në Kuvend kërkesën e saj për mocion me debat me Kryeministrin Berisha për krizën ekonomike. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, ka deklaruar dje, se LSI-ja do të kërkojë një informacion më të detajuar në lidhje me masat emergjente që do të ndërmarrë qeveria për të parandaluar rritjen e efekteve të saj. Prifti tha se LSI-ja gjykon se vendi është në një situatë shumë të vështirë ekonomike. Të paktën 50 për qind e shqiptarëve sot janë prekur nga kriza aktuale financiare, e cila në Shqipëri është kthyer në një krizë ekonomike. Ndaj LSI-ja dëshiron t‘i tërheqë vëmendjen qeverisë dhe të debatojë me Kryeministrin në lidhje me këtë situatë, për ta bindur atë që Shqipëria vërtet po kalon një krizë. “Kriza nuk duhet mohuar, por duhet zgjidhur. Njerëzit në krizë, sidomos shtresat në nevojë, pensionistët, fshati shqiptar, apo zona informale e Shqipërisë, që janë shtresat më të prekura nga kriza aktuale në Shqipëri, kanë nevojë për zgjidhje”, është shprehur Prifti. Nënkryetari i LSI-së theksoi se ata do të paraqesin edhe një plan antikrizë, që do të synojë ndihmë dhe lehtësira fiskale të menjëhershme për një sërë kategorish. Sipas Priftit, nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat dhe planin që do t‘i parashtrohet, atëherë ky do të jetë një tjetër tregues i paaftësisë dhe mungesës së dëshirës për t‘i dhënë zgjidhje krizës. “Ne do t‘i dërgojmë këto propozime në Kuvend, me shpresën që Kryeministri, ministri i Financave dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar do të binden që është koha për të ndërhyrë në ekonomi, është koha për të ndërhyrë, sidomos për të mbrojtur shtresat më të prekura nga kriza ekonomike në Shqipëri, për të mbrojtur pensionistët, të papunët, ata që janë me ndihmë ekonomike, fermerët, pra fshatin shqiptar dhe personat që jetojnë në zonat informale në Shqipëri, shtresa, të cilat ne i gjykojmë se janë më të prekura në vend”, tha deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. Ai theksoi se kërkesa për mocion me debat duhet të bëhet urgjentisht. Shpresojmë, u shpreh Prifti, që Kryeministri t‘i përgjigjet kësaj kërkese, ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, sa më shpejt. Gjithashtu, LSI-ja i ka kërkuar Kryeministrit dhe qeverisë që të mos veprojnë me planin që do t‘i parashtrohet ashtu siç bëri me projektligjin për kujdesin ndaj moshës së tretë, duke e injoruar atë plotësisht. Prej disa javësh, politika shqiptare është përfshirë në debate të shumta në sallën e Kuvendit, por edhe jashtë saj, për sa i përket krizës ekonomike. Opozita pretendon se tashmë vendi ynë është futur në një krizë ekonomike dhe për zbutjen e saj kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, ndërsa mazhoranca, nëpërmjet ministrit të Financave, Bode, por edhe të Kryeministrit Berisha, ka përsëritur vazhdimisht se vendi ynë nuk është në krizë ekonomike. Se sa e vërtet është kjo, qytetarët nuk mund ta thonë hapur, por çdo ditë dhe më shumë ndihet rritja e çmimeve dhe mungesa e tregut të punës.
Leave a Comment