Korçë, dy vëllezër masakrojnë një 20-vjeçar

by Andi Bega on 05/03/09 at 2:59 pm

Policia arreston dhunuesit. Viktima përfundon me shumë fraktura në kokë e trup

Masakrohet me leva dhe mjete të forta një i ri nga Pogradeci. Burimet zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se Edison Rusi, 20 vjeç, nga ky qytet, është plagosur rëndë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke rrezikuar jetën. Gjithçka ka ndodhur pas një sherri që 20-vjeçari ka pasur me dy vëllezër nga fshati Vërdovë. Policia tha se ngjarja ka ndodhur në orën 19:30 në qendër të qytetit, kur dy vëllezërit Luan dhe Ilir Kromollari, nga fshati Vërdovë e kanë gjetur të riun në qytet dhe pasi e kanë tërhequr, e kanë goditur disa herë me leva në pjesën e kokës dhe në trup, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Burimet e policisë thanë se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi pak kohë më parë Rusi ishte konfliktuar me dy vëllezërit, gjë që ka bërë që ata të hakmerren ndaj tij. Sipas policisë, ndërsa kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, dy personat kanë masakruar të riun, të cilin e kanë lënë në rrugë, ku më pas është transportuar nga kalimtarë të rastit drejt spitalit civil të qytetit. Policia ka arrestuar Ilir dhe Luan Kromollarin, përkatësisht 32 dhe 27 vjeç, me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim. Ndërkohë i plagosuri, për shkak të gjendjes kritike për jetën, pasi ka marrë trajtimin fillestar në spitalin civil është dërguar me urgjencë nga mjekët për një ndërhyrje të specializuar pranë Spitalit Ushtarak të Tiranës. Sipas mjekëve, në trupin e 20-vjeçarit Rusi janë konstatuar dëmtime të shumta dhe nisur nga gjendja kritike ai është transportuar drejt kryeqytetit.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login