Korçë, babai rreh mësuesin e së bijës
by Andi Bega on 17/03/09 at 5:05 pm
E qëlloi dhe e kërcënoi pasi nuk pranoi të merrte para për të justifikuar mungesat
Fyen dhe dhunon fizikisht mësuesin kujdestar të së bijës dhe arrin t‘i shmanget policisë. Alit Leska nga fshati Voskop i Rrethit të Korçës ka shkuar dje në shkollën e mesme të këtij fshati, për të biseduar me Thomaq Renxhën, mësues në këtë shkollë për masën e përjashtimit nga shkolla që ky i fundit kishte dhënë për të bijën.
Mungesat e shumta dhe të përsëritura të adoleshentes e kanë detyruar mësuesin 55-vjeçar të merrte masa ndëshkimore ndaj nxënëses së tij. Vajza kishte kohë që nuk i frekuentonte rregullisht orët e mësimit. Mungesa e një justifikimi bindës e ka detyruar mësuesin e saj kujdestar, që ta paralajmëronte se do të merrte masa të rrepta për të. Por mesa duket vajza, nxënëse në vitin e dytë, nuk e kishte vënë “ujin në zjarr”, për paralajmërimet dhe javën e fundit nuk ishte paraqitur asnjë ditë në mësim. Përballë këtyre fakteve, Renxha kishte komunikuar përjashtimin nga shkolla të 15-vjeçares.
Por si duket, kjo nuk i ka pëlqyer babait të vajzës, i cili është përpjekur të zbusë “rreptësinë” e mësuesit. Ai ka shkuar të bisedojë me mësuesin, për të gjetur një rrugëzgjidhje që nuk e penalizonte të bijën. Mësohet se fillimisht ai i kishte ofruar të holla mësuesit, në mënyrë që ai të tërhiqte vendimin për përjashtimin nga shkolla, por mesa duket Renxha nuk është tërhequr.
Pasi ka tentuar të “bjerë në ujdi” duke i ofruar të holla, ai ka ushtruar presion mbi mësuesin. Leska e ka kërcënuar, sharë dhe më pas e ka goditur. Burime nga policia thanë se mësuesi Thomaq Renxha shkonte çdo ditë nga fshati Vithkuq për në Voskop. Duke qenë i ardhur në atë zonë, ai nuk ka pasur asnjë mbështetje për të përballuar zemërimin e prindit të vajzës.
Megjithatë ai është treguar “kokëfortë” në vendin e tij dhe nuk ka pranuar kurrsesi ujdinë me babanë e nxënëses së tij. Pas incidentit, autori i ngjarjes është larguar nga vendngjarja dhe ende nuk ka rënë në duart e policisë.
Forcat e Komisariatit të Korçës janë vënë në kërkim të autorit të ngjarjes, dhe ndaj tij rëndon akuza e “fyerjes dhe kanosjes për shkak të detyrës”.
Rastet e dhunës në shkolla kanë qenë të shpeshta këtë vit, por asnjëherë më parë objekt i dhunës nuk kanë qenë mësuesit. Në Fier, në harkun kohor të një muaji, ndodhën dy incidente të rënda, ku u përfshinë dhjetëra nxënës. Në një rast, fëmijë të dy shkollave nëntëvjeçare u përleshën me mjete të forta me njëri-tjetrin, ndërsa në rastin tjetër, një adoleshent u plagos me thikë në klasë. Pas këtyre ngjarjeve, mësuesit dhe prindërit ngritën zërin për të pasur më shumë kontrolle në shkolla, kërkesë kjo që iu parashtrua edhe policisë.
Dhunimi i mësuesit në gjimnazin e fshatit Voskop të Korçës ngre përsëri problemin e sigurisë në shkolla.
Leave a Comment