“Konflikti i qeverisë me BB-në, i turpshëm”

by on 05/03/09 at 12:01 am

Kreu i opozitës, Rama: Mirënjohës për mësimin që Banka Botërore na dha

Kreu i opozitës, Edi Rama, konstatoi dje me shqetësim përkeqësimin sipas tij të marrëdhënies së qeverisë shqiptare me Bankën Botërore, duke e cilësuar të turpshëm. Sipas tij, kundërvënia ndaj këtij institucioni ndërkombëtar të rëndësishëm ndodh pak kohë pas qëndrimit arrogant të qeverisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, që kulmoi me refuzimin e njëanshëm të zgjatjes së marrëveshjes. “Ndërsa vendet e zhvilluara perëndimore kanë bërë thirrje për forcimin e rolit të këtij institucioni ndërkombëtar në ekonomitë e tyre, qeveria jonë dritëshkurtër i mbylli FMN-së derën me mosmirënjohje e papërgjegjshmëri të thellë”, u shpreh ai. Kreu i PS-së mendon se “për shkak të paaftësisë proverbiale, të interesave personale dhe klanore të Sali Berishës e të ministrave të tij, jo vetëm është pezulluar një projekt strategjik për Shqipërinë e të nesërmes, por është vënë në një pozitë të vështirë dhe aspak të merituar edhe vetë Banka Botërore për gjithçka ka bërë e bën prej 17 vjetësh për të asistuar Shqipërinë përgjatë një tranzicioni tejet të mundimshëm”, theksoi Rama. Në cilësinë e kryetarit të opozitës së sotme, ai falënderoi Bankën Botërore në Washington D.C., dhe zyrën e saj në Tiranë. “Dua po ashtu të garantoj se shqiptarët e shikojnë me shumë mirënjohje kontributin e jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm që ky institucion ka dhënë për Shqipërinë. Unë siguroj gjithashtu se pas 28 qershorit qeveria jonë e re do të vendosë me bankën një marrëdhënie të re bashkëpunimi e respekti të ndërsjellë”, nënvizoi Rama. Sali Berisha dhe oborrtarët e tij, shtoi ai, të zhytur në batakun e konfliktit të interesit, mund ta kenë harruar, apo ndoshta nuk e kanë ditur ndonjëherë, se prej vitit 1991, Banka Botërore ka miratuar për Shqipërinë 67 projekte, me një vlerë totale rreth 997.5 milionë dollarë, të fokusuara në sektorët me prioritarë të vendit tonë. “Ndërsa ne e dimë fort mirë këtë kontribut që e vendos Bankën Botërore në krye të listës së donatorëve në ekonominë e vendit tonë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë se ky institucion nuk është vetëm një financues i drejtpërdrejtë i zhvillimit të Shqipërisë, po edhe një këshilltar i mirë, një nxitës i fortë e një mbështetës konstant i të gjitha reformave më të rëndësishme që janë ndërmarrë në këtë vend”, konstatoi Rama.

Share and Enjoy:
  • Digg
  • Sphinn
  • del.icio.us
  • Facebook
  • Mixx
  • Google Bookmarks

Leave a Comment

Login