Hidrocentralet e reja nuk e zgjidhin krizën
by Andi Bega on 05/03/09 at 2:55 pm
Ekspertët shpjegojnë se investimet me koncesion nuk do ta mbulojnë deficitin
Hidrocentralet e reja që po ndërtohen apo janë projektuar, janë biznese shumë të mira, por nuk e zgjidhin krizën elektroenergjetike të Shqipërisë. Ky është vlerësimi i ekspertëve nga kompanitë private të energjisë elektrike në lidhje me hidrocentralin e Ashtës, që po ndërtohet mbi Drin, atë të Kalivaçit mbi Vjosë dhe tri hidrocentrale që do të ndërtohen në kaskadën e Devollit. Të tria hidrocentralet synojnë para së gjithash të shfrytëzojnë tregun evropian të prodhimit të energjisë së pastër përmes sistemit të certifikatave të gjelbra. Të gjitha këto projekte pritet të kushtojnë mbi 1.3 miliardë euro, por, megjithatë, problemi më i madh i Shqipërisë, varësia nga hidroenergjetika, nuk zgjidhet ndërsa energjia e prodhuar nga hidrocentralet e reja mund të mbërrijë shumë vonë, thonë ekspertët. Projektet konsiderohen nga ekspertët si “biznese të shkëlqyera”, por vetëm kaq.
Konsumi rritet me 5%
Vlerësimet e kompanisë CEZ, e cila është në negociata për të blerë operatorin e sistemit të shpërndarjes OSSH, janë që konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri do të rritet me 5 për qind në vit. Kjo do të thotë se vendi ynë ka nevojë për 350 milionë kilovat energji shtesë nga viti në vit. Por, projektet për hidrocentrale të reja do të materializohen pas jo më pak se tetë vjet dhe ndërkohë, deri sa ato të hyjnë në punë, vendi do të ketë nevojë për dy-tri herë më shumë energji sesa prodhimi i tyre. Bazuar në skenarin e rritjes së konsumit me 5%, Shqipëria do të ketë nevojë për afërsisht 10 miliardë kWh në vit, rreth vitit 2015, ndërkohë që hidrocentralet e reja do të japin jo më shumë se 1.2 miliardë.
Projektet e reja
Tri hidrocentrale do të ndërtohen në kaskadën e Devollit sipas kontratës së nënshkruar sakaq, por ato do të hyjnë në punë pas minimalisht tetë vitesh, pra rreth vitit 2016. Këto hidrocentrale do të prodhojnë së bashku rreth 1 miliard kWh, shifër që në atë kohë do të mbulojë më pak se 10 për qind të konsumit. Dy hidrocentralet e tjera do të prodhojnë rreth 300 milionë kWh në vit, por edhe ato do të duan edhe shumë vite për t‘u realizuar. Për këtë arsye, në rastin më të mirë, Shqipëria do të duhet të importojë 3 deri në 3.5 miliardë kWh në vit, për shkak se aktualisht prodhohen vetëm 5 miliardë.
Më mirë termocentrale
Ekspertët shpjegojnë se Shqipëria ka nevojë për shumë më pak investime. Sipas analizave, termocentrale me kapacitete prej 400 deri në 600 MW, të cilat mund të ndërtohen brenda pak viteve, do të mjaftojnë për të furnizuar vendin me drita pa ndërprerje, ndërsa realizimi i tyre është i domosdoshëm për të rritur eficensën e përdorimit të hidrocentraleve ekzistuese. Vetëm termocentrali i Vlorës, i cili kushtoi 100 milionë euro, do të prodhojë 700 milionë kWh në vit, ndërsa deficiti energjetik kombëtar aktualisht është rreth 2 miliardë në vit.
Një studim i vitit 2001, i hartuar për llogari të KESH-it nga konsulentë ndërkombëtarë, vlerësonte se vendi ka nevojë për jo më shumë se katër termocentrale si ai i Vlorës. Sipas planeve të atëhershme, në vitin 2007 duhej të ishte mbaruar blloku i parë prej 100 MW. Ky bllok pritet të përfundojë së ndërtuari vetëm këtë vit, ndërsa planet për ndërtimin e blloqeve të tjera as që kanë nisur fare.
Vendi ynë ka nevojë për 350 milionë kilovat energji elektrike shtesë nga viti në vit
Energjia e pastër
Hidrocentrale dhe certifikata të gjelbra
Arsyeja kryesore e investimeve në hidrocentrale gjatë viteve të fundit nga kompanitë italiane dhe ato austriake, është sistemi i certifikatave të gjelbra. Këto të fundit janë vlera ekologjike e energjisë së pastër dhe tregtohet në bursat italiane në kuadër të traktatit të Kiotos. Për pasojë, hidrocentralet e reja do të realizojnë fitime jo vetëm nga shitja e energjisë, por edhe nga shitja e certifikatave të gjelbra. Me asistencë italiane, gjatë vitit të kaluar në Shqipëri u kryen ndryshimet ligjore për fillimin e emetimit të certifikatave të gjelbra.
Leave a Comment