FMN: Zgjedhjet, rrezik për Shqipërinë
by Andi Bega on 02/03/09 at 3:17 pm
Publikohet dokumenti përfundimtar. Fondi, 55 faqe me shqetësime: Frikë nga vëmendja e qeverisë, shpenzimet e tepërta dhe situatat pas 28 qershorit
Fondi Monetar Ndërkombëtar është i shqetësuar për shkak se zgjedhjet parlamentare të këtij viti “mund të ulin vëmendjen e qeverisë” ndaj ruajtjes së stabilitetit, ndërsa përfundimi i marrëveshjes së asistencës mes Shqipërisë dhe FMN-së “erdhi në kohë sfiduese”. Në një dokument prej 55 faqesh, Fondi jep këshillat e fundit për Shqipërinë, ku i kujtohet qeverisë se shumë reforma të rëndësishme strukturore thjesht kanë ngecur në vend, se kriza botërore aktuale mund të ulë rritjen ekonomike të vendit dhe se qeveria nuk duhet të rrisë pagat dhe pensionet. Por vetë ekspertët e fondit duket se e kanë të qartë se Shqipëria gjendet në një vit zgjedhor dhe se asnjë qeveri deri më sot, nuk ka marrë shumë parasysh këshillat e saj në prag zgjedhjesh, ndërkohë që shqiptarët e kanë paguar mosbindjen e qeverisë ndaj FMN-së me probleme ekonomike që kanë vijuar për vite me radhë. Ndërkohë, një numër i madh ekspertësh shqiptarë kanë sugjeruar që mandati i FMN-së të shtyhej së paku për të mbuluar vitin zgjedhor 2009.
“Shqipëria ka nevojë për kujdes më të madh në vendimmarrjen politike këtë vit, kur ajo nuk do të ketë një program mbështetës të FMN-së, ndërkohë që zgjedhjet e pritshme mund të tërheqin politikanët në drejtimin e kundërt me stabilitetin”, thuhet në raportin e fundit të FMN-së.
FMN kërkon disa masa jopopullore për të krijuar një politikë prostabilitet. Sipas raportit, “është rënë dakord me qeverinë për shtyrjen e uljes së sigurimeve shoqërore dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike për këtë vit”. Por ndërsa FMN thotë se “është rënë dakord”, qeveria e Tiranës ka thënë dhe rithënë se “dritat nuk do të rriten këtë vit”.
FMN kërkoi që qeveria të mos prekë fondin rezervë të buxhetit për këtë vit, për të pasur para për një situatë më të keqe, por qeveria duket e vendosur ta përdorë fondin e kontigjencës për të rritur pagat dhe pensionet dy muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit, pra duke filluar nga 1 maji. “Ka gjasa që presioni të rritet nga remitanca më të ulëta, eksporte më të ulëta dhe vështirësi në kreditim të brendshëm e të jashtëm”, thotë FMN.
Zgjedhjet, gjithmonë të rrezikshme
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë pasuar gjithmonë me probleme të rënda, shkaktuar nga shpenzimet me tepri të qeverisë për të fituar mbështetje. Në vitin 2001, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe refuzimi i qeverisë për të rritur çmimin e dritave për konsumatorët, solli krizë në vitin 2002, kur inflacioni u rrit, vendi vuajti muaj të tërë ndërprerje të zgjatura në furnizimin me energji, ndërsa ekonomia u rrit me vetëm 2.9%, shifra më e ulët që nga viti 1997.
Kriza kronike e dritave në Shqipëri është shfaqur gjithmonë pas zgjedhjeve, pasi qeveritë janë përpjekur të garantojnë furnizim maksimal pa i rritur çmimet. Zgjedhjet e vitit 2005 janë një shembull i qartë për këtë. Sapo mbaruan zgjedhjet, vendi kaloi muaj të tërë pa drita, gjë që shkaktoi rritje ekonomike shumë të ngadaltë. Rritja e pagave për arsye elektorale konsiderohet nga ekspertët ndërkombëtarë si mashtrimi më i madh që mund t‘i bëhet një populli, për shkak se pagat e larta zhvlerësojnë monedhën dhe në fund, brenda pak muajsh, qytetarët e paguajnë shumëfish përfitimin që morën. Në rastin e Shqipërisë, ky fenomen është edhe më i dukshëm në furnizimin me energji elektrike. Furnizimi i rregullt në muajt parazgjedhorë shoqërohet në kufizime të stërgjata në periudhën paszgjedhore. Kjo gjë vërehet se ndodhi pas zgjedhjeve vendore të vitit 2000, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 e 2005, si dhe pas zgjedhjeve vendore të shkurtit 2007. Sa më i lartë të jetë furnizimi me drita, aq edhe më i lartë do të jetë kufizimi i tyre. P.sh, në vitin 2006, qeveria u dha konsumatorëve sasinë më të madhe të energjisë që kishte njohur vendi, ndërsa një vit më pas, i dha edhe krizën më të gjatë.
Duhet rritur raporti pagesë/përfitim për kontribuuesit në skemë
FMN: Reforma e pensioneve është e gabuar
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson si të gabuara, qoftë nga analiza empirike, qoftë nga analiza teorike, strategjinë e përdorur deri më sot nga qeveria në sistemin kombëtar të sigurimeve shoqërore. Në një analizë, ekspertët e FMN-së vërejnë se rruga më e mirë për zgjidhjen e problemit të pensioneve duhet të bazohet në nxitjen e deklarimit vullnetar të të punësuarve dhe në vendosjen e një lidhjeje më të qartë mes kontributit dhe përfitimit në skemë. FMN kritikon si të dëmshme uljen e sigurimeve shoqërore të ndërmarrë nga qeveria gjatë viteve të fundit, si dhe vendosjen e hartës së pagave referuese për një pafundësi profesionesh në vend.
“Qeveria beson se duke ulur ngarkesën për sigurime shoqërore mbi pagën deri në nivelin e tatimit të fitimit, do të ulet edhe oreksi i kompanive për të paguar sigurime shoqërore mbi paga joreale”, raportohet nga FMN. Sipas ekspertëve të fondit, ka shumë gjasa që një masë e tillë jo vetëm nuk do të sjellë ulje të evazionit, por mund të sjellë edhe reduktim të pagës neto të të punësuarve.
Pagat referuese
Qeveria gjeti si zgjidhje vendosjen e pagave referencë, të cilat rritën taksimin real të të punësuarve dhe bizneseve në Shqipëri në mes të vitit 2007. Kjo qe një masë që synonte të rriste të ardhurat për skemën e sigurimeve, por në të njëjtën kohë, i jepte kontributit tiparin e një tatimi. Sigurimet shoqërore nuk janë taksë, por kursim i detyruar, së paku në teori. Por kjo nuk ndodh në rastin e Shqipërisë. Pensioni maksimal ligjor është dyfishi i pensionit minimal dhe të gjithë shqiptarët e siguruar praktikisht paguajnë shumë më tepër para në skemë sesa do të përfitojnë kur të dalin në pension. Kjo gjë bën që askush të mos jetë i interesuar të deklarojë pagën reale. FMN thotë se sistemi i pagës referuese ul rentabilitetin ekonomik të punës, për shkak se kërkon që kompanitë të mbulojnë nga fitimet e veta koston e sigurimeve shoqërore. Më shumë sesa kontribut sigurimesh, një sistem i tillë është një lloj “takse për kokë” në ngarkim të çdo të punësuari.
Reforma
FMN thotë se sistemi i pensioneve ka nevojë për reformë më të thellë. Sistemi aktual shqiptar mbledh kontributet e 400 mijë të punësuarve për të shlyer gati 600 mijë pensione, ndërsa rreth 40% të shpenzimeve të sistemit mbulohen drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit. Sistemi shqiptar i pensioneve bazohet në shembullin gjerman të kohës së Bismarkut. Sisteme të tilla konsiderohen të suksesshme në vendet ku ka një pensionist për katër të punësuar. Në rast se raporti zbret në një pensionist me dy të punësuar, skema konsiderohet e falimentuar. Në rastin e Shqipërisë, që prej dhjetë vitesh tashmë ka më pak se një të punësuar për pensionist. Falimentimi i një skeme pensioni mund të zhysë në varfëri një brez të tërë. Skema shqiptare falimentoi një herë në vitin 1991 bashkë me sistemin komunist dhe të gjithë ata që patën shansin e keq, kaluan pleqërinë në kushte ekonomike të tmerrshme.
Leave a Comment