FMN: Shqipëria në listën e vendeve në krizë
by Andi Bega on 05/03/09 at 2:49 pm
Fondi thotë se vendet me të ardhura të ulëta mund ta kenë të vështirë të rifinancojnë borxhet
Njëzet e gjashtë vende mes më të varfrave në botë dhe që kanë disa karakteristika të veçanta, mund të goditen në mënyrë fatale nga “vala e tretë” e krizës botërore, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një studim të publikuar dje. Në listën e vendeve të marra nën studim, është edhe Shqipëria. Sipas drejtorit menaxherial të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, parashikimi i janarit, i cili fliste për rritje zero të ekonomisë botërore për këtë vit, mund të rishikohet edhe një herë në ulje dhe se rigjallërimi i ekonomisë mund të fillojë vonë në vitin 2010.
Pasojat te vendet e vogla
Shumica e vendeve të varfra i shpëtuan valës së parë të krizës botërore, e cila filloi në sektorët financiarë të ekonomike të zhvilluara. Por tani, edhe këto vende po goditen rëndë, kryesisht përmes tregtisë, për shkak se vendet e pasura kanë ulur kërkesën për mallra. Nga 71 vende që FMN i klasifikon si “me të ardhura të ulëta”, shumica do të përballen me rritje ekonomike zero për këtë vit. Shkaku për këtë është rënia e remitancave në shkallë botërore dhe rënia e eksporteve të lëndëve të para.
U hiqet mundësia për borxh të jashtëm
Shqipëria renditet nga FMN në listën e vendeve që kanë shtyrë për më vonë planet për të marrë borxhe në valutë të fortë në tregjet ndërkombëtare si pasojë e krizës. Sipas fondit, ekziston rreziku që për vende si Shqipëria, korporatat që i kanë dhënë kredi qeverisë të tërheqin investimet e tyre, duke e zhytur vendin në vështirësi. Shqipëria është veçanërisht e prekur në këtë drejtim, për shkak se mbi 90 për qind e aseteve të bankave janë nën pronësi të huaj, sipas FMN-së.
Qeveria hasi vështirësi të shumta gjatë javës së fundit, kur kërkoi kredi me vlerë 300 milionë euro në tregun ndërkombëtar. Tenderi për marrjen e kësaj kredie duket se ka dështuar dhe qeveria ka nisur negociatat e drejtpërdrejta me ofertuesit. Përveç interesave të larta, bankat ndërkombëtare kanë ofruar kredi të pagarantuar për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, sipas Bankës së Shqipërisë, një pjesë e bankave dorëzuan dhjetorin e kaluar bonot e thesarit që zotëronin para afatit, gjë që u shkaktua nga mungesa e likuiditetit në sistem.
Sipas FMN-së, Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike shumë më të ulët edhe për shkak se remitancat do të jenë më të ulëta. FMN thotë se për vendet me të ardhura të ulëta në kontinentin evropian, rënia e remitancave do të jetë më e thellë. Emigrantët kanë sjellë më pak para në atdhe që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar. Rënia pritet të jetë më e madhe këtë vit. Shqetësim përbën edhe fakti se problemet në financimin e buxhetit të shtetit mund të detyrojnë vendet si Shqipëria të kufizojnë shpenzimet për mirëqenie shoqërore.
Leave a Comment