FMN rikthehet në Ballkan
by Andi Bega on 17/03/09 at 4:40 pm
Edhe Serbia hyn në listën e vendeve në nevojë, kërkon 2 miliardë euro
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Serbia filluan negociatat për një maksi-kredi shpëtimi nga 1.5 deri në 2 miliardë euro, bëhet e ditur nga Balkaninsight, ndërkohë që misioni i FMN-së hapi zyrën e tij në Rumani. Lajmi se Bukureshti mund të arrinte një marrëveshje për miliarda euro kredi me FMN-në xhelozoi Bashkimin Evropian. BE po diskuton aktualisht nëse do të ndihmojë vetëm vendet anëtare të Eurozonës apo do ta shtrijë ndihmën edhe për vendet që nuk kanë hyrë ende në euro.
Të gjitha vendet që tashmë kanë kërkuar ndihmën e FMN-së për të shpëtuar nga kolapsi financiar, e patën përzënë Fondin vite më parë, pasi e konsideronin si një institucion tepër të fiksuar me stabilitetin e që për rrjedhojë, bllokonte zhvillimin e shpejtë. Pas largimit të fondit, këto vende zhytën veten në borxhe, gjë që i la të papërgatitur në raste krizash. Për pasojë, dinari serb humbi 25 për qind të vlerës së tij, ndërsa banka qendrore dogji të gjitha mekanizmat e saj të ndërhyrjes kundër zhvlerësimit, nga interesat e larta te shitja e rezervës së vet valutore në treg.
FMN në Lindje
Serbia siguroi një kredi emergjence prej 400 milionë eurosh për të stabilizuar monedhën e vet, por këto para nuk mjaftuan dhe tashmë vendi ka hyrë në negociata për një marrëveshje ndihme afatgjatë. Sipas ministrit të saj të Ekonomisë, vendi ka nevojë për 1.5-2 miliardë euro borxhe për të kapërcyer problemet. Kredi të tilla të dhëna nga FMN kushtëzohen nga reforma strukturore që vijojnë për vite, gjatë të cilave vendet zakonisht humbasin pavarësinë në vendimmarrjen fiskale dhe monetare. Lituania, Hungaria dhe Ukraina janë tre vende të tjera që kanë marrë kredi nga FMN-ja. Situata është në përkeqësim edhe në Malin e Zi, Bosnjë, Maqedoni e Shqipëri. Por Shqipëria dhe Maqedonia kanë qenë nën varësinë e FMN-së deri pak muaj më parë dhe tani për tani, janë dy vendet më stabël në Evropën Lindore. Dinari maqedonas ka dalë i paprekur deri më sot nga kriza dhe ka ruajtur kuotimin e tij kundrejt euros të pandryshuar, ndërsa leku shqiptar ka njohur një zhvlerësim të lehtë prej rreth 6 përqindësh. Të gjitha monedhat e tjera të Lindjes janë goditur më rëndë nga kriza. Bullgaria zbaton një kurs fiks këmbimi fiks. Në të gjitha vendet, rritja ekonomike është projektuar e ulët. Serbia e ka ulur në 0.5-1.0 për qind për këtë vit në krahasim me 6 për qind vitin e kaluar, ndërsa Rumania ndoshta do të kalojë në recesion. Qeveria shqiptare pretendon për rritje nga 3.5 në 5.5 për qind, ndërkohë që FMN parashikon rritje në nivelin 2-3 për qind.
Leave a Comment