Falimenti, vetevaret pronari i nje firme ndertimi ne Tirane
by Andi Bega on 24/03/09 at 8:09 pm
Tiranë, 24 mars 18:58 NOA – Pronari i një kompanie ndërtimi, ka gjetur vdekjen pak orë më parë pasi u vetëvar në banesën e tij.
Viktima është Gjergji Shehu 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, baba i dy fëmijëve.
Ai u gjet i vdekur në banjën e apartamentit të tij që gjendet pas shkollës “11 Janari” në kryeqytet.
I ndjeri u zbulua nga e ëma e cila e lemerisur u përball me skenën e tmerrit. Çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë, duke e dërguar të vetëvarurin në spital, rezultoi e pavlerë pasi ai ishte i vdekur.
Policia konfirmoi lajmin zyrtarisht për agjencinë e lajmeve NOA dhe tha se Gjergji Shehu, pronar i një firme ndërtimi, u gjet i varur në banjon e shtëpisë, në orën 12.30 të ditës së sotme.
“Dyshimet e para bien mbi vetëvarjen në kushtet e shqetësimit për problemet financiare”, – deklaroi policia, e cila shtoi se gjithsesi, po i vazhdon hetimet intensivisht për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes.
Mësohet se i ndjeri, i martuar dhe me fëmijë, para pak kohësh, kishte falimentuar në biznesin e tij, në fushën e ndërtimeve.
Pas falimentimit, në përpjekje për të ringritur dhe mbajtur gjallë biznesin e tij disa vjeçar, 43-vjeçari Shehu ka marrë një sasi të madhe të hollash në formë kredish bankare që nuk po mundte dot t’i shlyente.
Ky shkak besohet të ketë nxitur 43-vjeçarin në vendimin tragjik për t’i dhënë fund jetës duke u vetëvarur.
Leave a Comment